Diaspora në Junik kërkon pjesëmarrje në Kuvendin e Kosovës dhe jetën institucionale

“Kosova dhe Shqipëria fatkeqësisht kanë dështuar për ta vetë organizuar diasporën. Qeveria e ardhshme e Kosovës duhet që të fusë një klauzolë ekstra për banorët e Kosovës në reformën zgjedhore, për të cilët duhet të kenë përfaqësim në Kuvend të Kosovës, e pse jo edhe në ministritë përkatëse”. Kështu ka vlerësuar Nezir Kraki nga Juniku, i cili aktualisht është ligjërues i shkencave politike në Paris, në Universitetin “Paris Est”, dhe drejtor programi në Shkollën e Lartë të Biznesit “Enaco” në Lille, në takimin e rradhës me diasporën në Junik, të organizuar nga Organizata Jo- Qeveritare Germin.

Organizata Germin duke synuar që të ndryshojë bindjen e njëanshme për diasporën, si dhe të lidh të rinjtë nga Kosova me diasporën përmes diskutimeve joformale, përveç profesorit Kraki në panel kishte të ftuar edhe Shpresa Loshaj, këshilltare për Politikat e Pronësisë Intelektuale në Ministrin e Inovimit, Shkencës dhe Zhvillimit Ekonomik në Qeverinë e Kanadasë, dhe Liridon Hoxhën, student në përfundim të studimeve master për Biologji në Universitetin e Konstancës në Gjermani. Duke treguar rrugët e tyre të ngjitjes në nivelin intelektual dhe akademik, ata para të pranishmëve thanë se ato ishin ngushtë të lidhura me vendet e tyre të lindjes dhe Kosovën në përgjithësi.

Profesori Kraki, tha se pas përfundimit të fakultetit të Gjuhës dhe Letërsinë Franceze dhe Shkencave Politike në Prishtinë, në vitin 2007 të ketë shkuar në Francë për qëllime studimesh. “Prej Kroacisë e deri në Greqi, institucionet arsimore nuk i edukojnë njerëzit, dhe unë kam shkuar në Paris pikërisht për këto arsye, me u formu”, ka vlerësuar 35 vjeçari junikas, i cili thotë të ketë mbaruar dy palë studime të nivelit master,  dhe një doktoraturë në Paris, që të gjitha me vetëfinancim. Ligjëruesi i politikave të BE-së, dhe politikave publike franceze në Universitetin e “Paris Est”, tutje gjatë bashkëbisedimit me junikasit në takimin e “Germin”, ka thënë se krejt sistemet politike oligarkike dhe diktatoriale, ëndërrojnë që qytetarët e vendeve të tyre të kenë halle bazike, në mënyrë që ata (qeveritarët), të qeverisin e të plaçkitin si të duan popullin e tyre.

“Sistemi i arsimit në Kosovë është i masakruar, së pari duhet kthyer dinjitetin mësuesve, e më pas të ecet me ndryshime”. Pyetur se çfarë i duhet Kosovës që të bëjë reforma e ndryshime në arsim, profesori Kraki tha se sikur të bëhej e mundur të mbylleshin njëherë të gjitha institucionet shkollore e të fillohej prej fillimit! Kraki në vitin 2015 ishte edhe këshilltarë në MPJ të Shqipërisë. Ndërsa Shpresa Loshaj në fjalën e saj theksoi se në Kanaden e largët të ketë shkuar pikërisht në vitin më të vështirë  që po kalonte Kosova, atë të ’99-tës, si një refugjate e ikur nga lufta. “Pasi që kisha mbaru gjimnazin në Deçan, nga lufta që ishte në Kosovë së bashku me familje u detyruam që të largohemi për në Kanada, ku u gjenda në një vend dhe në një kulturë krejt ndryshe. Atje i kam mbaruar studimet në Skenca Politike, ndërsa në master Politikat Administrata Publike”, ka treguar zyrtarja e Qeverisë Kanadeze e lindur dhe rritur në Carrabreg të Deçanit. Ajo tutje ka thënë që të ketë punuar edhe në Bankën Botërore dhe në Ministrinë e Shëndetësisë së Kanadasë.

“Mua më intereson më tepër për politikat shëndetësore në Kosovë, dhe aty dëshiroj që të japë kontributin tim, pasi që siç e kam pa është edhe nevojë e jashtëzakonshme”, ka deklaruar zyrtarja e qeverisë Kanadeze, duke mohuar pyetjet e bashkëbiseduesve nëse ka marrë ndonjë ftesë nga ana e institucioneve të Republikës së Kosovës për ndonjë bashkëpunim. “Carrabregun dhe Deçanin në një mënyrë kurrë nuk i kam lënë anash dhe gjithmonë jam interesuar që të shoh se si po ndërtohet shoqëria e pas luftës në Kosovë. Shpresoj se gjatë kësaj vere të kem rastin të jem më e involvuar në jetën e përditshme të qytetarëve dhe te mesoj nga afer se me qka po ballafaqohen ata”, ka thënë para publikut junikas Shpresa Loshaj.

Ndërsa panelisti më i ri, Liridon Hoxha tha se gjatë këtyre ditëve është duke organizuar edicionin e tretë të shkollës verore biologjike, e cila vije si një bashkëpunim mes Universitetit të Konstancës dhe Universitetit të Prishtinës.

“Qendra Kosovare për Edukim dhe Hulumtim Mjedisor, projekt që jemi duke punuar në të vazhdimisht, ka për qëllim që të kontribuoj për krijimin e një qendre të përhershme lidhur me historinë e natyrës së Kosovës”, ka thënë studenti Hoxha me prejardhje nga Juniku, por i lindur dhe rritur në Gjermani.

Sipas tij në Kosovë mungon mbështetja e institucioneve përkatëse për studentët dhe shkencëtarët e rinjë. “Kosova ka shumë studentë që janë shumë të mençur dhe që kanë shumë dituri e vullnet, por ata nuk kanë hapërirë që të shprehin diturinë dhe punën e tyre” nënvizoi magjistri junikas në prag në diplomimit në biologji. Ai tutje para audiencës tregoi që me insistimin e tij personalisht, Universiteti i Konstancës student i të cilit është ka shprehur interesimin dhe kanë filluar baahkëpunimin me UP-në. Ndërkaq në anën tjetër publiku më shumë shprehu  interesimin për një bashkëpunim më të madh në mes të diasporës dhe vendasve në Kosovë. Vlora Gaxherri nga Juniku, duke shprehur zhgënjimin e saj për mungesën e zyrtarëve komunal të Junikut në këtë takim tha se ata do duhej të ishin të ulur të parët në rresht për të dëgjuar rrëfimet e këtyre të rinjve të suksesshëm në perëndim.

“A besoni se kish me qenë ide e mirë mu kriju një rrjetëzim i intelektualëve ose personave që jetojnë jashtë Junikut, në mënyrë  që të caktohet një ditë brenda vitit që të shkëmbejnë eksperienca, dhe sidomos me kriju mundësi që secili në fushën e tij me arritë me marrë studenta prej Junikut e më gjerë”, pyeti ajo, duke u pëlqyer nga panelistët ideja e saj.

Liza Gashi, themeluese e organizatës “Germin”, duke thënë që të ketë jetuar dhe studiuar për rreth 10 vite në Amerikën Latine, pyeti se cili është dhe duhet të jetë roli i diasporës në politikë bërjen e Kosovës. Në fund të këtij takimi të gjithë u pajtuan se diaspora është më mirë që të hapë zyre për bashkëpunim mes vete, dhe për shkollim të fëmijëve shqip, se sa degë partish politike, të cilat sipas tyre duken anakronike.

Dhe si konkludim i këtij takimi doli se “pa një bashkim të kapitalit intelektual, atij fizik dhe material si brenda Kosovës dhe në diasporë, shqiptarët nuk do ta kenë poziten e merituar në shoqërinë evropiane”.

***

Naim Haxhosaj punon si gazetar i pavarur.

Diskutimet DiasporaFlet organizohen nga organizata joqeveritare Germin me qëllim të motivimit të të rinjëve për të qenë pjesë e rrugëtimit të ndryshimeve. Ato përfshijnë tema nga fusha e arsimit, teknologjisë, biznesit, shkencës, mjekësisë, etj. dhe synojnë promovimin e tregimeve të suksesit të diasporës dhe frymëzimin e gjeneratave të reja. Këto takime përkrahen nga Friedrich Ebert Stiftung, Prishtina Office.