Pyetjet më të shpeshta: Konferenca “Diaspora Flet” në Prishtinë

Si bëhet regjistrimi në konferencën “Diaspora Flet”, dhe kur është afati i fundit për aplikim? Ju mund të regjistroheni duke klikuar në këtë vegëz. I tërë procesi i regjistrimit ju merr më pak se 60 sekonda kohë. Regjistrimi është FALAS. Pas plotësimit të formës së regjistrimit, stafi i Germin do të ju kërkojë informata shtesë përmes email-it. Afati i fundit për t’u regjistruar është 4 maj 2018, ora 23:59.

Kur dhe ku do të mbahet konferenca “Diaspora Flet”?
Konferenca do të mbahet nga 17 deri më 20 maj 2018, në Prishtinë – kryeqytetin e Republikës së Kosovës.

A duhet të regjistrohem edhe për sesionet/panelet specifike që dua t’i përcjellë?
Po. Pas regjistrimit për konferencën ju duhet të bëni një regjistrim për sesionet specifike që ju keni interesim që t’i ndiqni gjatë ditës së tretë. Të gjitha këto materiale do t’ju dërgohen përmes email-it nga stafi i Germin, pasi që të keni përfunduar regjistrimin fillestar.

A mund të më mbuloj koston e fluturimit dhe akomodimit, Germini?
Pjesëmarrja në konferencën “Diaspora Flet” është PA PAGESË, dhe Germin ofron sesionet, vizita në teren, vizita në komuna, aktivitetet kulturore, materialet, drekat, darkat dhe pauzat e kafesë gjatë sesioneve. Germin, përkundër dëshirës, nuk ka mundësi që të mbulojë shpenzimet e transportit dhe akomodimit duke marrë parasysh numrin e madh të pjesëmarrësve.

Cilat janë mundësitë e transportit nga Aeroporti “Adem Jashari” për në hotel?
Transporti nga aeroporti për në hotel mund të bëhet me radio taxi. Kostoja për një drejtim kushton 15 EUR (Airport – Prishtinë). Germin ka marrëveshje me kompaninë Golden Taxi, të cilët ofrojnë transportin me çmim prej 12 EUR për një drejtim për të gjithë pjesëmarrësit e konferencës “Diaspora Flet”.

Cilat hotele ofrojnë zbritje të veçantë për pjesëmarrësit e konferencës?

Këto janë hotelet me të cilat Germin ka marrëveshje për zbritje: Kodi i zbritjes: DiasporaFlet 18

A do të zhvillohen të gjitha aktivitetet në Prishtinë? Aktivitetet e tre ditëve të para të konferencës do të zhvillohen në Prishtinë, kurse aktivitetet e ditës së katërt – dita e komunave (e diel) do të mbahen në tri komuna (Kamenicë, Mitrovicë, dhe Prizren).

Kur bëhet regjistrimi pas arritjes në Prishtinë?
Regjistrimi për konferencë pas arritjes në Prishtinë do të bëhet të enjten më 17 maj 2018, duke filluar nga ora 17:00 deri në orën 18:30. Në momentin që regjistroheni, ju do të merrni çantën e konferencës, me bexhin tuaj identifikuese për konferencë të personalizuar, si dhe materialet tjera që ndërlidhen me konferencën.

Në çfarë kohe fillon ceremonia e hapjes së konferencës?
Ceremonia e hapjes do të mbahet më 17 maj 2018, duke filluar nga ora 19:00.

Unë jam alergjik në ushqim (produkte të caktuara), jam vegjetarian/e, vegan/e, a kam mundësi të zgjedhjes së ushqimeve?
Germin gjatë ceremonisë së hapjes dhe gjatë ditëve sa do të zgjasë konferenca do të shërbejë në formatin e tavolinës suedeze, ku ju do të keni mundësi të përzgjedhni edhe ushqim për vegjetarian dhe vegan, po ashtu do jemi të kujdesshëm për ato produkte në të cilat pjesëmarrësit kanë alergji.

Për persona që agjërojnë muajin e shenjtë të Ramazanit, a ka ndonjë agjendë të veçantë sa i përket ushqimit?
Nëse agjëroni, ju lutemi na informoni paraprakisht dhe ne do të ju rekomandojmë disa nga restaurantet ku ofrohet ushqim sipas orarit të Ramazanit.

A kemi të drejtë të jemi pjesë e diskutimeve, paneleve/sesioneve?
Konferenca “Diaspora Flet” është hapësirë e juaja ku ju do të keni mundësi të diskutoni, ti shprehni mendimet dhe rekomandimet tuaja në lidhje me temat që do të diskutohen.

Cili është kodi i veshjes?
Kodi i veshjes gjatë konferencës do jetë formal-biznesor, i përshtatshëm për formatin e konferencës.

Cilat janë aktivitetet/ngjarjet në të cilat pjesëmarrja është e domosdoshme dhe cilat janë opsionale?

Në të gjitha sesionet pjesëmarrja juaj është obligative, kurse prezenca juaj në vizitat kulturore është e rekomandueshme.