DiasporaFlet n’Detroit, takim me komunitetin shqiptar

Germin pas takimit me shqiptarët në Washington D.C., dhe në New York, organizon ngjarjen DiasporaFlet n’Detroit, në kuadër të iniciativës Dialogu i Strukturuar për të Drejtat e Diasporës. Qëllimi i këtij takimi është që të marrin informata të hollësishme për mendimet dhe perceptimet e diasporës në lidhje me të drejtat dhe nevojat e tyre politike e sociale në vendet amë. Kjo ngjarje, sipas Germin-it, do të jenë të dobishme për të organizuar idetë sa i përket ngritjes së vetëdijes për të drejtat shoqërore dhe politike të diasporës.

Ngjarja DiasporaFlet n’Detroit, mbahet më 24 maj 2017, e cila ka për qëllim takimin me komunitetin shqiptaro-amerikan, për të diskutuar rreth të drejtave sociale dhe politike të diasporës. Ky organizim bëhet në bashkëpunim me sipërmarrësit Etrit & Edi Demaj si dhe Elsa Malile.

Vendodhja: 1420 Washington Blvd 3rd Floor Detroit, MI 48226, duke filluar nga ora 19:30.

 

Cili është qëllimi i takimit?
Diaspora është kontribuues kyç në ekonominë e vendit, dhe në zhvillimin e saj shoqëror e politik. Për të njohur kontributin e saj dhe për të nxitur që të arrijnë potencialin e plotë, organizata Germin ka filluar nismën për Dialogun e Strukturuar për të Drejta të Diasporës (DSDD).

Për të mësuar më shumë rreth nismës DSDD, Germin fton të gjithë bashkatdhetarët të na bashkëngjiten në ngjarjen DiasporaFlet n’Detroit, ku do të kemi edhe një koktej rasti dhe një mikrofon të hapur (Open Mic) për t’u njohur dhe diskutuar rreth mundësive për bashkëpunim. Në këtë ngjarje përfaqësuesit e Germin-it do të flasin shkurt për qëllimin e iniciativës DSDD, platformën Diasporaflet.org dhe se si ju mund te bëheni pjesë përkrahëse e saj. Po ashtu, gjatë këtij takimi do të prezantohet misioni dhe puna e organizatave/individëve/bizneseve shqiptare në ShBA dhe do të flasim për potencialin e mërgatës tonë.

Iniciativa Dialogu i Strukturuar për të Drejtat e Diasporës përkrahet nga programi Promovimi i Shoqërisë Demokratik Democratic Society Promotion – DSP – i financuar nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë (SCO-K) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe menaxhohet nga Kosovar Kosovar Civil Society Foundation – KCSF.

Të gjithë të interesuarit mund të na shkruajnë në [email protected] ose në faqen tonë në Facebook: Germin.
Vegëza për takimin në Detroit : https://www.facebook.com/events/429183440787230/?fref=ts

Kush është Germin?
Germin është një organizatë jo-qeveritare, e themeluar në vitin 2014 në Kosovë, e cila me anë të teknologjisë dhe kanaleve të tjera virtuale, angazhon diasporën në zhvillimin dhe demokratizimin e vendeve të tyre të origjinës. Ne mundohemi të hulumtojmë dhe të sjellim kanalet e ICT-së për të lehtësuar dhe forcuar lidhjet mes diasporës, qytetarëve dhe qeverive në Ballkanin Perëndimor. Ne kemi një ekip të shkëlqyer të profesionistëve nga fusha e politikave publike, financave, teknologjisë, drejtësisë, edukimit dhe sigurisë. Germin ka një rrjet prej 20 profesionistëve dhe 33 kontribuues nga 12 shtete të botës që janë të përfshirë në ekipin tonë.
Organizata jonë ka themeluar dhe menaxhon Kosovo Diaspora, një platformë digjitale dhe promovuese e diplomacisë publike, e cila afron shqiptarët që jetojnë dhe veprojnë jashtë shteteve amë përmes vijave teknologjike, duke shërbyer kështu si një promotore e të arriturave dhe punës që ata vazhdimisht bëjnë, dhe njëherit të sigurohemi të gjejmë mënyrën e duhur që të shfrytëzojmë potencialin dhe aftësitë e tyre për të kontribuar edhe në shtetet e tyre amë.