Kartallozi: Gratë mërgimtare janë ambicioze dhe punëtore, i ruajnë vlerat e familjes

Indira Kartallozi është themeluese dhe drejtoreshë e Chrysalis Family Futures – një ndërmarrje shoqërore që merret me mbrojtjen dhe fuqizimin e të drejtave të njeriut dhe të drejtat shoqëroro-ekonomike të familjeve dhe grupeve të margjinalizuara. Ajo gjithashtu është themeluese e Migrant Entrepreneurs International në Britaninë e Madhe. Si një refugjate nga Kosova, në intervistën dhënë për OJQ Germin, ajo flet për vlerat dhe imazhin e grave shqiptare në diasporë. Sipas Indirës sot gratë shqiptare janë ambicioze, të qëndrueshme dhe punëtore. “Roli i tyre është tejet i veçantë sepse që nga mërgimi kanë pranuar të punojnë çfarëdo pune, në mënyrë që t’i përkrahin fëmijët dhe familjet, por edhe t’i ruajnë vlerat familjare dhe kombëtare” shprehet Kartallozi.

1.Kush është Indira Kartallozi? Çfarë të solli në Britaninë e Madhe. Pse vendosët të largoheshit nga Kosova?

Mendoj se jam, dhe mburrem të jem një grua me virtyte të trashëguara nga gjeneratat e grave shqiptare, kujdestare të familjes, fëmijëve, shoqërisë dhe punës. U largova nga Kosova që nga viti 1987, fillimisht si studente duke i ndjekur ambiciet e njohurisë së gjuhës angleze dhe pavarësisë personale. Pastaj edhe në vitin 1992, kur shumë të rinj iknin nga Kosova dhe nga turbullirat e shkaktuara nga okupatorët e asaj kohe. Kam quenë aktiviste e rregullt, në atë mënyrën time mendoja të  luftoja për ato  padrejtësi të cilat i përjetonim. Largimi im ka qenë një vendim shumë i vështirë, por, i duhur.  

2. Po e nisim intervistën me punën tuaj në Chrysalis Family Futures dhe në Migrant Entreprenues International. Ju keni themeluar këto dy organizata. Cili është qëllimi i punës tuaj?

Puna ime gjithmonë ka qenë e ndërlidhur me të drejtat e njeriut, sidomos të grupeve të margjinalizuara, refugjatëve dhe mërgimtarëve. Shoqëria jonë njerëzore është shumë e ndarë dhe e pabarabartë. Këto pabarazi ekzistojnë në çdo sferë. Nëpërmjet të dy organizatave të krijuara mundohem t’i zvogëlojë dukuritë negative ndaj njerëzve, sidomos refugjatëve dhe mërgimtarëve. Duke u përqendruar në vizionin për promovimin e anëve pozitive të këtyre grupeve.  Konkretisht, promovimin e kontributit pozitiv. Si atë shoqëror,  kulturor dhe ekonomik. Gjuha botërore e përshkrimit të emigrantëve shumë shpesh i etiketon ata si  ‘të nevojshëm’ por jo ‘kontribues’.  Ekzistojnë hulumtime me dëshmi se mërgimtarët, sidomos nga origjina refugjate kanë kontribuar më shumë ekonomikisht se sa që flitet. Unë dua t’i promovojë mu këto fakte dhe ato aftësi të njerëzve të cilët vijnë me përvoja të mëdha jetësore.  Me shpresë se do ta ndërrojmë përceptimin e migrantëve, të  jemi më të pranueshëm, më mikpritës dhe t’i hapim dyert dhe kufijtë tonë.

3. Si një refugjate/emigrante nga Peja, ju në vitin 2015 ishit finaliste për Gruan Migrante të Vitit. Sa ishte i vështirë integrimi në shoqërinë britanike?

Si çdo refugjate, integrimi në shoqëri të huaj është i ngadalshëm dhe varet nga shumë faktor. Pasi që është dukuri reciproke, të jesh i suksesshëm në shoqëri të huaj të duhet ta përvetësosh integrimi edhe kulturën e tyre. Me përvetësimin e kulturës angleze më është dhënë rasti të  njoh dhe përvetësoj kultura të tjera botërore.  Kur jeton në një shtet të huaj e prezanton jo vetëm veten, por edhe kombin e shtetin nga vjen. Për mua ka qenë primare që t’i dëshmoj shoqërisë angleze virtytet tona pozitive por edhe të mësoj shumë. Andaj mendoj se jeta ime personale dhe karriera janë kultivuar mu nga këto parime të mia; të jem zemër hapur dhe t’i pranoj njohurit e reja. Këto mi kanë hapur dyert botërore.

4. Ku gjendemi sot me imazhin e grave shqiptare të përcjellë nga shoqëria britanike dhe mediat atje? Çfarë roli ka gruaja shqiptare  në diasporë?

Sa pyetje e këndshme! Me krenari e quaj veten shqiptare pasi që imazhi që e kemi momentalisht është mjaft i ngritur.  Jo vetëm për shkak të shqiptarëve të suksesshëm si Rita Ora, Bebe Rexha, Dua Lipa apo Era Istrefi, por edhe për shkak të atyre grave të cilat dominojnë në sfera të ndryshme profesionale. Duke filluar nga shkencëtaret, akademiket, avokatet, themelueset e organizatave dhe bizneseve të suksesshme, por edhe amviset tona! Nënat dhe gratë e diasporës janë ambicioze, të qëndrueshme dhe punëtore. Andaj, roli i tyre është tejet i veçantë sepse që nga mërgimi kanë pranuar të punojnë çfarëdo pune, në mënyrë që t’i përkrahin fëmijët dhe familjet, por edhe t’i ruajnë vlerat familjare dhe kombëtare. Puna dhe krijimtaria e këtyre nënave dhe grave në diasporë do të shihet në gjeneratat e ardhme. Unë mburrem me këto krijimtari të grave tona dhe besoj se jam pjesë e saj.

“Puna dhe krijimtaria e këtyre nënave dhe grave në diasporë do të shihet në gjeneratat e ardhme. Unë mburrem me këto krijimtari të grave tona dhe besoj se jam pjesë e saj”

5. Çfarë do të thotë ‘fuqizimi i gruas’ për ju. Po i burrit?  Çfarë mund të bëjmë si shoqëri që vajzat dhe djemtë e rinj të rriten në një frymë të barazisë sociale?

Mundohem të mos e konsideroj si ‘fuqizim të gruas’ por ‘fuqizim gjinor’. Ne kemi nevojë për të drejta të barabarta, pa e përulur apo poshtëruar gjininë tjetër. Duhet të bisedohet për këtë temë më shumë si çështje e gjithë shoqërisë, e jo vetëm e gruas. Ne jemi në prag të transformimeve të cilat janë paralele me ato të botës. Jemi shumë të shpejt dhe të aftë t’i përvetësojmë të gjitha . Andaj vizioni im për trojet tona është shumë optimist. E për të rinjtë tonë mesazhi është një thënie  nga J F Kenedi “Mos pyet se çfarë mund të bëjë shteti për ty, por çfarë mund të bësh ti për shtetin.” Kjo është shumë reale për ne. Andaj vajzat dhe djemtë e rinj duhet ta ri-definojnë shoqërinë tonë, të mësojnë dhe të aftësohen në çdo lami. Mirëpo, edhe t’a krijojnë këtë transformim i cili është i duhur. Kjo i mposhtë të gjitha pabarazitë.

6. Ka një problem në Kosovë me konceptim feminizëm. Si do ta shpjegonit ju?

Feminizmi është një koncept i cili shpesh keqkuptohet dhe keqpërdoret nga të dyja palët. Feminizmi është një frymë e cila kërkon të drejta të barabarta të gruas. Jo mbizotërim. Nëse keqpërdoret, krijon armiqësi dhe distancim në mes të dy gjinive.  Në një bisedë me të rinjtë e  Kosovës kemi debatuar gjatë sepse kam dëgjuar për ‘feminizmin ekstrem’ nga ky grup. Nëse feminizmi në shoqërinë tonë konsiderohet të jetë ‘ekstrem’, atëherë nuk është feminizëm! Çdo ‘ekstremizëm’ i tejkalon kufijtë dhe të  drejtat e barabarta.

7. A duhet të jemi të gjithë ‘feministë’?

Presionet e rregullave shoqërore ende janë të mbizotëruara nga gjinia mashkullore. Shoqëria shqiptare ende i çmon këto rregulla arkaike. Fatkeqësisht, gruaja shqiptare ende keqpërdoret dhe keqtrajtohet nga e gjithë shoqëria. Duke filluar nga vet shteti, politikanët, liderët, organizatat, mësimdhënësit etj, etj. Ndërsa të rrallë janë ata burra në shoqërinë tonë të cilët deklarohen të jenë feministë. Feminizmi duhet të mësohet në shkolla, por jo para se të edukohen mësimdhënësit më parë  P.sh.: dukuria e seksizmit është shumë e shprehur në përditshmërinë tonë. Sidomos në media. Ndryshimet e shoqërisë janë te pashmangshme, por, të ngadalshme. Mirëpo, rinia jonë i sjell këto ndryshime e kështu që ndikimet pozitive janë në rrjedhë.

Indira Kartallozi është anëtare e Bordit Këshillues në iniciativën Dialogu i Strukturuar për të Drejtat e Diasporës, OJQ Germin.

Intervista është botuar në shtojcën Shtojca “Koha për Gratë” në gazetën e përditshme Koha Ditora, e përgatitur nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Gruas – 8 Marsin.