Viktor Eftimiu, boboshtari i madh i Bukureshtit

Kopi Kyçyku

Fitues i Shqiponjës së Artë “Zëri i Komunitetit në Diasporë”

Më 23 qershor 1971 në Pogradec erdhi për vizitë nga Rumania shkrimtari i shquar Viktor Eftimiu. E quajti të dobishme të thithte për disa orë ajrin që pat thithur në rini më i madhi poet lirik shqiptar, i formuar në Rumani e në botën gjermanike, Lasgush Poradeci, për ta vazhduar udhën për në fshatin Boboshticë, ku Viktori pat parë diellin më 1889 dhe nga ku, në fëmijërinë e brishtë, do të nisej drejt dheut të dakëve. Ashtu si elefanti, i cili kur e ndjen se po e lënë fuqitë, i mbledh ato pak energji që i kanë mbetur dhe me ngut drejtohet në pikënisje, pas një viti, më 1972, Eftimiu u rikthye në Boboshticë, e puthi tokën e stërgjyshërve dhe, ndofta për t’i bërë nderimin e fundit vendlindjes së Lasgushit, u ndal edhe një herë në Pogradec. Kur një „perëndim i vagëlluar” po ndehej „mbi liqerin pa kufir”, Eftimiu, i cili „Për foshnjat, për opingën u përpoq / Dhe vargun nganjëher’ keq nuk e poq”, „i mbylli sytë, kur s’bënte dot gjë tjetër”.

Më ka mbetur si stolí e çmuar një nga librat e tij, „Kimonoja me yje”, të cilin ma dhuroi me një autograf prekës: „Shokut dhe kolegut Kopi Kyçyku, me afeksionin e ngrohtë të Viktor Eftimiut”. Po aty, në faqen tjetër, kushëriri i tij, aktori i njohur i Teatrit Kombëtar Rumun, Kiril Ikonomu, i cili e shoqëronte, shtoi: „Shokut Kopi Kyçyku, i cili, me dashamirësi dhe me inteligjencë, na e bëri të këndshme vakancën tonë. Me shumë simpati e me kujtime të paharruara”. Në librin autobiografik „Teatri i vjetër Kombëtar dhe shërbyesit e tij në kujtimet e një aktori me prejardhje shqiptare”, që botoi në Bukuresht, në vitin 1998, Ikonomu rimerr vlerësimet për mua, duke vënë në dukje: „Foli pastaj një profesor, në një rumanishte të përkryer, që e paraqiti (Eftimiun – sh. im) si shkrimtarin më të madh shqiptar” (f.198). Janë vlerësime që ndoshta nuk i meritoj në shkallë kaq të lartë, por i përmenda që të shpalos shpirtmadhësinë e tyre dhe njëherazi t’u shpreh mirënjohjen e thellë.

Atë ditë vere, disa orë para mbërritjes së Eftimiut, në zyrën time (isha zëvendëskryetar i Komitetit Ekzekutiv të KP të Rrethit të Pogradecit), ia behu Kristaq Hobdari, drejtor në Ministrinë e Arsimit e të Kulturës. Pasi kishte marrë edhe pëlqimin e ministrit Thoma Deljana, që ndodhej me pushime në Pogradec, më ftoi të merrja pjesë në veprimtaritë që do të zhvilloheshin për nder të mikut të shquar nga Rumania. Thoma Deljana m’u afrua dhe më pëshpëriti në vesh: „Duhet ta vemë në dijeni Eftimiun se, me të mbërritur në Tiranë, do ta presë shoku Enver”. Takimi i Thoma Deljanës me Eftimiun, ku nuk mori pjesë as përkthyesi zyrtar, profesori Vehbi Bala, dhe as sekretarja e Eftimiut, zonjusha Ankuca Kendi, u zhvillua në vilën ku vinte për të pushuar Enver Hoxha, buzë liqenit. Kur përktheva ato që tha Thoma Deljana, Eftimiu u ngazëllye si ndonjë fëmijë dhe e luti ministrin, me lotë në sy, t’i transmetonte Enver Hoxhës, „këtij udhëheqësi dhe njeriu të madh”, urimet më të ngrohta dhe „mirënjohjen më të thellë që po gjen kohë të më takojë”. Ky mesazh i Eftimiut iu dërgua menjëherë Haxhi Kroit, sekretarit personal të Enver Hoxhës. Biseda Hoxha – Eftimiu, që filloi në prani të të gjithë personave që kishin ardhur me të nga Bukureshti, vazhdoi në intimitet, kokë më kokë, mbi dy orë, në gjuhën frënge.

Gjatë qëndrimit të Eftimiut në Shqipëri, e takova edhe dy herë të tjera. Duke krahasuar Nikolae Çausheskun me Enver Hoxhën, më tha në konfidencë: „I yni është këpucar, i juaji është Salazar”. Pastaj më bëri shumë pyetje për letërsinë shqipe dhe për talentet e reja. U gëzua kur, tek po shëtisnim buzë liqenit, e vura në dijeni se në Shqipëri, jo vetëm vlerësoheshin krijimet origjinale, por, disa syresh përktheheshin edhe në gjuhë të huaja. Në një çast i recitova në shqip sonetin „Sa do të desha…”. „Sa bukur tingëlloka!” gati klithi nga habia. „Cili e ka përkthyer?” „Unë”. „Gëzohem shumë, i shtrenjti koleg, dhe të falemnderit. Por, meqënëse miku është i çmendur: nuk di kur vjen dhe as ç’lyp, do të desha të shihja në shqip të paktën njëqind nga shtatëqind sonetet e mia. E shoh që të pëlqejnë, madje i ditke edhe përmendësh!” I premtova dhe nuk harrova. Krahas botimit të dhjetra soneteve në shtyp dhe transmetimit të herahershëm të tyre në radio e në televizion, më në fund, nën titullin „Sytë e shtatoreve”, shqipërova dhe botova më 1998 një vëllim me njëqind e një sonete të Eftimiut, në Shtëpinë Botuese „Dukagjini” të Pejës, me parathënie të akademikut Rexhep Ismajli.

Kritiku i mirënjohur i letërsisë rumune, Al. Piru, – atëkohë drejtonte gazetën „Dimineaţa” (Mëngjezi), ku më botoi disa artikuj për zhvillimet në Shqipëri dhe për letrat shqipe, – i cili pohonte me krenari se kish një dell nga fshati Zvirinë, që ndodhet në gjymërrugën Pogradec-Korçë, në dimrin e vitit 1991, tek po pinim nga një gotë në Klubin e Shkrimtarëve të Rumanisë, në Calea Victoriei (Rruga e Fitores), më befasoi kur më tha se Eftimiu nuk harroi, derisa vdiq, dy gjëra: emocionet nga „takimi” me varret e të parëve të vet në Boboshticë dhe „bukurinë hyjnore” të Pogradecit.

Sikur të dëgjonte edhe të tjera për jetën tradicionale të këtij qyteti, me siguri do t’i kish hyrë edhe më fort në zemër boboshticarit të madh. Bie fjala, po të kish dëgjuar për karnavalet, për kolendat, për vargun e gjatë të netëve të gdhira me musht e verë pas vjeljes së rrushit në vjeshtë, apo me mish e raki, me llukanikë (kolloface) e pastërma pas therrjes së përvitshme të derrit në palcën e dimrit, për rrëshqitjen me koleshka në akull, për mbledhjen e kukurakëve në Kalà në ditën e parë të pranverës. Le pastaj po t’i rrëfenin për ditën e emrit, kur i kremtuari priste të krishterë e myslimanë, të cilët, duke ngritur kupën me raki e duke marrë një karamele, i uronin jetë të gjatë e mbarësi. Kjo i ndodhte secilit vetëm një herë në vit. Në ditën e Shën Prokopit, për shembull, të gjithë shkonin për urim tek ata që quheshin Prokop apo Kopi; në ditën e Shën Pandelimonit, urimet u bëheshin atyre që quheshin Pandi apo Pandeli; në ditën e Shënkollit urimet u drejtoheshin atyre që quheshin Koli, Nikolla apo Niko e kështu me radhë. Vizitat, pra, vazhdonin tërë vitin dhe njerëzit, duke u takuar shpesh, i mbanin të fuqishme lidhjet me njëri-tjetrin. Pogradeci ka qënë kurdoherë mikpritës, si ndonjë fshat i madh. Kujtoni tregimin e Mitrush Kutelit „Fshati im e pi rakinë” dhe poezinë e Lasgush Poradecit „Kroi i fshatit tonë”. Dhe e kish jo vetëm zemrën bujare, por edhe mundësitë për ta mbajtur sofrën përherë të shtruar e të pangritur. Deri më 1967, çdo pogradecar kishte nga një copë tokë, – vresht ose bahçe, – që e punonte me kujdes e pasion. Me t’u kthyer nga puna që bënte në ndërmarrje, apo në administratë, secili merrte lopatën apo kazmën, dhe kalonte orë të tëra në mallin e vet. Ishin orë çlodhëse, jo lodhëse, sepse shihte dhe u gëzohej fruteve të djersës. Krahas kësaj, çdo familje mbante lopë, dhi, pula e rosa, ose rriste nga një derr në kotecin e oborrit. Duke u marrë me punë, pogradecarët, edhe sikur të donin, nuk kishin kohë për llafe. U mjaftonte mënyra si jetonin: u dilte edhe për vete, edhe për miqtë. Në simbiozën e përkryer pejsazh-njeri nuk ishte e lehtë të dalloje nëse pranvera, vera, vjeshta e dimri ishin më të bukura në Pogradec, apo Pogradeci ishte më i bukur në secilën stinë…

Dhe jo vetëm për këto. Atëhere dëgjoje të thuhej se Pogradeci, sa afër gjeografikisht me Korçën, aq larg ishte për nga zakonet: kjo vetëquhej me mburrje „Paris i Vogël”, ndërsa ai me modesti „Fshat i Madh”. Por erdhi ai vit i zymtë 1967, partia vendosi që pogradecarët t’ia dorëzonin „vullnetarisht” vreshtët shtetit. Sa për bahçet, ky i fundit do ta zgjidhte vetë duke ndërtuar mbi to banesa me punë vullnetare! Edhe ditët e emrit, edhe Pashkët, edhe Bajrami, edhe karnavalet, duheshin zhdukur, se sillnin paragjykime. Por edhe pulat e rosat e çdo shpend a zog tjetër duheshin shfarosur. Nuk paskej më vlerë as mishi e as vezët e tyre. Le pastaj lopët apo dhitë! Të mos u zihej më në gojë emri!… Çdo gjë që të kujtonte pronën private, duhej hequr nga koka e nga fjalori, se të kthente prapa, drejt kapitalizmit!

Pogradecarët nuk po kishin më sebep të shkonin për vizitë tek njëri-tjetri për urim, nuk kishin më raki, verë, perime, fruta e mish nga pronat e tyre modeste. Tani gjithçka duhej ta blinin me parà në dorë. E, meqë këto po u mungonin, atje, në klub, krahas rakisë, zunë ta pinin edhe mendjen e të nxirrnin ndonjë fjalë „të papjekur”, madje edhe „armiqësore”. Ca ranë në burg për këtë shkak, të tjerë ngaqë i kapën në kufi tek përpiqeshin të kalonin matanë. Duke kujtuar se fajin për varfërinë ia kish shoku, miku, krushku, madje edhe vëllai e motra, filluan të spiunonin njëri-tjetrin. Shkurt fjala: gjithçka e mbarë mori fund.

Si veteran i Frankmasonerisë, Viktor Eftimiu, edhe pse kjo në atë kohë në Rumani ishte rreptësisht e ndaluar, më foli, – për të qënë brenda, theksoi: „thjesht për kulturë”, – mbi parimet e platformën e saj. „Ku i dihet: ndonjë ditë mund të të hyjnë në punë. Ose, të paktën, thjesht për zgjerimin e horizontit tënd s’është keq t’i dish edhe këto gjëra”. Në të thellat e Frankmasonerisë më futi dhe më bëri t’i simpatizoj idetë e saj, dijetari i shquar liberal Dan Amedeu Lazaresku, të cilin e njoha më 1991, në ditët e krijimit të Fondacionit Evropian „Nikolae Titulesku” dhe mbetëm miq deri sa ndrroi jetë më 2003.

Siç e thashë qysh në fillim të këtij shkrimi, Viktor Eftimiu (1889 – 1972) u çmall dy herë me vendlindjen, nga ku pat mërguar me familjen në moshën dhjetë vjeç.

Krijimtaria e Eftimiut është e gjerë dhe e shumanshme: 140 vepra, rreth 60 mijë vargje poetike, 701 sonete, plot drama, komedi, romane, novela, tregime, … Në historinë e letërsisë rumune nuk gjendet asnjë shkrimtar tjetër që të ketë lëvruar të gjitha gjinitë, pa asnjë përjashtim, me nivel të lartë artistik. Pjesët teatrore të tij “Njeriu që pa vdekjen me sy” dhe “Prometeu” janë shfaqur edhe në skenat tona.

Në krijimet e Viktor Eftimiut lirizmi depërtues, ngrohtësia dhe njëherazi freskia prej vese mëngjezore vijnë natyrshëm, të shoqëruara nga “mikeshat” e pandara e përherë tërheqëse – figurat artistike e stilistike, humori, muzika e brendshme.

Autori nuk pushon së lëmuari vargjet me limën e vet të mprehtë:

“S’ka vend për vetëkënaqje, sot e mot:

Në mbledhsh çastet ‘me bukë’, nuk mbush dot

Më shum’ se një grusht ditësh (një jetë punë!).

 

Viktori:

“Për foshnjat, për opingën u përpoq,

Dhe vargun nganjëher’ keq nuk e poq,

I mbylli sytë kur s’bënte dot gjë tjetër”.

 

Veprat e tij:

“E shprehën dashurinë me fjal’ të rralla,

Urrejtje derdhën mbi lajkat e smirën,

Meritmin proletar ndriçojn’ të mirën,

Përpjekjet, ëndrrat, hovet më të gjalla”.

 

Dhe tani dy Dulcis in fundo:

1. Falë autoritetit dhe peshës që i kishte fjala, Viktor Eftimiu ndërhyri dhe ia doli mbanë ta shpëtonte nga internimi në kampet naziste të përqëndrimit aktorin e famshëm shqiptar Aleksandër Moisinun, të cilin dyshonin se kish prejardhje hebraike.

2. ” Është shëmbullore forca gjigante e këtij populli shqiponjash, plot vrull, që i ka bërë ballë me armë në dorë vërshimit gjuhësor të huaj duke ditur të konsolidojë strukturën zanafillore, origjinale, të gjuhës së vet amtare. Forca dhe qëndresa e shqiptarëve janë dëshmi e vitalitetit, e vetëdijes kombëtare, çka përshfaqet aq dendur në këngët popullore shqiptare, tok me heroikën pa të dytë. Duhet theksuar veçmas aftësia e shqiptarëve që, edhe në baladat zhbirojnë përsëthelli realitetin, pa vënë në punë alegori e simbole si qëllim në vetvete.Ajo që e shquan në mënyrë të përkryer shqiptarin është shpirti kritik, ironia e hollë, sarkazma, zakoni për të shakatuar me mprehtësi mendore të rrallë”.