Promovimi i të drejtave politike dhe sociale për Diasporën [Rekomandime]

Më 18 shtator 2018, organizata jo-qeveritare Germin, në kuadër të iniciativës Angazhimi i Diasporës në Zhvillimin e Politikave, pjesë e Diaspora Flet (www.diasporaflet.org) ka mbajtur takimin virtual me temën “Angazhimi i Diasporës në Zhvillimin e Politikave – Strategjia për Diasporën & Mërgatën (2013-2018)”, kapitull i Strategjisë për Diasporën 2013-2018, ku ishit edhe ju prezent.

Paneli diskutues:

  1. Brikena Muharremi – avokate dhe themeluese e shoqatës së avokatëve shqiptaro-britanik, Britanina e Madhe;
  2. Florim Kadriu – anëtarë i Partisë Social Demokrate dhe sindikatës UNIA, Zvicër;
  3. Lulzim Veliu – themelues dhe drejtues i shoqatës “Identitete e.V.,Gjermani;
  4. Ganimet Bajraktari – aktiviste dhe defektologe, Austri;
  5. Besnik Kelmendi – Përfaqësues i organizatës “Bashkësia Shqiptare”, Gjermani;
  6. Osman Osmani – Sekretar Nacional për Migrim në Sindikatën UNIA, Zvicër; dhe
  7. Ruzhdi Ibrahimi – ekspert i sigurimeve shoqërore, Zvicër.

Përfshirja e diasporës në politikëbërje, procesi i regjistrimit të diasporës, pjesëmarrja e Diasporës në zgjedhje, sigurimet shoqërore, rritja e kapaciteteve në kufi gjatë muajve të verës ishin disa nga temat e diskutimit të cilat u trajtuan nga paneli diskutues.

Ndonëse janë bërë disa përparime të nevojshme me qëllim të organizimit të diasporës dhe në njohjen e rëndësisë së kontributit të tyre si p.sh me krijimin e Ministrisë së Diasporës në vitin 2011, përfshirjen e diasporës në Komisionin Parlamentar për Punë të Jashtme, këto veprime nuk janë të mjaftueshme duke marrë parasysh potencialin dhe madhësinë e diasporës. Në këtë mënyrë mund të themi se jemi akoma mbrapa në krijimin e mekanizmave që mundësojnë përfshirjen e zërave të Diasporës në kornizën legjislative dhe institucionale. 

Në mënyrë që Strategjia (2019-2013) dhe Plani i Veprimit (2019-2021), të jetë sa më gjithëpërfshirës, të realizohen të drejtat e garantuara me Kushtetutë si dhe të adresohen kërkesat e komuniteteve jashtë vendit, këtu janë disa nga rekomandimet e dala:

Krijimi i kornizës insitucionale për përfaqësim politik të diasporës dhe pjesëmarrje në vendimmarrje dhe politikbërje:
    1. Përfaqësimi i diasporës në parlamentin e Kosovës duhet të jetë i mundur në bazë të proporcionalitetit të diasporës me numrin e qytetarëve në Kosovë, përmes një sistemi të drejtë zgjedhor;
    2. Në projektligjin për Diasporën të shikohen mundësitë dhe hapat e nevojshëm për ndryshimet kushtetuese për të adresuar përfaqësimin direkt të diasporës në parlament;
    3. Të iniciohet formimi i Këshillit Kombëtar të Diasporës, si një komitet përfaqësues i pjesëtarëve të Diasporës
Pjesëmarrja e Diasporës në votime:
  1. Të ndërrmerren masa për rritjen e pjesëmarrjes së diasporës në zgjedhje. Aktualisht, votimi me postë edhe pse është i lehtë dhe i lirë, kohëzgjatja e dërgesave postare paraqet një sfidë për zbatim të suksesshëm të kësaj metode votimi, sidomos kur zgjedhjet janë të jashtëzakonshme;
  2. Votimi me postë (zgjedhjet e jashtëzakonshme): Të bëhet pranimi i votave nga KQZ edhe dy ditë pas zgjedhjeve me kusht që fletëvotimet të jenë futur në postë para ditës se zgjedhjeve (duke u bazuar në vulën postare nga vendi dërgues);
  3. Të përmirësohet procesi i numërimit të votave duke ofruar detaje se si numërohen votat e diasporës;
  4. Votimi në misionet diplomatike (ambasadat dhe konsullatat) me planifikim dhe mbështetje nga KQZ. Shteti i Kosovës mund të ofronte votimin në njërën nga shërbimet diplomatike si pilot projekt për testimin e kësaj metode dhe do të shërbente për të shqyrtuar më mirë potencialin dhe vështirësitë e votimit në misionet diplomatike. Përveç votimit direkt, të shqyrtohet mundësia për dërgimin e pakove me fletëvotime në fahun postar në misionet diplomatike;
  5. Votimi elektronik nga diaspora do të ishte i shpejtë dhe efikas, mirëpo rrezikohet nga pirateria informatike (hakim) apo manipulimi digjital. Shteti i Kosovës mund të ofronte një pilot projekti vetëm në zgjedhjet lokale në një komunë të caktura, e cila ka diasporë të madhe;
  6. KQZ të zbatojë metodën “opt-out”: votuesi që regjistrohet njëherë në regjistrin e diasporës do të mund të votojë në zgjedhjet pasuese pa pasur nevojë përsëri për regjistrim. Nëse një votues nga diaspora planifikon të udhëtojë në Kosovë për votim, atëherë do të ishte përgjegjësi e votuesit që ta njoftojë KQZ-në më kohë për t’u larguar nga regjistri i diasporës dhe të transferohet në regjistrin e përgjithshëm.
  7. Të zhvillohen më shumë fushatavetëdijesuese për rëndësinë e votës, të informohen saktë dhe në kohë pjesëtarët e diasporës rreth të gjitha procedurave që lidhen me zgjedhjet, pasiqë vazhdimisht ka pasur ankesa për mungesë të informimit adekuat;
  8. Gjatë publikimit nga KQZ të listave të votuesve të diasporës ne propozojmë që të dhënat personale të redaktohen pjesërisht para publikimit për të mbrojtur privatësinë dhe evituar vjedhjen e mundshme të identitetit;
  • Regjistri i diasporës:
    1. Procesi i regjistrimit të diasporës të jetë i vazhdueshëm(fizik dhe online) dhe jo një proces që përfundon vetëm njëherë për faktin që diaspora është dinamike dhe në lëvizje të përhershme;
    2. Të gjinden mënyra të informimit më të gjerë dhe inkurajim i diasporës për t’u regjistruar duke i njoftuar se mbledhja dhe përpunimi i të dhënave mbi diasporën ka qëllim krijimin e një pasqyre të saktë mbi pjesëtarët e Diasporës;
    3. Ministria e Diasporës në bashkëpunim me Komunat e Kosovës gjatë sezonit të verës, atëherë kur është fluksi më i madh të ngris kapacitet për regjistrim duke rritur numrin e personave të angazhuar; duke hapur pika në fshatra;
    4. Të konsultohen organizatat shqiptare jashtë vendit për anëtarët e tyre të regjistruar;
    5. Ministria të krijojë kanale kontakti me sindikatat si p.sh. Unia dhe të shqyrtojë mundësitë e regjistrimit të diasporës;
    6. Regjistri të bëhet obligativ për personat të cilët nxjerrin dokumente në ambasadat dhe konsullatat e Kosovës në vendet e tyre.
  • Marrëveshjet për sigurimet shoqërore
  1. Siguria shoqërore si skemë të mos varet financiarisht nga shteti, pasi që është në varësi të plotë nga konjuktura politike dhe përjashton palët përfituese si grup interesi. Në rast të një sistemi të qëndrueshëm shoqëror i cili do të mundësonte një mbulim të rrezikut social të pleqërisë dhe rreziqeve tjera do të garantohej një siguri e qëndrueshme dhe vazhdim i jetesës me dinjitet në moshën e tretë. Me ndarjen e të drejtave dhe obligimeve (financimi)  të 3 palëve: punëtorëve, punëdhënësve dhe shtetit do të krijoheshin rrethana më të favorshme për sigurinë e qëndrueshme shoqërore;
  2. Të rritet vetëdijësimi i anëtarëve të diasporës për kushtet dhe rrethanat e marrëveshjeve për sigurimet pensionale pasi që ka mungesë të informimit adekuat për personat të cilët kanë nevojë për një gjë të tillë;
  3. Në grupin formues ndërministror, Qeveria e Kosovës, respektivisht Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale në konsultim me Ministrinë e Diasporës dhe Investimeve Strategjike të përfshijë ekspertët shqiptarë nga Diaspora, të angazhuar rreth marrëveshjeve shoqërore;
  4. Qeveria dhe Ministritë e linjës në vazhdimësi të njoftojnë të prekurit, familjarët dhe gjithë shoqërinë në lidhje me Marrëveshjen e Sigurimeve Shoqërore, dhe veçanërisht: 1. Të njoftojë me shkresa të veçanta personale të prekurit dhe familjarët e tyre nga kjo marrëveshje; 2. Të zhvillojnë fushatë informuese dhe vetëdijesuese mbi këtë marrëveshje duke shfrytëzuar kanalet e tyre informuese, mediat publike të Republikës së Kosovës dhe mediat tjera sociale.
Tjera:
  1. Ministritë në Kosovë të bashkëpunojnë me organizatat jo-qeveritare që të mundësohet përmbushja e objektivave të strategjisë;
  2. Caktimi i një afati kohor se kur do të bëhet përmbushja e këtyre objektivave, duke mënjanuar shprehjet si “afat i mesëm”;
  3. Rritja e kapaciteteve shërbyese dhe njerëzore në pikat doganore në kufi gjatë muajve të fluksit të udhëtarëve nga diaspora;
  4. Të themelohen drejtori për diasporën në komunat të cilat kanë më së shumti diasporë si p.sh në Komunën e Kamenicës është drejtoria për zhvillime ekonomik dhe diasporë;
  5. Mënjanimi i sigurimeve shtesë për veturat të cilat posedojnë sigurime të tilla;
  6. Personat e inkuadruar në proceset e krijimit dhe avancimit të strategjisë të mundohen të jenë sa më pak të influencuar politikisht;
  7. Të ketë një koordinim më të mirë në mes Ministrisë së diasporës në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni;
  8. Institucionet përkatëse të angazhohen më shumë drejt mbledhjes së hulumtimeve dhe punimeve shkencore të përfunduara të cilat janë kryer nga dhe për diasporën shqiptare;
  9. Të shikohen mundësitë për të arritur marrëveshje mirëkuptimi me shtetet pritëse për njohjen e patent shoferëve nga Kosova;
  10. Njohja e shtazit të punës si dha lejimi i bartjes së mjeteve nga trusti për në vendin ku jetojnë bashkëatdhetarët;
  11. Institucionet shtetërore dhe zyrtarët të përceptojnë, trajtojnë dhe pranojnë pjesëtarët e diasporës si pjesë përbërëse e Kosovës jo si të huaj që duhet të integrohen në shoqërinë Kosovare.

Organizata jo-qeveritare GERMIN, pjesë e grupit punues për hartimin e Strategjisë për Diasporën (2019-2013) dhe Planit të Veprimit (2019-2021), është duke realizuar një seri diskutimesh virtuale me pjesëtarë të Diasporës për të pranuar rekomandime dhe komente nga komunitetet e Diasporës gjatë hartimit të këtij dokumenti.