Sërish një beatifikim edhe për botën shqiptare

Kopi Kyçyku,

President i Shoqërisë Kulturore Shqiptare Haemus,

Kavalier i Shën Silvestrit Papë,

Fitues i Shqiponjës së Artë “Zëri i Komunitetit në Diasporë”

Ftesa historike dhe pjesëmarrja e kreut të Kishës Ortodokse, Patriarkut Bartolomeu, në ceremoninë e fronëzimit në Vatikan të Papës Françesk I, nuk vonoi të pasohej nga një ngjarje tjetër, gjithaq e rëndësishme: nënshkrimi i dekretit për beatifikimin e Monsinjorit Vladimir Gjika, mistik i shquar, filozof i fesë, i martirizuar në burgjet komuniste të Rumanisë më 16 maj 1954.

Një ndër detyrat thelbësore, që i caktoi vetes qysh në ditën e themelimit të saj, Shoqëria Kulturore Shqiptare Haemus, me seli qendrore në Bukuresht, ishte dhe mbetet qëmtimi, hulumtimi, vlerësimi dhe popullarizimi i personaliteteve të shquara me prejardhje shqiptare, në të gjitha fushat e veprimtarisë njerëzore.

Një nga këto figura është Monsinjori Vladimir Gjika, pinjoll i një familjeje famëmadhe, nga gjiri i së cilës kanë dalë personalitete të shquara, ndër të cilët sundimtari Grigor Gjika, diplomati dhe ish-kryeministri Jon Gjika (1816-1897), intelektualja e përmasave evropiane Elena Gjika (1828-1888), alias Dora D’Istria, princi Albert Gjika (1868-1925), drejtues i një kongresi mbarëshqiptar dhe nismëtar qysh më 1905 i një projekti për shqyrtimin e mundësive të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë pa përjashtuar kryengritjen e armatosur etj.

Pas një pune të gjatë këmbëngulëse dhe sistematike, doktori i shkencave Ardian Kyçyku, Ambasador i Kombit, përgatiti një numur të madh materialesh, një pjesë e të cilave nisi të botohej qysh nga janari i vitit 2007 në organe të ndryshme shtypi në Rumani, Shqipëri , Kosovë e Mërgatë, dhe u paraqit në simpoziume shkencore në Evropën Perëndimore, si, fjala vjen, në Tubimin Ndërkombëtar „Evropa. Ëndrra dhe trauma”, mbajtur në Kështjellën Seggau, pranë qytetit Lajbnic (Austri), më 24-26 maj 2007, me pjesëmarrjen e një numuri të madh personalitetesh të shkencës e të politikës botërore, mes të cilëve Presidenti i atëhershëm i Parlamentit Evropian, Hans-Gert Poettering, Komisarja Evropiane Benita Ferrero-Waldner, Peshkopët Josef Homeyer dhe Egon Kapellari, mendimtari Jeremy Rifkin, tre nga rektorët e Universiteteve të Grac-it etj.

Duke pasur parasysh madhështinë e veprës së Monsinjorit Vladimir Gjika, Shoqëria Kulturore Shqiptare Haemus i sugjeroi Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Bukuresht që, me rastin e 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Atdheut  t’i akordohej nga President i Republikës  një titull, ose të dekorohej.

Në vazhdim, po riprodhojmë një nga esetë e Profesor Doktor Ardian Kyçykut.

Lulja dhe dora që e këput

(Mbi jetën dhe flijimin e Monsinjor Vladimir Gjikës)

Moto: “Vdekje dhe pluhur, bekojeni Zotin. Bekoje Zotin ti, vdekja ime, kalbja ime, bekojeni Zotin! Gjëra që do të lindeni prej meje kur unë s’do të jem në këtë botë, bekojeni Zotin! Heshtje rreth kujtimit tim, bekoje Zotin edhe ti… Shpirti im, që s’duhet të vdesësh ndonjëherë, thirre përjetësinë tënde tashmë të filluar, tek bekon, qysh nga ky çast, Zotin!”

Monsinjor Vladimir Gjika

Një pikë gjaku që mund të lëvizë mendësinë

Nuk dihet me saktësi, por mund të përfytyrohet se betimet që mbyllen me “gjer në pikën e fundit të gjakut” i kanë rrënjët në një traditë bese që nënkupton flijimin e pranuar me vetëdije të plotë dhe pa kurrfarë keqardhjeje. Pa atë pikë të fundit të gjakut, as përbërja e gjakut nuk është e qartë, as flijimi, as përkushtimi i atij që derdh gjakun. Një pikë e tillë ishte padyshim prej gjaku shqiptar dhe u end për mbi 80 vjet në rrembat e njërit prej mistikëve të mëdhenj të Evropës e më gjerë, vlastarit të familjes princërore Gjika, – që pat mërguar nga jugu i Shqipërisë në Rumani gjatë shekullit XIII, – meshtarit Vladimir Gjika, për veprimtarinë dhe jetën e të cilit flitet heraherës dhe pakkush ia përmend prejardhjen.

Tek përpilon një listë të gjatë me anëtarët e familjes Gjika, eshtrat e të cilëve prehen në Varrezën “Le Mée-sur-Seine” pranë Parisit, Jean-Yves Conrad thekson se “mbi muranën e varreve gjendet emblema e familjes dhe në të dy krahët e saj: dy gërma greke, që dëshmojnë prejardhjen shqiptare të familjes Gjika”. Nuk është rasti i parë e as i vetmi kur prejardhja shqiptare e dikujt mezi del në shesh, ndonëse kjo prejardhje mund të fshihet aq sa ç’është në gjendje të fshehë një gërmë bojën me të cilën është shkruar. Nga ana tjetër, gjatë jetës së tij të gjatë, të mundimshme e lartuese, Monsinjori Vladimir Gjika nuk dihet të ketë lënë ndonjë dëshmi se ishte, ose ndihej shqiptar. Por kjo ka ndodhur me mjaft shqiptarë që mishërojnë në gjuhë e popuj të tjerë maja të genit njerëzor. Në rastin e Monsinjorit, përkushtimi fetar tret në vete prejardhjen etnike dhe e njëson në heshtje e frymëmarrje hyjnore me atë kontinent të padukshëm drite, të cilin të gjithë popujt e ndajnë mesveti ashtu siç disa troje ndajnë ujrat e të njëjtit det, ose oqean.

Për fat të keq, me një kryeneçësi që e hidhëronte së tepërmi Monsinjorin, mendësia ballkanike ende përbalt emrat e vet të ndritur, rropatet t’ua marrë shpirtin me mosbesim, me heshtje smirëzeza dhe shpifje njerëzve të shquar që i ka ende gjallë dhe të cilët mezi pret t’i shohë të vdekur, që t’i qajë me shtatë, ose me nëntë palë lotë, dhe turret të rrëmbejë emra e vepra që i përkasin vetëm pjesërisht, ose vetëm kur ia do puna. Ndoshta kjo është një nga trajtat më të varfëra të pendesës së vonuar, të cilën kjo mendësi ende ngurron ta zëvendësojë me pranimin në kohën e duhur të vlerave të padiskutueshme. Prandaj edhe synimi i këtij shkrimi nuk është përfshirja e Monsinjorit në Panteonin e emrave të ndritur të shqiptarisë, por vënia në vend e një padrejtësie që, siç ndodh fort rrallë, nuk varet e tëra nga ligësia apo pafuqitë njerëzore. Jeta dhe vepra e Monsinjorit duhet të njihen edhe në shqip, qoftë edhe për hir të një pike të vetme gjaku shqiptar. Sepse shqiptaria është shumë më jetëgjatë dhe më rrënjëthellë se sa shqiptarët që e përfaqësojnë në një periudhë të caktuar, dhe dukshëm po vjen koha kur shpirti i secilit prej nesh, qoftë në trajtë librash, thëniesh apo gjestesh ende të panjohur, do të kthehet të rilindë nga ajo pikë gjaku që vulos fatin tonë të përhershëm, pa qenë medoemos e kaltër, ndoshta ngaqë është më fort gjak Zoti, se sa gjak njeriu.

Materiali i plotë këtu