Të rinjtë e Kosovës kanë nevojë në hapësirë politike
Karvani i takimeve me diasporën DiasporaFlet i inicuar nga organizata Germin u ndal edhe në Pejë. Në edicionin e pestë të këtyre takimeve, interesimi i qytetarëve të Pejës, vërtetoi edhe njëherë ngritjen e vazhdueshme të vetëdijes së tyre për rëndësinë që ka mërgata për Kosovën. Ata ishin mbledhur të motivuar për të dëgjuar historitë e mysafirëve të ftuar në këtë takim dhe për të debatuar për strategji lehtësimi për kontributin e vazhdueshëm të mërgatës për ndryshim në Kosovë.
Mysafirët e ftuar, Albana Krasniqi nga Gift of Life International dhe Ilir Daci themeluesi i The Apartments, prekën tema të ndryshme socio-politike të rëndësishme për raportin e Kosovës me diasporën. Të dy mysafirët vunë theksin tek nevoja e Kosovës për një energji të re. Siç theksoi edhe Albana: “Ky është treni i fundit që rinia kosovare ta gjejë veten dhe të ndërmarrë hapa për ndryshimin e gjendjes në vend”. Rinia kosovare duhet të ndërtojë platformë që ua lehtëson investitorëve nga diaspora që të vazhdojnë të japin kontributin e tyre për ndryshimin e vendit. Megjithatë, rinia kosovare duhet që së pari të vetëdijësohet dhe ta kuptojë rëndësinë dhe rolin e diasporës.
E ftuara Krasniqi, foli edhe për mundësitë e shfrytëzimit të institucioneve shkollore për vetëdijësim të rinisë mbi rolin e diasporës. “T’ju flitet fëmijëve në shkolla për diasporën dhe rolin e saj” theksoi ajo. Ndërsa Daci vlerësoi se edhe bashkëpunimi ndërqytetar dhe qytetaria aktive kanë rolin e vet në rrugën për vetëdijësim.
Në këtë takim u fol edhe për ndikimin dhe potencialin që e posedon diaspora për ndryshime politike dhe shtytjen intelektuale që mund t’ua japë të rinjve kosovarë. Krasniqi tha: “Diaspora duhet ta përdorë votën e tyre për t’iu mundësuar të rinjve të Kosovës hapësirë politike drejt ndërtimit të një shteti të suksesshëm.” Ndërsa Daci sygjeroi që mos të fokusohemi të gjithë tek politika por ta gjejmë drejtimin tonë për të kontribuar në ndryshim të përgjithshëm.
Të dy mysafirët treguan për drejtimin që ata kishin zgjedhur të kontribojnë. Krasniqi, përmes Gift of Life International, ndihmon në dërgimin e fëmijëve me probleme kardiake për shërim jashtë vendit. Ajo ka pasur edhe shumë takime me Ministrinë e shëndetësisë në Kosovë për të krijuar platformë bashkëpunimi për krijimin e kushteve për shërim edhe në Kosovë. Ajo ka vërejtur se praktikat e çrregullta politike dhe mungesë e motivit për punë nga institucionet e Kosovës e bëjnë rrugën e bashkëpunimit shumë më të vështirë se sa duhet të jetë. Ndërsa, Daci theksoi potencialin turistik të Kosovës që nuk po shfrytëzohet plotësisht. Ai sygjeroi që për model të merret Shqipëria që ka arritur një zhvillim të shpejtë të sektorit të turizmit. “Bashkëpunimi në mes të Kosovës dhe Shqipërisë është i domosdoshëm për zhvillim të turizmit” tha Daci.
Opinioni i qytetarëve të mbledhur në këtë takim nuk mungoi. Ata shprehën pakënaqësitë e tyre për mungesën e vizionit të lidershipit kosovar për të krijuar kushte për një ekonomi stabile dhe jetë cilësore për qytetarët e Kosovës. Megjithatë, pas këtij takimi ata dolën me një flakë shprese të rindezur për ndryshim me ndihmën sipërmarrëse dhe kontributin intelektual të mërgatës.
***
Egzon Sadiku, është i diplomuar për Art dhe Filozofi në Macalester College.
Diskutimet DiasporaFlet organizohen nga organizata joqeveritare Germin me qëllim të motivimit të të rinjëve për të qenë pjesë e rrugëtimit të ndryshimeve. Ato përfshijnë tema nga fusha e arsimit, teknologjisë, biznesit, shkencës, mjekësisë, etj. dhe synojnë promovimin e tregimeve të suksesit të diasporës dhe frymëzimin e gjeneratave të reja. Këto takime përkrahen nga Friedrich Ebert Stiftung, Prishtina Office.