“Mushkonja” nga Safet Murati, Xhevdet Bajraj e Arben Idrizi ngjitet në skenën e Vjenës

Sonte në Vjenë shfaqet shaqja “Mushkonjat” me regji nga Safet Murati.  Shfaqja do të prezantohet në ora 18:30 në ‘Transform – Lokal’ në Vjenë.

‘Die Mücke’ (Mushkonja) është një monodramë e adaptuar për skenë me tekste të dy autorëve shqiptarë: Xhevdet Bajraj dhe Arben Idrizi. Për shkak të regresionit politik e shoqëror, personazhi kryesor i kësaj drame ndodhet në një situatë specifike ku koha dhe hapësira bëhen pothuajse irelevante për të, shkruan KultPlus.

Përmes shfaqjes gdhendet një karakter i qëndrueshëm me të cilin mund të identifikohen pothuajse të gjithë ata të cilët në një mënyrë ose tjetër janë viktima të represionit politik, të strukturave dhe aparatit shtetëror, qoftë edhe atij demokratik.

Ky produksion është mbështetur nga Mobil-Theater ‘Flascherei’ që drejtohet nga regjisorja dhe aktivistja austriake Eva Brenner, me regji të Safet Muratit e me aktorin Labinot Morina. Skenografia e shfaqjes është punuar nga Xhet Krasniqi, kurse moderator është Alban Beqiraj. Shfaqja do të prezantohet sot në ora 18:30 në ‘Transform – Lokal’ në Vjenë./KultPlus.com