Unë nuk jam as i djathtë, as i majtë, jam emigrant

Shkruan: Abdurahim Ashiku

Në adresën time në Facebook janë shtuar si asnjëherë tjetër ftesat për të dhënë votën apo për të përdorë penën time në mbështetje të kandidatëve për kuvendar në Kuvendin e Shqipërisë. M’i dërgojnë njerëz që unë i kam në kujtesën e para një çerek shekulli, më saktë në kujtesën e zgjedhjeve të 26 majit 1996, kohë që vendosi ndryshimin në rrënjë të jetës sime e të familjes sime, kohë kur u detyrova të ikë natën nga Dibra, vendlindja ime e dashur, për t’i shpëtuar linçimit vetjak e familjar, kohë kur u bëra EMIGRANT…
I mbaj mend mirë ata të dielën e 26 majit dhe në ditët që erdhën pas. Ikën nga Peshkopia dhe Dibra nga “sytë këmbët” sikur të kishin bërë ndonjë paudhësi apo krim kur ishin të pastër. Unë nuk kisha se ku të shkoja ndaj qëndrova edhe dy muaj të tjerë. Qëndrova duke i mbushur faqet e gazetës ku punoja me paudhësitë, krimet dhe reprezaljet që partia në pushtet kishte bërë në Dibër. Vazhdova derisa më dhanë ultimatumin “O mbyll gojën, ose të rrëmbyem fëmijët.”

Dhe e provuan, fatmirësisht pa rezultat…

Atëherë mora për dore djalin 14 vjeçar dhe ika…Ika me mendjen dhe dëshirën që të kthehem… U ktheva një ditë shtatori të vitit 1997… Trokita në shumë dyer njerëzish tashmë në pushtet për të cilët kisha shkruar e kisha marshuar maleve të Dibrës. Isha djersitur, kisha derdhë edhe gjak nga gjaku i trupit tim, kisha konsumuar intelektin e jetës sime…Nuk trokita si militant, por si një njeri me dy diploma universitare dhe  përvojë prej më se një gjysmë shekulli në punë e në profesionet e jetës sime…
Më shihnin si jashtëtokësor. Më buzëqeshnin dhe më përcillnin në zyra të tjera ndonjëherë edhe me ndonjë fletë grisur me nxitim bezdisës nga blloku ku shënohej “Shiheni…” Nuk kishin sy apo më mirë me thënë tjetërkund i kishin mbërthyer ato, xhepave ku kishin nis të fusnin duart. U ktheva nga kisha ardhur. U vura në radhë zyrave greke për të marrë leje qëndrimi si gjithë njerëzit që halli  i tyre, si halli im, i kishte hedhë në një marrshim cfilitës  maleve për një jetë tjetër. Që nga viti 1998 kur u vendos legalizimi i ikanakëve jam EMIGRANT, status që e kam dhe e mbaj. E ruaj këtë status, e rinovoj sa herë më mbaron afati.

Jam i qetë… Nuk dua të ma prishë njeri këtë qetësi… Nuk dua…

Por nuk më lënë, ma prishin me thirrjet fushatore të zgjedhjeve… Kërkojnë votën time… Pse ma kërkoni kur atë e keni pas dhe e keni përdorur tash një çerek shekulli zgjedhje pas zgjedhjesh, pushteti lokal dhe qendror ? E keni pas dhe e keni përdorur duke firmosur në emër tim e të familjes sime. Mos thoni jo se po të kishte Zot ju kishte bërë sakatë. Tash ma lypni votën. Merreni siç e keni marrë. Adresën familjare e keni. Mund t’ju japë edhe kodin, edhe qendrën e votimit… Do t’jua jepja me dëshirë sikur ju, tash 25 vjet, të kishit menduar një minutë të vetme për “votën e emigrantit”, për të drejtën kushtetuese të çdo shqiptari në mërgim të votonte në vendin ku punon, jeton, e banon, nga çdo skaj i botës.

Të bënit sa Kosova, shteti më i ri në botë, që i regjistroi mërgimtarët kudo që janë dhe u kërkon të marrin pjesë atje ku jetojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 11 qershorit 2017 (!). Në shkurt të vitit të kaluar Kuvendi miratoi një ligj për regjistrimin e emigrantëve. Në gusht të atij viti duhet të fillonte zbatimi i tij, regjistrimi i emigrantëve në të gjithë vendet ku punojnë dhe jetojnë. Ligji (si shumica e ligjeve) mbeti në letër, mbase i hedhur në “shportën e hedhurinave” poshtë tavolinës së kryetarit të Kuvendit. Tre muaj në “çadër” e djathta dhe tre muaj jashtë “çadre” e majta folën për çdo gjë; për “qeveri teknike”, “votim elektronik”, “lexim elektronik”, “hashash”, “tallash”…

Asnjëherë nuk u fol për “votën e emigrantëve”, asnjëherë.
Tash më kërkoni votën (!) Ma keni gjetur adresën, megjithëse nuk është fare e vështirë. Mjafton të shkruani emrin tim në Google apo Facebook dhe me siguri do të keni edhe numrin e telefonit, edhe adresën elektronike, edhe librat e shkrimet e mia, edhe…Nuk jam fshehur sepse jam ndjerë i qetë në jetën time. Nuk e kam ndërruar as emrin e mbiemrin, ndonëse për vendin ku jetoj është jashtë kohe, anakronik. Dhe vendi ku jetoj, padrejtësisht është  përfolur se i detyron shqiptarët të ndërrojnë emër e mbiemër, fe e kombësi (!). Kam që nga marsi i vitit 1988 (sapo isha legal) që pena ime është përqendruar në një temë që ka të bëjë me identitetin tonë, me atë që një taksixhi arvanitas, tek udhëtonim rrugëve të Athinës, më tha me gjuhën e tij ruajtur ndër shekuj:

“Fëmijët tuaj nuk e mësojnë gluhën e mëmës, nuk kanë dësirë të kthenen në Skipëri, do të benën grekër si na…”


Iu përkushtova  propagandimit të një grupi njerëzish çudi, burra e gra që sakrifikonin veten dhe familjen për tu mësuar fëmijëve gjuhën e bukur shqipe, që u mësonin atyre si të lexojnë, shkruajnë e këndojnë shqip. Dritëro Agolli në një bisedë të ngushtë në shtëpinë e tij më tha:
“Këtë anë rilindëse të emigrantëve të hershëm e kanë shfrytëzuar apo përvetësuar emigrantët e sotshëm duke vazhduar kohën e Rilindësve që të punojnë për mëmëdhenë…”


 Me këtë emër i çimentova në tre libra të mi mësuesit vullnetarë të gjuhës shqipe në Greqi: librat “Rilindësit e kohës sonë”, “Shkolla shqiptare e Athinës – Rilindësit e kohës sonë-2” dhe “Shkolla shqipe e Selanikut- Mësuesit këta rilindës çudi”. Në 1100 faqe, me 450 fotografi e dokumente do të gjeni të portretizuar 67 mësues të mësimit plotësues të gjuhës shqipe në Greqi dhe vendet e tjerë të Evropës.

Tash po merrem me një mësues të veçantë, me mësuesin e parë të shkollës shqipe në Greqi Dashmir Zaçe i cili për herë të parë (mbase në histori e për këtë duhet hulumtuar sepse kjo ndodhi në një vend ku gjuha shqipe ishte në prush) më 7 mars 2001, në Selanik të Greqisë u foli fëmijëve dhe prindërve të tyre të pranishëm në gjuhën e bukur shqipe për të vazhduar për 14 vjet pa ndërprerje. Dashmiri iku në shtatorin e vitit të kaluar duke lënë pas një brez të tërë fëmijësh të emigrantëve që mësuan prej tij si të shkruajnë, lexojnë e këndojnë në gjuhën e prindërve dhe gjyshërve të tyre, në gjuhën shqipe, ashtu si një jetë të tërë u kishte mësuar letërsinë djemve e vajzave të vendlindjes së tij, Përmetit. E meritonte Dashmir Zaçe sa qe gjallë një dekoratë të lartë nga presidentët e Shqipërisë në këto 16 vite qëndrim në karrigen e lartë të shtetit. E meriton edhe sot në ikjen e tij pa kthim.

E meritonte edhe mësuesja e Shkollës shqiptare të Athinës,  Loreta Ibrahimi, që aksidenti i rëndë ia preu rrugën për tek fëmijët në klasë që e prisnin me dashuri e nderim. Dhe jo vetëm Dashmiri dhe Loreta por të gjithë mësuesit që tash 16 vjet u mësojnë anë e mbanë Greqisë fëmijëve të lexojnë, shkruajnë e këndojnë shqip. Njëzet e një mësues vullnetarë kanë dhënë (apo japin) mësim në Selanik nën kujdesin e shoqatës “Nënë Tereza”. Dhjetëra të tjerë me përkushtimin më të lartë atdhetar bëjnë të njëjtën gjë në Athinë, Korint, Patra, Tinos e vise të tjera të Greqisë. Për ta, deri sot, nuk është dhënë qoftë edhe një fletë nderi e vetme nga institucionet zyrtare shtetërore. ASNJË. Në klasat e tyre, deri sot, nuk ka shkelë këmba e asnjë ministri apo deputeti të Shqipërisë, as të djathtë e as të majtë, ASNJË. Është premtuar nga seriali kryeministror i këtyre 19 vjetëve të shqiptarëve legalë në Greqi (1998-2017) njohja e patentave. Vetëm fjalë që kanë fluturuar në erë. Është premtuar njohja e kontributeve të mërgimtarëve shqiptarë në Greqi për efekt pensioni. Vetëm fjalë dhe asnjë hap përpara. Është premtuar qendër kulturore për mërgimtarët në Athinë. Premtime në hava… Mund të vazhdoj gjatë, pambarim gjatë me fjalë e premtime të dhëna, me zë e me figurë, aq shumë sa “trasta” e mërgimtarëve është mbushur aq shumë me gurë sa nuk mban më. Për të mos ua ngrënë hakun një vlerë tonën e kanë nxjerrë në pah, e kanë përsëritur herë pas here, REMITANCAT, dërgesat e emigrantëve për familjet e tyre, investimet e tyre në ndërtime banesash vetjake e familjare. Ato, me gjithë krizën dhe problemet e punësimit përsëri e mbajnë në këmbë vendin.

Unë tash nuk jam as i djathtë, as i majtë, JAM EMIGRANT.
Ne tash nuk jemi as të majtë e as të djathtë, JEMI EMIGRANTË.
Jemi më të përkushtuarit në atdhetari dhe më të harruarit në të drejtën tonë që të jemi shqiptarë me të drejtat e plota që na jep kushtetuta.
E mira do të jetë të mos vini këtë “muaj ramazani” në Greqi, të mos na mblidhni duke shpenzuar miliona nga paratë tona si taksapagues, mos na dërgoni autobusë për të votuar…
Na lini të qetë në vetminë që na latë…

Abdurahim Ashiku është autori i gjashtë librave për mërgatën shqiptare në Greqi, tre prej të cilëve janë për mësuesit vullnetarë të gjuhës shqipe. Me skenar të tij është realizuar filmin dokumentar “Vera-mësuese në dy ishuj”.

Pamflet: Vështrimet dhe mendimet e shprehura në këtë shkrim nga autori janë krejtësisht personale dhe nuk pajtohen doemos me qëndrimet e Germin-it.