DiasporaFlet në Londër

Në mënyrë që të njoftohemi më nga afër me problemet, sfidat dhe mundësitë e komunitetit shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar, Germin ka mbajtur takim me bashkatdhetarët në Londër në kuadër të ngjarjes Diasporaflet n’ Londër.

“Bashkëbisedimi në Londër ishte mënyra më efikase për Germin-in që të marr informata të hollësishme për mendimet dhe perceptimet e diasporës”, tha Liza Gashi, Drejtoreshë e Programeve në organizatën Germin. Znj.Gashi gjatë këtij takimi, prezantoi iniciativën Dialogu i Strukturuar për të Drejtat e Diasporës si dhe platformën Diasporaflet.org. Në këtë takim, u diskutuan tema të ndryshme, duke përfshirë edhe të drejtën e votës, shëndetësinë, angazhimin e profesionistëve nga diaspora, pjesëmarrjen në zgjedhje dhe përfaqësimi i tyre në institucionet dhe organet politikëbërëse në shtetet amë.

Indira Kartallozi, anëtare e Bordit Këshillues të Germin-it, kërkoi nga mërgata jonë që takimet e tilla të shfytëzohen për të sjellë zgjedhje inovoative për problemet që ka mërgata. Ajo potencoi se “Roli ynë (i diasporës) është të fillojmë dialogun, t’i njohim të drejtat tona, por edhe ta kuptojmë rëndësinë e aftësive, si dhe t’i përdorim ato në dobi të trojeve tona shqiptare. Germin-i  ka një rol të rëndësishëm, të lehtësojë këto diskutime dhe t’i fuqizojë këto potenciale”.

Gjatë këtij takimi u prezantuan edhe disa iniciativa dhe organizata të komunitetit shqiptaro-britanik.

Brikena Muharremi foli rreth organizatës që ajo e udhëheqë BALA (Shoqata e Avokatëve Shqiptaro-Britanik). Aktivitetet kryesore të kësaj shoqate përfshijnë organizimin e ligjëratave të cilat kanë për qëllim edukimin e publikut rreth temave aktuale në fushën e drejtësisë. Deri më tani, BALA ka pasur një bashkëpunim të mirë me profesionistët më të mirë nga fusha e drejtësisë. Ndërsa, Matilda Halili para të pranishmëve tregoi se mobilizimi dhe solidarizimi i komuniteti shqiptar është shumë i madh. Shoqatën që ajo drejton “Arbëria” mbështesin, inspirojnë dhe fuqizojnë komunitetin shqiptarë në Mbretëri të Bashkuar. Halili përmendi disa nga shërbimet që kjo shoqatë ofron si: trajnime, mësimi i gjuhës, aktivitete zbavitëse  etj.

Për dallim nga dy folëset të cilat udhëheqin dy shoqata në Mbretëri të Bashkuara, Joan Xoxe dhe Alfred Gjoshi, të dy emigrantë nga Shqipëria,  folën se si biznesi i tyre Alisar Prospects ka mbështetur grupet e margjinalizuara, duke iu mundësuar integrim të plotë në shoqëri përmes trajnimeve, konsultimeve dhe programeve specifike.

Në këtë ngjarje, duke marr parasysh që mikrofoni ishte i hapur për të gjithë, mundësi patën dhe të tjerë të shpalosin idetë, kërkesat dhe punën që ata e bëjnë për komunitetin shqiptar dhe vendin amë. Për këtë edhe Heroina Telaku, nga ambasada e Kosovës në Londër u shpreh se përkrahë iniciativën e Germin-it për të fuqizuar rolin e diasporës në proceset politikëbërëse në vendet e origjinës.

Në kuadër të vizitës në Mbretërinë e Bashkuar, shfrytëzuam rastin t’i realizojmë disa takime frymëzuese duke parë nga afër punën e shumë shqiptarëve atje, si dhe mënyrat, me të cilat ata kanë arritur t’i tejkalojnë pengesat gjatë rrugëtimit të tyre atje. U takuan me ambasadorin e Kosovës në Londër, z.Lirim Greiçevci, me të cilin disktuam rreth iniciativës për të drejtat politike dhe sociale të diasporës. Ambasadori Greiçevci shprehu përkrahjen e tij të plotë për bashkëpunim të ndërsjelltë. Po ashtu, Germin takoi disa anëtarë të biznesit për të mësuar më shumë rreth punës dhe sfidave të të bërit biznes në Londër. Ekipi i Germin u taku me Visar Statovcin,  i cili është bashkëthemelues i kompanisë britanike Waste Creative; po ashtu u takuan edhe me  4M Group, të cilën e udhëheq arkitekti i mirënjohur Përparim Rama;  biznesin Rush Hair që udhëhiqet nga Gentiana Restelica. U takuan edhe me Luljeta Nuzi, udhëheqëse e shoqatës Shpresa Programme në Londër.

Germin është duke vazhduar udhëtimin në disa shtete të botës për t’u takuar me bashkatdhetarët tanë. Në fund të muajit, Germin publikon raportin e parë me kërkesat dhe sugjerimet e dala nga Fokus Grupi si dhe ngjarja DiasporaFlet n’Londër. Nga këto takime, do të themelohet Grupi Avokues i Diasporës, i përbërë me tema të ndryshme. Nëse jeni të interesuar, ju lutem plotësoni këtë formular.

https://docs.google.com/forms/d/1Vj6Ng7fdbROXRwijbDx96ZDGzkrOLQD8xP8GOp3ab0Q/viewform?edit_requested=true