Samiti i Diasporës II

Germin mori pjesë në Samitin e Dytë të Diasporës të mbajtur në Tiranë, nga 28 Shkurt – 2 Mars 2019. 

Germin qëndron pas mendimit që organizimi i ngjarjeve të tilla në të ardhmen duhet të bëhet nga vetë Diaspora me mbështetje dhe lehtësim nga institucionet shtetërore dhe organizatat tjera në vend. Poashtu, ne e shohim si shumë të rëndësishme të ketë më shumë diskutime ku trajtohen çështjet që lidhen me Diasporën në organizime të tilla dhe më pak aktivitete promovuese nga shtetet amë.

Ne rekomandojmë që Diaspora të përfshihet si agjent kyç i ndryshimeve, të ngrihet një grup punues për të udhëhequr vazhdimsinë e Samitit që të arrihen rezultate konkrete. Ne do të përcjellim me vëmendje hapat që do të ndërmerren pas Samitit të Dytë dhe zhvillimet në strategjinë e Diasporës.

Gjatë ngjarjes tre-ditore, Germin është munduar të përçojë frymën e bashkëpunimit dhe të avancojë koordinimin me qëllim të angazhimit më të madh të Diasporës. Ne falënderojmë të gjithë pjesëmarrësit, në veçanti ata që na vizituan, kontribuan dhe u njoftuan me ne, në këndin tonë në Expo City. Një falënderim shkon edhe për anëtarët e Germin, të cilët vazhdojnë të punojnë pandalur, për çka u vlerësuan edhe nga Ministri Majko me çmimin “Ambasador i Kombit”.