Ratifikimi i vonuar i marrëveshjes për sigurime shoqërore vazhdon diskrimininim e punëtorëve mërgimtarë
Shkruan: Dafina Halili
Mijëra kosovarëve që kanë punuar në Zvicër, por janë rikthyer në vendin amë, ende vazhdohet t’iu mohohet e drejta në pensionet e tyre të pleqërisë, derisa pritet ratifikimi i marrëveshjes së re për sigurime shoqërore. Mbi 5,000 kosovarë që kanë vendosur të kthehen në Kosovë pas dekadave të punës në Zvicër, ende nuk e kanë mundësinë e bartjes së përfitimeve në të cilat kanë të drejtë në rast të ndonjë rreziku, edhe pse rregullisht kanë paguar kontributet në arkat e sigurimeve shoqërore. Për më tepër, që nga e njëjta kohë nuk i’u paguhen as shtesat familjare dhe ato të fëmijëve të jetojnë në Kosovë.
Muaji qershor i vitit 2017, e pa arritjen e marrëveshjes për sigurime shoqërore në mes delegacioneve teknike të Kosovës dhe Zvicrës, duke dhënë shpresë se problemit shtatë vjeçar po i vie fundi. Por, derisa ende mbeten shumë paqartësi se kur marrëveshja bilaterale do të rafitikohet, sindikalistët dhe aktivistët nga diaspora vazhdojnë të kenë pikëpyetje për rolin e qeverisë së Kosovës për ta çuar procesin përpara. Invalidët e punës, dhe qytetarët që kanë punuar me vite të tëra në Zvicër dhe që janë larguar nga ky vend para moshës së pensionimit, mbesin më të prekurit nga mos qasja në sigurimet shoqërore.
Në vitin 2010, shteti zviceran njoftoi se marrëveshja ndërshtetërore për sigurime shoqërore me ish-Jugosllavinë nuk do të zbatohet më në raport me Kosovën. Qëllimi i marrëveshjeve të tilla ndërshtetërore synon trajtimin e barabartë e njerëzve që banojnë në një vend dhe kryejnë veprimtari ekonomike në vendin tjetër. Kështu çdo person që kryen aktivitet ekonomik në Zvicër i nënshtrohet një sigurimi shoqëror në përputhshmëri me legjislacionin e vendit. Për shembull, nëse një punëtor në rast të një invaliditeti ose rreziku tjetër nuk ka mundësi të vazhdojë aktivitetin ekonomik ai ka të drejtën në përfitime si formë pensioni, që bartet në vendin amë apo në cilindo vend tjetër të botës ku personi vendos të kthehet. Zvicra ka të nënshkruara mbi 40 marrëveshje me BE-në dhe shtetet e krijuara nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë duke i garantuar të gjithë qytetarët e këtyre vendeve të kenë të drejtën në eksportimin e përfitimeve në fjalë nëpër gjithë botën.
Marrëveshja Kosovë-Zvicër, e njohur ndryshe si ‘marrëveshja në mes të pensioneve”, u ndërpre me 1 prill të vitit 2010 duke i’u shkelur të drejtën shumë kosovarëve të marrin pensionin, dhe përfitime tjera nga sigurimet shoqërore. Ndërprerja e marrëveshjes kryesisht ka qenë rezultat i lobimit të Partisë Popullore Zvicerane (SVP), për t’i dhënë fund marrëveshjeve të sigurimeve shoqërore me vendet e ish-Jugosllavisë. Partia populliste e djathtë, e zëshme në avokimin kundër imigrantëve e bazonte presionin e vet politik duke u thirrur në keqpërdorime të pensionit të invaliditet nga punëtorët mërgimtarë. Në fakt SVP-ja asnjëherë nuk kishte arritur t’i dëshmojë këto keqpërdorime.
Gjatë këtyre viteve, përkundër kërkesave të shumta të qytetarëve të dëmtuar, zëri i të cilëve shpesh është përfaqësuar nga aktivistët e diasporës, e në veçanti nga sindikalistët e UNIA-s – Sindikatë për të drejtat e punëtorëve me bazë në Zvicër – Qeveria e Kosovës kishte ngecur ta trajtojë si prioritet përtëritjen e marrëveshjes së re. Vetëm pas shtatë viteve, delegacionet teknike të Kosovës dhe Zvicrës përfunduan negociatat dhe miratuan tekstin final të marrëveshjes bilaterale për sigurimet sociale. Madje, ndër vite ishin sindikalistët e UNIA-s ata të cilët morën edhe barrën e informimit mbi çdo proces të marrëveshjes, ose në formë të komunikatave për media, apo tubimeve informuese.
Qeveria e Kosovës në vazhdimësi ka shkaktuar zemërim të aktivistëve mërgimtarë, duke dështuar të përfshijë ekspertë të diasporës si bashkëpunëtorë gjatë procesit të negociatave me shtetin zviceran. Ndërkohë, anëtarë të Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale po ashtu kanë kritikuar qeverinë që nuk po shpërfill rekomandimet e ndryshme në lidhje me marrëveshjen të nxjerra nga legjislatura e katërt e Kuvendit të Kosovës.
Edhe pse në qershor Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale pati deklaruar se do të vazhdojë të punojë me ritëm të shpejtuar që kjo marrëveshje të kalojë procedurat e nevojshme dhe të ratifikohet sa më shpejtë, data e hyrjes së marrëveshjes në fuqi vazhdon të jetë pikëpyetje.
Ky editoriali është shkruar si rezultat i diskutimit virtual me akterët kryesor në procesin e marrëveshjes për sigurime sociale, të organizuar nga organizata Germin, e cila shpesh përdor kanalet virtuale për të përfshirë diasporën në proceset e demokratizimit të vendlindjeve të tyre në Ballkanin perëndimor.
Ky botim është realizuar me përkrahjen e projektit Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë (SCO-K) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF). Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e Germin-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i SCO-K-së, DANIDA-së apo K