Refuzimi i pakove nga diaspora cenon të drejtat zgjedhore të diasporës – Zgjedhjet 2019

Organizata GERMIN, gjatë monitorimit të procesit të pranimit dhe verifikimit të pakove të votave të dërguara përmes postës për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Kosovës, ka vërejtur se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i ka kualifikuar si të papranueshme 4639 pako nga diaspora që kanë arritur në adresë të KQZ-së pas datës 5 tetor. Pakot e fletvotimeve që nuk janë pranuar janë nisur me postë para afatit të vendosur nga KQZ, rreth 2 javë para datës së zgjedhjeve (19 shtator deri 5 tetor) që mund të shihet në bazë të datës së dërgesës.  

Vonesa në arritjen e pakove para datës së zgjedhjeve nuk është përgjegjësi e votuesve nga diaspora, por pasojë e faktorëve objektiv ndaj të cilëve votuesi nga diaspora nuk ka pasur mundësi ndikimi. Arsyet e arritjes me vonesë të këtyre pakove kanë të bëjnë me probleme të paparalajmëruara teknike gjatë dërgesave postare. Në këtë drejtim ne konsiderojmë që ka ndikuar edhe falimentimi i kompanisë ajore “Adria Airways” gjatë kësaj kohe, e cila në shumë raste bën transportin e dërgesave postare, sidomos prej shteteve evropiane.

Mospranimi i votave të pjesëtarëve të diasporës përbën cenim të së drejtës kushtetuese për të votuar. Ky veprim shkel parimin e barazisë së votës sipas të cilit, e drejta e votës nuk nënkupton vetëm të drejtën për të votuar por edhe të drejtën e efektit të barabartë të votës me votat e qytetarëve të tjerë të Republikës. Prandaj, GERMIN kërkon nga KQZ që të vlerësohen dhe numërohen edhe këto pako që kanë arritur pas afatit përfundimitar të 5 tetorit. Trajtimi i votave përmes postës të cilat kanë arritur pas afatit përfundimtar nuk është praktikë e panjohur në Kosovë. KQZ edhe në zgjedhjet e kaluara ka pranuar votat përmes postës të cilat kanë arritur me vonesë. Mungesa e një vendimi nga ana e KQZ-se lidhur me këtë çështje të ngritur vazhdimisht nga GERMIN rezulton në mohim të kundërligjshëm të të drejtave zgjedhore të votuesve nga diaspora, rregullsia e votës së të cilëve nuk po konstatohet nga KQZ, sepse ato apriori po shpallen të papranushme për shkak të një faktori të jashtëm.

Prandaj, GERMIN ju bën thirrje ta nënshkruani këtë peticion drejtuar KQZ-së, për të trajtuar pakot me fletëvotime nga diaspora.

*** 

GERMIN është organizatë joqeveritare që mbështetë parimet dhe idealet e saj në besimin se diaspora luan rol të gjerë dhe proaktiv në zhvillimin pozitiv të vendeve të Ballkanit Perëndimor, aty ku jetojnë shqiptarët.