Shteti i Kosovës nuk ka ofruar politika dhe programe për angazhimin e Diasporës

Shkruan: Lira Haxhijakupi

Angazhimi i diasporës në politikëbërje nuk mund të arrihet pa realizimin e të drejtave politike të kësaj pjese të shoqërisë e cilat jeton dhe vepron jashtë shtetit amë.  Me legjislacionin aktual, Republika e Kosovës obligohet që përmes Kushtetutës së vendit dhe poashtu përmes nenit 45 të garantojë të drejtën zgjedhore dhe të pjesëmarrjes për të gjithë shtetasit dhe jo shtetasit brenda dhe jashtë vendit.

Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migrim (IOM) rreth 800,000 kosovarë jetojnë jashtë territorit të Kosovës. Sipas UNDP, rreth 330,000 prej tyre kanë të drejtë vote, e në zgjedhjet e fundit parlamentare në vitin 2017, në KQZ kanë arritur 20,354 aplikacione për regjistrim, nga 57 shtete, duke i përfshirë edhe kombësitë e tjera joshqiptare. Sidoqoftë, prej tyre vetëm 5.246 kanë votuar në zgjedhjet parlamentare nga 5,949 që i dërguan fletëvotimet.

Takimet, grupet të fokusit dhe anketat e realizuara nga organizata Germin sugjerojnë  që procedurat për votim jashtë vendit janë shumë të ndërlikuara dhe jo të përshtatshme për shumicën e personave që jetojnë në diasporë.

Tema e pjesëmarrjes së diasporës në zgjedhje, si dhe çështjet e tjera të cilat synojnë të promovojnë të drejtat politike e sociale – të bazuara edhe në Strategjinë për Diasporën 2013-2018, u diskutuan gjatë një takimi virtual, organizuar nga Germin. Qëllimi për këtë bashkëbisedim ishte të pranohen rekomandimet e pjesëtarëve të Diasporës gjatë hartimit të Strategjisë së re pesë vjeçare për Diasporën (2019-2023).

Ky diskutim ishte vazhdimësi e aktivteteve në kuadër të projektit Angazhimi i Diasporës për Zhvillimin e Politikave. Panelistët e këtij takimi ishin Brikena Muharremi – avokate dhe themeluese e shoqatës së avokatëve shqiptaro-britanik, Britania e Madhe; Florim Kadriu – anëtarë i Partisë Social Demokrate dhe sindikatës UNIA, Zvicër; Lulzim Veliu – themelues dhe drejtues i shoqatës “Identitete e.V.,Gjermani; Ganimet Bajraktari – aktiviste dhe defektologe, Austri; Besnik Kelmendi – Përfaqësues i organizatës “Bashkësia Shqiptare”, Gjermani; Osman Osmani – Sekretar Nacional për Migrim në Sindikatën UNIA, Zvicër; Ruzhdi Ibrahimi – ekspert i sigurimeve shoqërore, Zvicër, si dhe kryesuesi për Projekt strategjinë nga ana e MDIS z. Behar Isma.

A duhet të përshihet diaspora në politikëbërje? A duhet të jetë procesi i regjistrimit të diasporës një proces i vazhdueshëm? Cfarë duhet bërë që të kemi të dhëna më të sakta për diapsorën tonë? Cfarë duhet bërë që të rritet pjesëmarrja e Diasporës në zgjedhje dhe sigurimet shoqërore? Këto ishin disa nga temat që  panelistët shtjelluan dhe dhanë rekomandime se si mund të adresohen këto çështje në të ardhmen.

Të gjithë panelistët theksuan që përkundër rolit të rëndësishëm që diaspora ka luajtur në zhvillimin e Kosovës, qeveritë që nga paslufta nuk kanë ofruar politika dhe programe që mundësojnë angazhimin e tyre. Për këtë arsye, ata ofruan disa rekomandime dhe programe që avancojnë të drejtat e tyre politike e sociale në atdhe.

Rekomandimi i parë  ishte që me Strategjinë e re (2019-2023) të ofrohet baza e nevojshme ligjore për përfaqësimin e Diasporës në Kuvend apo edhe në institucionet shtetërore. Gjithashtu, u propozua që institucionet përgjegjëse duhet inicuar formimin e  Këshillit Kombëtar të Diasporës, si një komitet përfaqësues i pjesëtarëve të Diasporës.  Pasi që e drejta për t’u zgjedhur është e pandarë nga e drejta për të zgjedhë, panelistat shtuan që për fat të keq, votuesit nga diaspora hasin në shumë sfida gjatë procesit të votimit nga jashtë.

E drejta e votës, pra përmirësimi i procesit për votim jashtë vendit ishte një nga kërkesat kryesore në kuadër të konferencës Diaspora Flet që u mbajt në Prishtinë me 17-20 maj, 2018. Fatmirësisht kësaj rradhe kjo kërkesë nuk ra në vesh të shurdhër dhe pikërisht në muajin tetor, një prej anëtarëve të Komisionit parlamentar për Legjislacion, ka propozuar iniciativën Legjislative për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, me qëllim që të mundësohet dhe lehtësohet votimi nga bashkëatdhetarët tanë që jetojnë anë e mbanë botës.

Sa i përketë procesit të regjistrimit të diasporës, u tha që ky proces duhet të jetë i vazhdueshëm (fizikisht dhe online) sepse diaspora është dinamike dhe në lëvizje të përhershme. Gjithashtu ka mungesë të informacionit rreth regjistrimit, prandaj duhet të gjinden mënyra të informimit më të gjerë dhe inkurajim i diasporës për t’u regjistruar, sidomos duke i njoftuar që mbledhja dhe përpunimi i të dhënave mbi diasporën ka për qëllim krijimin e një pasqyre më të saktë mbi pjesëtarët e Diasporës.

Sa i përket marrëveshjeve për sigurimet shoqërore nga diaspora, shteti ynë deri më tani ka nënshkruar vetëm dy marrëveshje të Sigurimeve Pensionale, me Zvicrën dhe Belgjiken, ndërsa për vendet tjera nuk është bërë ende asgjë.

Poashtu, duhet të rritet vetëdijësimi i anëtarëve të diasporës për kushtet dhe rrethanat e marrëveshjeve për sigurimet pensionale pasi që ka mungesë të informimit adekuat për personat të cilët kanë nevojë për një gjë të tillë;

Në fund të takimit panelistët morrën premtimet se MDIS do bëjë më të mirën në dobi të anëtarëve të diasporës dhe se do mundohet të adresojnë kërkesat dhe rekomadimet që ata i kanë. Se a do realizohen të pakten një pjesë e kërkesave të tyre mbetet pikëpyetje e madhe bazuar në përvojat e deri tanishme.

“Ky shkrim është pjesë e serive të takimeve virtuale,  si pjesë e projektit Angazhimi i Diasporës për Zhvillim të Politikave,  realizuar me përkrahjen e projektit Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF). Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e Germin dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i SDC-së, DANIDA-së apo KCSF-së.”

Lira Haxhijakupi është menaxhere e Shkollës së Diasporës në Kosovë, një program multi-disiplinar që ofron GERMIN për profesionitët e rinjë. Ajo ka diplomuar në Marketing në Universitetin e Prishtinës dhe ka punuar për një numër institucionesh në Kosovë, duke përfshirë Shoqatën e Bankave të Kosovës dhe Trustin e Kursimeve Pensionale në Kosovë. Ka njohuri të gjera në punë me sërë komunitetesh falë angazhimit të saj me një firmë konsultimi në Prishtinë për më shumë se tre vite.