Andrra për të kontribuar në Kosovë…

A thua si do të ishte Vushtrria gjatë stinës së vjeshtës apo dimrit? Ja parashtrova vetës këtë pyetje kur pash se sa shumë mërgimtarë kishin ardh në qytetin më të vjetër të Kosovës(lexo: Vushtrri) për t’i kaluar pushimet. Ky qytet dhe fshatrat përreth janë në mesin e tyre komunave që janë të varura nga diaspora jonë. Rreth 18 mijë e 439 qytetarë jashtë vendit[1], Vushtrria pret dhe i drejton sytë nga Gjermania, Suedia, Austri e Zvicra – ku për shumë qytetarë të saj janë vatra të migrimit.

***

Udhëtimi për në Vushtrri u bë për një shkas, vetëm e vetëm për t’i takuar mërgimtarët atje gjatë edicioni DiasporaFlet n’Vushtrri, organizuar nga OJQ Germin. Tre panelistët e ftuar në takimin joformal me të rinjtë vushtrrias, Vehbi Haliti (Austri), Ganimet Bajraktari (Austri) dhe Avni Dervishi (Suedi) çdo verë marrin rrugë për të ardhur në Kosovë me vetëm një arsye sipas tyre: Sepse një pjesë e zemrës së tyre rrah akoma për Kosovën ku e gjejnë qetësinë shpirtërore.

Tregimet e tre panelistëve për migrimin dhe jetën jashtë atdheut janë libra në vete. Të tre kanë historik të ngjashëm sa i përket migrimit, mirëpo angazhimi i tyre për fuqizimin e diasporës po bëhet në mënyra të ndryshme.

“Shkuarja në Austri për mua ka qenë sikur një fëmijë kur lind: Një grua shqiptare, me dy fëmijë dhe pa asgjë tjetër në duar dhe të fillojë nga mësimi i gjuhës e deri tek shkollimi. Ne e morëm atë rrugë, rrugë pa kthim. Edhe pse po kthehemi në Kosovë, po jemi të gjymtë sepse kemi një mall për vendlindjen”, rrëfente Ganimetja momentet e para në Austri para 25 vitesh.

Ganimetja tregoi që tash e pesë vite në mënyrë të vazhdueshme kontribuon me punë humanitare në Kosovë për fuqizimin e grave në pjesët rurale dhe në përmirësimin e personave me nevoja të veçanta.

Edhe për Vehbin dhe Avniun këto pengesa karakterizuan rrugëtimin e tyre në gurbet. Me shumë guxim dhe plotë sfida, këta janë ambasadorët me të mirë të Kosovë duke e promovuar dhe punuar në zhvillimin ekonomik, social e politik.

Vehbi Haliti, i cili sot është përgjegjës organizativ në shoqatën “X”, mban në mend detajet e para të organizimit të shqiptarëve në diasporë në vitin 1996.

“U mbledhëm në një qytet të vogël, atëherë pa status të rregulluar dhe vendosëm më kriju këshillin iniciues “Migjeni”, duke e ndihmuar Kosovën në luftën e saj. Por, sa ka bërë shteti ynë për neve pas lufte?”- tha Haliti.

Ndonëse kanë kaluar 18 vite pas përfundimit të luftës, diaspora jonë, vazhdon të zgjënjehet dhe dëshpërohet me gjendjen e krijuar në Kosovë dhe qasjen që ne e kemi ndaj tyre.

“Eh erdhën këta… shacat… ausllanderat” – këta që çdo vit po ia sjellin Kosovës rreth 700 milionë euro me anë të transferove bankare, dhe me siguri dyfishin e saj larg transaksioneve bankare.

Kurse Avni Dervishi, i pyetur se pse çdo verë është në Kosovë u përgjigjë: Sepse këtu (Kosovë) edhe buka e ka shijen e vet, është pa sheqer e jo si në Suedi.

Këtë lidhje aq të fortë emocionale, institucionet dhe të gjithë ne duhet të kujdesemi që ta rruajnë edhe gjeneratat e dyta dhe të treta. Por, edhe integrimi në vendet pritëse është i rëndësishëm.

“Integrimi në vendin ku jeton është i nevojshëm, sepse të bën më të fortë, të bën faktorë për të ngritur zërin nëse të drejtat e juaja shkelen. Edhe pse shumë shqiptare janë asimiluar, por duke u integruar e kupton mendjen e popullit ku jeton”, propozoi Avniu.

“Unë jom edhe suedez edhe shqiptarë, sepse gjaku s’bahet ujë” – tha Avniu.

Avni duke kujtuar kohën gjatë studimeve në Universitetin e Lund-it, Suedi ku s’kishte asnjë shoqate të studentëve shqiptarë, tregonte se rëndësinë e fuqizimit të rinisë dhe grave në Kosovë, duke i lidhur me rrjetet e studentëve nëpër botë.

Të pyetur se si diaspora mund të bëhet faktor kyç dhe kontribuojë në mirëqenien e vendit, panelistët kërkuan nga të pranishmit t’i shfrytëzojnë kontaktet e tyre dhe të krijohen ura lidhëse përmes:

  1.    Vizitë studimore në suharekë për ta kuptuar se si diaspora ka invenstuar në vendin amë;
  2.    Krijimin e rrjetit te profesionistëve shqiptare;
  3.    Vizita studimore te studentëve shqiptarë në europë; dhe
  4.  Vizita studimore të shoqatave shqiptare të grave dhe personave me aftësi të kufiar në Europë.

***

Fjolla Vukshinaj ka studiuar Shkencë Politike në Universitetin e Prishtinës dhe aktualisht është duke ndjekur studimet postuniversitrare në drejtim Integrime Europiane dhe Administratë Publike në Fakultetin Filozofik, Universiteti i Prishtinës. Ajo punon si koordinatore e projekteve në Germin. 

Diskutimet DiasporaFlet organizohen nga organizata joqeveritare Germin me qëllim të motivimit të të rinjëve për të qenë pjesë e rrugëtimit të ndryshimeve. Ato përfshijnë tema nga fusha e arsimit, teknologjisë, biznesit, shkencës, mjekësisë, etj. dhe synojnë promovimin e tregimeve të suksesit të diasporës dhe frymëzimin e gjeneratave të reja. Këto takime përkrahen nga Friedrich Ebert Stiftung, Prishtina Office.


[1] Agjensioni i Statistikave të Kosovës, Migrimi Kosovar, 2011, qasur më 15 gusht 2017 http://ask.rks-gov.net/media/1379/migrimi-kosovar-2014.pdf