Dilema: Përparësi lekëve apo kuadrove në mërgatë?!

Pas punës katër ditore, dje në Prishtinë me vizitën në tri komuna të Kosovës i përmbylli punimet Konferenca “Diaspora flet”, me kërkesën e pjesëmarrësve që institucionet e vendit ti qasen potencialeve të kuadrove jashtë vendit, para se parave të tyre .

Teksti: Rexhep Rifati

Rreth 150 profesionistë shqiptarë, fushash të ndryshme, nga mërgata e dhe rajoni, disa nga të cilët emra të shquar ekspertësh në shtet më të zhvilluara perëndimore, për katër ditë patën rastin të nxjerrin në shesh sado pak kapacitetet tona intelektuale e profesionale që kemi në ato vende përkundër kushteve të rrepta të konkurrencës.

Edhe nga tej Atlantiku me shpenzime personale

Shumica nga këta pjesëmarrës në moshë relativisht të re, që veprojnë në fushat e biznesit, arsimit, shkencës e shëndetësisë apo kulturës e mediave, që kishin ardhur edhe tej Atlantikut me shpenzime personale, dhanë kontributin e tyre përmes pjesëmarrjes në penale e seksionet e kësaj konferencë.

E veçanta e kësaj konference ishte se ajo u organizua kryesisht nga një grup prej dhjetë rinjsh, kryesisht femra, filluar nga drejtoresha e programeve të Germinit, Liza Gashi, e cila në fillim të kësaj konference tha se diaspora shpesh shihet sikur para, ndërsa që brenda kësaj diaspore ka shumë mendje të ndritura për të cilat ka nevojë rajoni. Ndaj edhe u bëri thirrje pjesëmarrësve nga diaspora që përmes rrugëtimit të tyre tu ndihmojnë gjeneratës së re, sepse siç tha ata kanë nevojë për storie pozitive.

Askujt nuk i hyn në punë një komunitet i përçarë!

Ndërkaq në përmbyllje të Konferencës, në oborrin e Ministrisë së Kulturës ( ku mungoi së paku një përshëndetje nga njerëzit që drejtojnë kulturën!), Liza Gashi duke falënderuar pjesëmarrësit dhe ekipin e saj të vyeshëm, potencoi se po bëhen përpjekje që diaspora jonë dinamike gradualisht po strukturohet ndaj edhe po shtohen përpjekjet nga ana Germinit që të gjenden modele sa më të përshtatshme dhe se konferencat e kësaj natyre mund të organizohen nesër edhe në Greqi, Finlandë apo vendet tjera, kudo që jeton dhe vepron mërgata jonë. Por që të jemi sa më të suksesshme të bëjmë përpjekje, që mos ti shtymë interesat personale para se ato grupore, sepse askujt nuk i hyn në punë një komunitet i përçarë nga ego të ndryshme.

Në vijim po e sjellim edhe një pjesë të fjalës së Lazim Destanit, njërit nga afaristët më të fuqishëm shqiptar në mërgatë, por edhe pjesëmarrës aktiv në shumicën e organizimeve në Kosovë e gjetiu në trojet shqiptare:

“Në përgjithësi, diaspora e çdo vendi ka luajtur rol të veçantë për zhvillimin e vendit të origjinës. Në rastin tonë, diaspora shqiptare në të kaluarën, në momente të caktuara historike, ka qenë zëri më i fuqishëm për çështjen tonë kombëtar, ndërsa sot ajo mund të luajë rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik dhe përparimin e trojeve tona.

Emërtimi i kësaj Konference, ‘Dispora Flet’, vetvetiu flet shumë… unë këtë emërtim e kuptoj si një formë veprimi dhe të rëndësishëm nga shumë aspekte. Andaj, edhe vet si pjesëtar i diasporës sonë, them se diaspora ka ‘folur’ sa herë që kombi ynë ka patur nevojë dhe vazhdon të flasë përditë e më shumë.

Lazim Destani: diaspora jonë faktor i rëndësishëm kombëtar

Unë si afarist, që tashmë mbi 35 vite veproj në diasporë, si shumë bashkëkombës të tjerë, i kam përjetuar zhvillimet tona gjithandej. Sot diaspora jonë me arritjet e veta paraqet faktor të rëndësishëm kombëtar, dhe me këtë ne të gjithë jemi krenar. Jo vetëm që u mësuam të bëhemi afaristë duke i bërë ballë konkurrencës së egër kapitaliste por nga kjo diasporë dolën shumë profile nga bota e shkencës, kulturës, artit e sportit. Përmes këtyre sot na njeh bota!”- konstatoi afaristi i shquar Lazim Destani.

Germin, këtë konferencë të parë me karakter ndërkombëtar: “Diaspora flet”, e organizoi me synimin kryesor, por edhe si mision për krijimin e mekanizmave efektiv dhe mundësive për angazhimin e diasporës, si dhe lehtësimin e dialogut të dyanshëm me institucionet publike në vendin e origjinës.

Krejt në fund edhe njëherë do theksuar rëndësinë dhe peshën e kësaj konference të parë të kësaj natyre: se në mesin e njëqind e sa pjesëmarrësve profesionistë të fushave të ndryshme të bizneseve, arsimit, shkencës e kulturës e të tjera, pati mjaft personalitete me kapacitete të shquara intelektuale e profesionale, çka flet për rritën e një potenciali kuadrosh shqiptare jo vetëm si faktorë pjesëmarrjeje por edhe zhvillimi në vendet ku jetojnë, të ngritura kryesisht në saje të prirjeve dha angazhimeve personale, por edhe të klimës së përshtatshme që kanë gjet në vendet ku jetojnë.

Për një bashkëpunim të mirëfilltë ekspertësh

Ndaj edhe tash shtrohet pyetja para se paratë e mërgatës si ti vejmë në funksion në vendet e prejardhjes gjitha ato aftësi e përvoja dhe si të gjemë gatishmërinë e institucioneve përkatëse që disa nga ata ekspert qoftë edhe përkohësisht ti kthejmë në Kosovë, duke krijuar një klimë më të favorshme për ta. Përpjekja tjetër duhet të jetë që edhe atë kuadër ekspertësh që kem në Kosovë ta mbështesim me vende adekuate të punës, e jo si të bëjmë përpjekje që përmes “shpejtimit” të vizave ta nxjerrim jashtë, derisa familjet e tyre kanë harxhua edhe lekun e fundit për shkollimin e tyre.  Me një fjalë ti vejmë në binarë bashkëpunimi ekspertët tanë nga mërgata me ata vendas.

Me një fjalë si ta ndryshojmë realitetin që ajo diasporë që foli gjatë kësaj konference në Kosovë, por që vepron në diasporë të gjejë një ngrohtësi më të madhe tek institucionet e vendit, siç e gjeti tek Germini, veprues e shpresëdhënës.
***
Ky artikull u publikua fillimisht në portalin Prointegra.ch; Duke klikuar këtu ju mund t’i shikoni edhe fotografitë.