Ruajtja e Identitetit dhe Fuqizimi i Lidhjeve me Diasporën [Rekomandime]
Më 17 shtator 2018, organizata jo-qeveritare Germin, në kuadër të iniciativës Angazhimi i Diasporës në Zhvillimin e Politikave, pjesë e Diaspora Flet ka mbajtur takimin virtual me temën “Ruajtja e Identiteti dhe Fuqizimi i lidhjeve me Diasporën ”, kapitull i Strategjisë për Diasporën 2013-2018.
Paneli diskutues: 1. Muhamet Idrizi – mësues i gjuhës gjermane, shkencës politike dhe etikës, Gjermani; 2. Adriana Veseli – përfaqësuese e shoqatës shqiptaro-gjermane, Münsterländ e.V., Gjermani; 3. Petrit Kuçana – themelues dhe drejtues i platformës “The Albanian” Britani e Madhe; 4. Naxhije Bujupi – drejtuese e platformës “TASH” e.V., Gjermani; 5. Mimoza Leka – mësuese e mësimit plotësues dhe përfaqësuese e shoqatës kultutore shqiptare RBK e.V., Gjermani; 6. Avdyl Lipoveci – Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike, udhëheqës i departamentit për ruajtjen dhe kultivimin e arsimit dhe kulturës në Diasporë.
Mësimi plotësues jashtë vendit, promovimi i identitetit shtetëror, avancimi i rolit të mediave dhe roli i studentëve nga Diaspora ishin temat e diskutimit të cilat u trajtuan nga paneli diskutues. Gjuha, edhe pse mbetet një ndër faktorët për mbijetesën e komunitetit jashtë Kosovës, vitet e fundit ky proces është përballur me shumë sfida dhe përgjegjësi. Në anën tjetër, duke e konsideruar diasporën, si shtyllë mbështetëse për zhvillim ekonomik për një kohë të gjatë për vendin tonë, ruajta dhe forcimi i lidhjeve vazhdon të mbetet shumë i rëndësishëm për të dy palët. Bazuar në situatën e tanishme, mësimi plotësues i gjuhës amtare në Diasporë, ka ende probleme serioze, kryesisht ato kanë të bëjnë me mbulimin financiar të këtij programi dhe kualifikimin adekuat të mësimdhënësve të mësimit plotësues. Përveç mësimi plotësues, u potencua edhe rëndësia e themelimit të një kanali të veçantë për Diasporën në bashkëpunim me Shqipërinë dhe Maqedonin; problemet me nostrifikimin e diplomave; mos-përkrahja e shkencëtarëve dhe hulumtuesve nga Diaspora; nevoja për librat elektronik e të tjera.
Rekomandimet e dala nga ky diskutim:
Me qëllim të përfshirjes së një numri më të madh të pjesëtarëve të diasporës në mësimet plotësuese të gjuhës amtare të:
1. Të përditësohen librat dhe materialet e tjera pedagogjike për arsim bazuar në nevojat e gjeneratave të ndryshme, dhe kësisoj programi të zhvillohet me metoda dhe mjete duke ju përshtatur niveleve të ndryshme të arsimimit, në mësimdhënie dhe mësimnxënie;
2. Të hapen më shumë shkolla shqipe në Diasporë, sidomos në ato vende ku kemi më së shumti pjesëtarë të Diasporë, dhe kështu të promovohet hapja e shkollave të reja;
3. Të krijohet një platformë për libra elektronik, e përditësuar dhe e mirëmbajtur;
4. Të caktohen kriteret për mësimdhënësit e mësimit plotësues, financimin e proce, pagesat për mësuesit dhe kompetencat e tyre;
5. Qeveria e Kosovës dhe Shqipërisë të dërgojë atashe/koordinator në vendet pritëse, të cilët do të kujdesen për mbarëvajtjen e mësimit plotësuese në Diasporë;
6. Të nënshkruhen marrëveshje bilaterale në mes të Kosovës dhe shteteve pritëse ku jetojnë pjesëtarët e Diasporës për organizimin e mësimit plotësues dhe kësisoji të lobohet që gjuha shqipe të futet në shtetet përkatëse sikurse gjuha frenge, angleze, etj;
7. Të krijohet një listë e gjithë mësimdhënësve nëpër shtetet përkatëse nga konsullatat dhe kjo të jetë publike;
8. Përzgjedhja e mësimdhënësve për mësim plotësues të bëhet nga dy ministritë (Kosovë dhe Shqipëri);
9. Të ofrohen trajnime për ngritjen e kapaciteteve për mësimdhënësit edhe nëse nuk ka pagesë;
10. Në organizimin e ngjarjeve të përbashkëta mes qeverive të vendeve amë si p.sh Samiti i Diaporës të trajtohet sa më shumë çështja e mësimit plotësues; 11. Shërbimet diplomatike në vendet pritëse të promovojnë avancimin e mësimit plotësues në Diasporë;
11. Shërbimet diplomatike në vendet pritëse të promovojnë avancimin e mësimit plotësues në Diasporë;
Avancimi i rolit të medieve në fuqizimin e lidhjeve me Diasporën:
1. Krijimi dhe përditësimi i databazës së mediave aktive në Diasporë, si gazetat, faqet e internetit, televeizionet, portalet etj dhe kështu të krijohet një platformë publike me të dhënat e tyre;
2. Ndryshimi i ligjit për transmetuesin publik (RTK-në), të përcaktojë hapjen e një kanali të veçantë për Diasporën;
3. Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike të hartojë buletin informativ së paku një herë në muaj;
4. Të krijohet një program për Disporën i përbashkët nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia;
5. Lidhja e marreveshjeve të reja me shtete e tjera për hapjen e një kanali të veçantë për diasporën;
Roli i studentëve nga Diaspora:
1. Të thjeshtësohet procesi i nostrifikimit të diplomave;
2. Të caktohen kushtet të njejta për anëtarët e Diasporës sikurse për qytetarët e Kosovës për Seminarin e Albanologëve që organizohet nga Fakulteti Filologjik/Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”. Poashtu, të zhvillohen më shumë vizita të albanologëve në Diasporë, të cilët mund të ofrojnë ligjerata dhe fjalime për komunitetin;
3. Të krijohen mundësitë për anëtarët e Diasporës që të studiojnë me korrespondencë në Universitetin e Prishtinës dhe në universitet e tjera publike të Kosovës;
4. Qeveria e Kosovës dhe Shqipërisë të përkrahë projektet e shkencëtarve dhe hulumtuesve në fushën e arsimit plotësues në Diasporë;
5. Të bëhet më shumë promovim dhe njoftim për mundësitë e bursave për studentët nga Diaspora përmes video-kampanjave, rrjeteve sociale, buletinëve informative, etj.
Organizata jo-qeveritare GERMIN, pjesë e grupit punues për hartimin e Strategjisë për Diasporën (2019-2013) dhe Planit të Veprimit (2019-2021), është duke realizuar një seri diskutimesh virtuale me pjesëtarë të Diasporës për të pranuar rekomandime dhe komente nga komunitetet e Diasporës gjatë hartimit të këtij dokumenti.