Sërish për mërgimin

Akad. Kopi Kyçyku

Fitues i Shqiponjës së Artë “Zëri i Komunitetit në Diasporë”

Mërgimi apo, në të folmen popullore, kurbeti, është një dukuri që nuk mund të analizohet përveçse në rast se e ke përjetuar nga brenda, ashtu sikurse një beqar nuk është në gjendje të flasë për martesë, apo një ateist – për besimin në Zot. Mund të dallojmë dy periudha: e para, deri më 1990, kur çdo urë kthimi në atdhe ishte e këputur dhe e dyta, pas këtij viti, kur zuri të përvijohej tek “të ikurit”, gjithnjë e më qartë, dëshira për t’u rikthyer përgjithmonë në shtëpi, duke marrë parasysh të gjitha vështirësitë përkatëse, kryesisht me karakter ekonomik-financiar.

Përvoja shumëshekullore na ka mësuar si të shkojmë mirë edhe me grekët (kur shkojmë në Greqi), edhe me italianët (kur mërgojmë në Itali) e kështu me radhë, vetëm me një ndryshim: nuk mund të ndihemi askund si në shtëpi, pra si në Shqipëri.

“Ankthi i mërgimtarit”,  i cili nga shqiptarët e diasporës quhet “ëndrra e kurbetliut”, është shfaqur, ku më shumë e ku më pak, në të gjithë emigrantët. Këtu nuk duhet harruar në veçanti brenga e madhe që kishin të arratisurit politikë për familjet e lëna në atdhe, të cilat shtypeshin egërsisht nga regjimi.

Kam folur gjerë e gjatë me dikë që e ka ndjerë këtë ankth në fillimet e mërgimit të tij, si plot të tjerë, por ky ka qenë vetëm një përjetim vetjak, intim dhe diskret i ndjenjave të strukura në nënvetëdijë, të mbartura nga atdheu, bashkë me bagazhet e pakta. Nuk parapëlqente të fliste me zë të lartë. Pse? Sepse sa herë që ndonjë perëndimor e pyeste, – ndoshta thjesht për të shuar kurreshtjen, – për origjinën, sapo i përgjigjej që ishte shqiptar, bashkëbiseduesi i huaj, dashur pa dashur, bënte në çast lidhjen me çka kishte dëgjuar e lexuar në shtyp për Shqipërinë e kohës së komunizmit dhe, i shtyrë nga një instinkt i njohur i njerëzve “superiorë”, falë prejardhjes etnike të shqiptarit, sikur e mëshironte: “Oh, të mjerët ju që nuk keni fat! Sa keq!” Në sytë e tij shqiptari përfaqësonte atë “vend të mjerë”, Shqipërinë, dhe anasjelltas, sepse ishte shqiptari ai që kish mërguar në vendin e të huajit, jo e kundërta. Kjo mëshirë, sidoqë nganjëherë e çiltër, shumë shpejt filloi ta dëshpëronte shqiptarin pa masë.

Këtu zë fill një tjetër problem yni shterpë: E pranojmë që jemi shqiptarë, por a ndihemi krenarë, apo na vjen turp nga përkatësia jonë etnike? Po qe se na vjen turp, turp të kemi që mohojmë vetveten, mohojmë të parët tanë!

Le të marrim anën tjetër të medaljes: në rast se nuk na vjen turp për zanafillën tonë, përse nuk e pohojmë, madje me zë të lartë?

Kjo ndodh, për mendimin tonë, ngaqë njëra nuk e përjashton tjetrën. Në fillimvitet ’90 nuk na vinte turp që jemi shqiptarë, por as nuk kishim me se të mburreshim përderisa në atdheun nën komunizëm uria dhe të ftohtët bënin kërdinë; përderisa atëhere shqiptarët merrnin në sy rrezikun dhe iknin ku të mundnin për të gjetur strehim politik; përderisa Shqipëria këqyrej njëlloj si çdo vend diktatorial i bananeve, apo si shtet i prapambetur afrikan…

Këto nuk mund dhe nuk duhen harruar. Jo të gjithë perëndimorët janë intelektualë e, si rrjedhojë, jo të gjithë kanë dëgjuar për Gjergj Kastriotin-Skënderbeun, për Aleksandër Moisiun, për Nënë Terezën dhe për shumë të tjerë të plejadës sonë kombëtare. Ama pozhuajse të gjithë kanë dëgjuar për Enver Hoxhën dhe krahasimi i gjendjes sonë me gjithçka regresive, negative, nuk ishte pa baza. Si do të na dukej një kongolez apo nigerian, i cili teksa kërkon strehim politik në Perëndim, deklaron se është krenar për vendin nga vjen? Cili do të ishte shkaku i krenarisë së tij në sytë e perëndimorëve, të cilët, – mos harrojmë!, – na shohin e na zhbirojnë me sytë e tyre, jo me tanët? Me siguri do të na pyesnin përse nuk kthehemi sërish në vendin tonë po qe se ndiheshim kaq krenarë për të? Thënë ndryshe, kur binte fjala për periudhën komuniste nuk kishim si të tregoheshim krenarë për mjerimin material e shpirtëror që ishte shtruar këmbëkryq në atdheun tonë. Po ta bënim këtë, me siguri do të na cilësonin të pasinqertë, madje do të habiteshin.

Një artikull në shtypin perëndimor e krahasonte mërgimtarin lindor me drufrutorin që rritet drejt qiellit duke i shtrirë degët drejt ajrit të lirë, i papenguar nga asnjë barrierë. E, megjithatë, pema nuk mund të jetojë, – e kemi fjalën biologjikisht, – në rast se nuk ka rrënjë të ngulura diku, në një truall, nga ku të marrë palcën e forcën e vet jetike. Pema e çrrënjosur pushon së qëni, liria nuk i hyn në punë kushediçfarë, përveçse, mbase, si diçka e dukshme dhe iluzore (Shih: Mërgata rumune ka dëshmuar gjithnjë gjykim të drejtë e të kthjellët, që mund të shërbente si shembull për vëllezërit në atdhe, intervistë e publicistit Radu Negreanu Sutu dhënë revistës Alternativa info, Stokholm-Paris, shtator 1997).

Por pema që përpiqet të lëshojë rrënjë në një tjetër truall, të ndryshëm nga i veti, rrezikon të mos ngjajë më as me pemët që ka lënë në atdhe, të cilat ka qenë i detyruar t’i braktisë, por as me ato, të cilave ndoshta do të kish dashur t’u ngjante, duke u shkrirë në një mimetizëm të natyrshëm, të shkaktuar nga një instinkt vetëmbrojtjeje, ka për t’u shndërruar në një pemë të një lloji tjetër, si ato që krijohen në mënyrë artificiale me shartim, pra njëfarë hibridi i mbretërisë bimore.

Megjithatë, shumë shqiptarë kanë filluar një jetë të re kryesisht në vendet pritëse të Perëndimit, me shoqëri tolerante që nuk u bëhet kurrsesi pengesë për ruajtjen e identitetit kombëtar, të ngjizur me sakrifica gjatë shekujve.

Grekët e lashtë e quanin të huajin metoikos, pra individ, dashuria dhe shqetësimet e të cilit ndodhen tjetërkund. Dhe vërtet: në fund të fundit ai nuk mund të ketë të njëjtat shqetësime me ato të mjedisit rrethues dhe as që ia shfaq atij, ngaqë mund të mos ia kuptojnë. Nuk është nevoja të përmendim mallin për atdheun që i bren çdo çast mërgimtarët. Nga ana tjetër çdo krahasim me vuajtjet, që patën ndjerë të arratisurit  për familjet që lanë në dheun mëmë, nuk do të ishte me vend. Edhe diçka. Në rrafsh formal mund të kesh dy ose më shumë shtetësi, por në rrafsh afektiv ke vetëm një kombësi dhe vetëm një atdhe. Fatkeqësisht, problemi ndërlikohet me brezin e parë dhe të dytë të lindur në mërgim nga martesa të përziera etj. Kjo përsa i përket ruajtjes së gjuhës amtare. Megjithatë, në brezin e tretë është shfaqur një dukuri rikthimi në zanafillë nga pikëpamja kulturore, familjare dhe afektive, çka në kushtet e sotme mund të konkretizohej përmes kërkesës e marrjes së shtetësisë shqiptare.

Në njëfarë mënyre, të gjithë jemi pjesë e historisë së kohërave në të cilat jetojmë. Meqënëse historia ka ciklet e veta evolutive, në bazë të të cilave mund të dallojmë një epokë nga tjetra, edhe veprimtaria jonë ka etapat përkatëse me një fillim e një mbarim që jo rrallë shënon pikënisjen e një fillimi të ri. Me këtë, disa mërgimtarë kanë parasysh, ndër të tjera, popullarizimin e parreshtur të vlerave tona kombëtare në botë, fuqizimin e lidhjeve të Shqipërisë së rilindur me vendet mike dhe marrjen e përvojës më të mirë që këto kanë, veçanërisht në organizimin shtetëror e në ligjshmëri, në ekonomi, në tregti etj.

Me rëndësi të veçantë parimore, por edhe praktike, është fakti që disa paragjykime të fillimviteve ’90 të shekullit të kaluar janë kapërcyer. Më konkretisht: atyre që morën rrugën e kthimit për nbë atdhe, kryesisht të arratisur politikë, iu tërhiqej vëmendja që kishin braktisur vendin dhe, si të tillë, nuk kishin të drejtë të përfitonin dhe të gëzonin të drejtat e atyre që nuk e “tradhtuan” atë. Por shpejt u vërtetua që shumica e të mërguarve politikë erdhën jo vetëm për të shuar mallin për familjet e të afërmit, por me synimin për të dhënë ndihmesën e tyre në dobi të kombit e të atdheut. Me veprimet e tyre sikur thoshin: “U kthyem për të dhuruar jo për të përfituar”.

Nga ana tjetër është shmangur edhe mendimi gjithaq i gabuar i shfaqur tek-tuk sikur në Shqipëri kanë mbetur vetëm të paaftët; ajka ka ikur jashtë. Gjithsesi, në këtë kontekst nuk duhet anashkaluar e vërteta e hidhur që në sektorë jetikë të shoqërisë sonë kanë lënë zbrazëti të theksuar kuadro të larta dhe specialistë të mesëm, punëtorë të kualifikuar etj, të cilëve shteti shqiptar duhet t’u krijojë kushte për t’u rikthyer.

Sa për vendin e rolin e diasporës në ecurinë e punëve në atdhe, duke qënë mbi njëmilionëshe, vota e saj ka peshë tepër të ndjeshme. Shëmbull në këtë aspekt mund të merret ai i diasporës rumune, vota e së cilës ka qënë dy herë vendimtare në rezultatet e zgjedhjeve presidenciale në Rumani.

Temat që lidhen me diasporën janë të shumta e të larme. Asnjëra nuk duhet shpërfillur. Zgjidhja e tyre në kahun e duhur është plotësisht e mundshme sepse tani që gjithçka po ndryshon për mirë; kur, ndër të tjera, kufijtë shtetërorë po hiqen dhe po integrohemi në Evropë, nuk bëhet më fjalë për mërgim të mirëfilltë, klasik e as për internim.

Një viktimë e internimit ka qënë edhe poeti latin Ovidi, i cili, si kundërshtar i regjimit në vendin e vet,  e ngrysi jetën në Konstancë të Rumanisë. Dante Aligieri i ka përshkruar si askush tjetër vuajtjet e mërgimtarit në Komedia Hyjnore (Parajsa XVII: 55-60): Do të lesh pas gjithçka që dashuron / më fort; dhe kjo është shtiza / që harku i mërgimit të parën lëshon / Do të provosh sa e shëllirtë është shijëza / e bukës së të huajit dhe sa e rëndë është / të ngjitësh e të zbresësh të të tjerëve shkallë”.

Europa me shpejtësi po fiton atributet e një shteti të madh e të vetëm, qytetarë të të cilit jemi, natyrisht duke ruajtur të gjitha tiparet kombëtare që na kanë lënë të parët tanë. Nga ky këndvështrim, është kuptimplotë deviza: “Unitet në diversitet”.