Remitancat si mjet zhvillimi
Shkruan: Fjolla Vukshinaj
Dërgesat e migrantëve janë një mjet fuqizimi, të cilat mund të nxisin rritjen ekonomike në sektore të ndryshme si edukimi, shëndetësi, turizëm, etj. Megjithatë, përkundër domethënies që dërgesat kanë, kontributi i diasporës është shpërfillur në debatin formal rreth zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik. Në të njëjtën mënyrë ekzistojnë disa mekanizma që lejojnë dërguesit dhe marrësit e remitancave të angazhohen me aktivitetet e zhvillimit në një nivel formal.
Që nga viti 2008 deri në vitin 2017 në Kosovë janë pranuar mbi 6 miliardë euro, që i bie sa tri herë buxheti i Kosovës për vitin 2019 (Buxheti i Kosovës për vitin 2019, sipas projektimit aktual të tij, pritet të arrijë vlerën 2.3 miliardë euro). Bazuar në këto shifra, del se remitancat e pranuara kanë ulur dukshëm hendekun mes shtresave ekonomike në vend dhe kanë zbutur pasojat e politikave jo të përshtatshme ekonomike e sociale. Deri në shtator të vitit 2018, në Kosovë u pranuan 588 milionë euro, apo përafërsisht rreth 65,3 milionë euro çdo muaj. Kjo shifër korrespondon 2 herë më e madhe se buxheti i Kosovës për arsimin para-universitar vetëm gjatë vitit 2019.
Pjesa më e madhe e dërgesave në vitin 2016 kishin origjinën nga Gjermania, Zvicra, Italia, Austria etj. Sipas Institutit amerikan kërkimor Pew Research Center, në bazë të komuniteteve që jetojnë në Gjermani diaspora nga Kosova renditet e 20, duke dërguar rreth 344 milionë dollarë në vendin e origjinës. Ndërsa, pjesëtarët e Diasporës në Zvicër dërguan në Kosovë 274 milionë dollarë, duke u renditur të 9, pas komunitetit belgë dhe atij serbë.
Burimi: Pew Research Center – Shuma e remitancave e pranuar në Kosovë, krahasim me komunitetet e tjera të cilat dërguan dërgesa në vendin e tyre amë. Pjesa e tretë e tabelesë shfaq totalin e remitancave të dërguar në gjithë botën.
Por, përderisa remitancat vazhdimishit kishin trend të rritjes në Kosovë, ato asnjëherë nuk u panë si mundësi e zhvillimit ekonomik, të cilat ishin të shpërndara duke u përdorur kryesisht në konsum. Në anën tjetër, shumë shtete botërore si Izraeli, India, Meksika,kanë realizuar strategji kombëtare për kanalizimin e remitancave. Banka Botërore dhe disa qeveri afrikane janë vetëdijesuar për potencialin e madh zhvillimor të remitancave për të përfituar ekonomitë kombëtare. Në këtë rast, Qeveria Keniane ka krijuar bonat e diasporës përmes të cilës paratë e dërgesave mund të investohen në projekte specifike. Edhe Kosova në vitin 2016 kishte prezantuar planin për bonat e diasporës, e cila me siguri ka mbetur në sirtarin e ish-ministrit të Financave. Një tjetër metodë që Kenja dhe Tunezia kanë përdor është sistemi M-PESA, që lejonë paratë të transferohen përmes telefonave celularë, me një kosto të vogël, pa pasur nevojë për llogari bankare. Sa për ilustrim, vetëm në dy javët e para të lansimit, ishin rreth 10.000 përdorues të cilët transferuan më shumë se 100.000 dollarë. Sa për informatë, edhe Shqipëria në vitin 2015 e kishte adaptuar këtë aplikacion.
Kësioji, Qeveria e Kosovës duhet të adaptojë një Plan të Veprimit për kanalizimin e remitancave. Më poshtë janë dy hapa që mund të ndihmojnë në kanalizimin e remitancave:
- Zgjerimi i mundësive digjitale: Për të kanalizuar remitancat në investime, qasja në shërbimet financiare formale duhet të zgjerohet. Një nga mënyrat për të tërhequr remitancat në sistemin financiar formal është përmes financimit digjital. Një metodë është sistemi që Kenia e ka përdoruar përmes M-PESA, apo si Bangladeshi me sistemin e quajtu “bKash”, që tani ka 15 milionë klientë të regjistruar dhe transaksione mesatare ditore prej 26 milionë dollarë. Kësisoj do të zvogëlohen edhe tarifat e dërgesave bankare;
- Letra me vlerë dedikuar diasporës (Bonat): Përmes letrave me vlerë, bashkëatdhetarët mund të kenë afat maturimi deri në disa vite, me mundësinë që investimi të shitet nëse paraqitet nevoja. Kësisoji, do të ofrohen mundësitë që pjesëtarët e Diasporës t’i investojnë kursimet e tyre në Kosovë, në projekte të ndryshme.
***
Fjolla Vukshinaj është politologe. Ajo ka përfunduar studimet baçelor në drejtimin e Shkencës Politike në Universitetin e Prishtinës dhe po i vijon studimet master në drejtimin Integrime Europiane dhe Administratë Publike po në njëjtin universitet.Ajo ka një eksperiencë në menaxhimin e projekteve dhe në fushën e marrëdhënieve me publikun. Fjolla i është bashkuar ekipit të Germin-it si Koordinatore e Programit Dialogu i Strukturuar për të Drejtat e Diasporës.
Vështrimet dhe mendimet e shprehura në këtë shkrim nga autorja janë krejtësisht personale dhe nuk pajtohen doemos me qëndrimet e Germin-it.