“Udhëtimi im” edhe si dritësim…

Shkruan: Petrit Kuçana

Ata kurrsesi nuk mund të ishin udhëhumbës, aq më pak “të përshtatshëm” si konformistë në rrjeshtin e gjatë emigrator. Kishte diçka më shumë të trashëguar në genin e tyre, që si mundësikërkues gjetën hapësirat e nevojshme për realizimin vetvetësor. Nuk është e rëndësishme si u gjendën në ishullin britanik, dhe asesi nuk u gjunjëzuan në klimën e ngrysur ishullore e, madje shumë prej tyre, u detyruan të ngushtohen në petkën e “refugjatit”, për të filluar udhën drejt ëndrrës, që mund të ishte e njëjta, e ngjizur që në vendlindje, apo ishin nuhatësit e përsosur të hapësirave dhe mundësive që ofroheshin, duke u kthyer natyrshëm në shqiptarin e suksesshëm, në njeriun model, jo thjesht modelin e shqiptarit brendakomunitar, por edhe e emigrantit të suksesshëm, deri në kufij të së pabesueshmes.

Vërtet, a përbën lajm kur një shqiptar i ardhur vetëm para pak vitesh në Mbretërinë e Bashkuar, si refugjat, pa ditur të thotë as “mirëmëngjesi” apo “kam uri”, ka arritur të kthehet në modelin e njeriut të suksesshëm, pa harruar “këngën e djepit”? Në vetëm pak vite ai ka arritur jo vetëm të punësohet, apo të punësojë bashkatdhetarët e tij, por të punësojë edhe britanikët…. Nga ata që mbase kanë ndjekur shkollat më të mira britanike dhe me shumë krenari flasin për “boss”-in e tyre shqiptar.
Ashtu si flet një student për pedagogun e tij shqiptar, këtu në ishullin britanik, apo në Harvardin e shumënjohur, sikundër një klient (jo domosdoshmërisht shqiptar) që fiton një gjyq ku përfaqësohet nga avokat apo barrister shqiptar.

Është kaq normale që të dëgjosh për një arkitekt apo inxhinier shqiptar, sikundër mund të jetë lajm fakti që një zonjë ka marrë përsipër të futë gjuhën shqipe në shkollat angleze, apo një kompozitor që muzën shqiptare e shndërron në tinguj që më pas do i përkasin gjithë botës, ashtu si një aktor që përfaqëso denjësisht pathosin shqiptar. Kjo listë vazhdon. Thuajse është e pafundme, ashtu si hapat e këtyre “udhëtarëve” në udhën e tyre drejt suksesit.

Do të tingëllonin kaq të pabesueshme këto histori për shumëkënd që është tejet i përditësuar me kronikën e zezë, por janë realitete që po shformojnë çdo ditë atë imazh të zbehtë për shqiptarët e Britanisë, në ngjyrën më të thekshme të shpresës, ëndrrës, kurajës dhe guximit qytetar dhe intelektual, duke u shndërruar kështu në ambasadorët më të shkëlqyer të vlerave shqiptare në ishullin britanik.

Tek këta “udhëtarë” nuk mund të zinte vend as përçudnimi, as rraskapitja nëpër humbëtirat e rrugës, ku busulla i përket një tjetër sistemi… por dedikimi për realizmin e ideve të tyre, sa të thjeshtë aq edhe të çmendur, asaj ëndrre që nuk do të guxonin as ta mendonin; bie fjala ndërsa gjendeshin në llogoret e luftës për çlirimin e Kosovës, e deri tek ata që u detyruan të braktisnin bankat e shkollës, për të rifilluar sërish, mbase një udhë tjetër të një tjetër dimensioni, ku konkurenca do të ishte e jashtëzakonshme, por që do të fitonin çmimet më prestigjioze në rangun botëror, apo të konkurronin me firmat më të njohura britanike dhe më gjerë.

Këta “udhëtarë” janë shndërruar natyrshëm në fanarë që ndriçojnë në çdo kohë, edhe për shumë mërgimtarë që nuk kanë arritur të gjejnë atë “udhën” drejt realizimit vetvetësor, që janë tëhuajsuar aq shumë, saqë nuk mund të mendojnë asgjë më tepër sesa të ndjekin ato rrugët e errëta, ato të të pasuruarit për një ditë, ato të përbalturat të zhyturat… që, fatkeqësisht, vazhdojnë të përpijnë në thellësitë e tyre, shumë mërgimtarë të tjerë rrugëhumbës…

Këta “udhëtarë” janë shndërruar në modele të shkëlqyeshme dhe ne si gazetarë na mbeti vetëm t’i gjejmë, t’i pasqyrojmë në faqet e kësaj reviste, ashtu si në ato të gazetës, duke përmbushur një dimension të misionit tonë, duke shpresuar se kështu do të mund të kontribuojmë sadopak, duke besuar fuqishëm që “Udhëtimi im” do të shndërrohet në një traditë që dritëson edhe mendjet e atyre që “u ka humbur rruga në oborr”, dhe që nuk mund të shohin më larg sesa një derë kazinoje… apo tavolinës së kafeve të stërzgjatura, ku bisedat nuk mbarojnë asnjëherë, sidomos ato për politikën…

Dhe nuk është shumë e lehtë t’i gjesh këta udhëtarë që flasin për rrugëtimin e tyre dhe kjo nuk do të ishte e mundur pa ndihmën e jashtëzakonshme të një pjese të stafit tonë; Faleminderit Fjoralba Hysa, Esmeralda Sadikaj, Bashkim Metalia, Majlind Goge, Blerim Ciroka dhe të gjithë ata që kontribuan. Faleminderit!
Mision ynë vazhdon.