Ne jemi Zvicra (e re)!

Të nderuar bashkatdhetarë/re, vetë ju mërgatë e gjeneratës së parë, ju si fëmijë të migrantëve ; fëmijët tuaj, të cilët janë lindur këtu dhe gjegjësisht janë rritur këtu; vetë ju, që jetoni me dekada të tëra në Zvicër: ju të gjithë keni bashkë-ndërtuar, keni bashkë-paguar dhe keni bashkë-ndikuar ne shoqërinë zvicerane. Andaj edhe ju të gjithë jeni pjesë e kësaj Zvicre të re dhe për këtë arsye keni edhe të drejta! Këtë të drejtë ne e përsërisim pandërprerë. Kjo është çështje  e barazisë dhe  e dinjitetit: Jo vetëm se të gjithë ata që kanë mundësi duhet të shfrytëzojnë të drejtën dhe ta marrin shtetësinë – porse edhe zyrtarët duhet më në fund ta pranojnë se edhe ne të  jemi pjesë e vendit dhe shoqërisë zvicerane!

Përse duhet ta merrni shtetësinë? Ndoshta e shtroni pyetjen përse duhet pikërisht unë. Po, përse nuk do të duhej? Është një e drejte e juaja! Ju bashkë-ndërtoni këtë vend, ju paguani tatimin, fëmijët e juaj shkojnë këtu në shkollë, ju ndoshta jetoni edhe gjatë tërë jetës suaj  këtu. Dhe juve ju bie të dëgjoni t’ju thonë se nuk i takoni (edhe) këtij vendi?! Është gabim, ju i takoni kësaj shoqërie, edhe nëse vini nga vende te tjera, të cilat i cilësoni si vend amë (Atdhe). Ju keni të drejta: për të bashkë-vendosur, për shembull se për çka duhet të shërbejnë paratë që ju paguani në formë tatimi. Ju keni të drejtën të guxoni të qëndroni këtu dhe të mos jeni të detyruar të lëshoni këtë vend, shembulli bie vetëm pse keni humbur vendin e punës, apo edhe vetëm pse keni bërë ndonjë gabim të vogël. Marrja e pasaportës pos tjerash do t’ju mundësonte pjesëmarrjen në vendime të rëndësishme dhe do të fitonit sigurinë e qëndrimit. Pasi faktikishte,  siguria e qëndrimit dhe të drejtat e juaja realisht janë të rrezikuara fort nga aprovimi i të ashtuquajturës “Iniciativë mbi migrimin masiv”, e cila është fuqizuar me ligjin penal të Zvicrës nga 1 tetori i vitit që lamë pas – 2016.   

Të demokratizojmë Zvicrën!

Zvicra duhet të demokratizohet edhe me pjesëmarrjen tonë. Nuk është në rregull që çereku i popullatës së Zvicrës të mos mund të marr pjesë dhe të bashkëveproj. Kjo duhet mundësuar, andaj sindikatat e bashkuara të Zvicrës dhe forcat tjera progresive, duan ta ndryshojmë këtë gjendje, përmes apeleve, ftesave dhe fushatave të pasaportizimit (marrjes së shtetësisë, apo natyralizimit). Kjo fushatë ndër të tjera parasheh edhe punën lobuese nëpër qytete e komuna: këta duhet të ftojnë në mënyrë ofensive migrantët dhe fëmijët e tyre që të marrin shtetësinë. Ata duhet të cytin dhe ti motivojnë migrantët, para së gjithash atyre duhet tu ndërmjetësojnë ndjenjën se janë pjesë e kësaj shoqërie. Ata nuk duhet të paraqesin edhe më shumë pengesa në këtë rrugë dhe të përcaktojnë “kritere” jo relevante, apo që të rrisin koston e taksave dhe harxhimet për natyralizim.  

Merreni pasaportën – bëhuni tani zviceran/e

Nga 1 janari i vitit të ardhshëm – 2018,  do të hyjë në fuqi ligji i ri dhe i ndryshuar i Zvicrës për marrje të shtetësisë (pasaportizim, natyralizim). Marrja e shtetësisë do të vështirësohet dukshëm. Jo vetëm se do të duhet të dëshmohen njohuri më të mira gjuhësore, por edhe duhet të posedoni lejen e qëndrimit C,  si parakusht për të aplikuar për marrjen e shtetësie. Ju pos tjerash do të duhet të plotësoni edhe  kritere tjera të tej fryra integruese, të cilat pjesërisht do të jenë më të ngurrëta, si fjala bie pjesëmarrja në “jetën ekonomike”. Nëse ju  aplikoni qysh në vitin 2017 e më së largu deri në fund të vitit, gjegjësisht para hyrjes në fuqi të ligjit të ri të natyralizimit më 1 janar 2018, atëherë për të marrë shtetësiene vlejnë kriteret në bazë të ligjit të vjetër.

Të shfrytëzohet tani kjo hapësirë kohore dhe procedurale   

Ne si veprimtarë shoqërorë, sindikalist e politik, duam që bashkatdhetarët/et, pra pjesëtarët/et e komunitetit tonë, të cilët plotësojnë kushtet formale dhe që duan të marrin shtetësinë,  ti mbështesim ata/ato konkretisht. Duke i informuar ata se si funksionon procedura e marrjes së shtetësisë, apo edhe ti ndihmojmë në rast pyetjesh a e paqartësish. Ne duam mundësisht të ndihmojmë edhe rreth kërkesave gjuhësore dhe testit integrues. Në këtë rrafsh kemi mundësi bashkë me partnerët tanë nga subjektet politike dhe organizatave e institucioneve tjera, me të cilat mund të planifikojmë dhe të bashkëpunojmë më shumë.   

Ftesë vlen për të gjithë ju: Nëse i plotësoni kriteret atëherë merreni shtetësinë (pasaportë): vetë ju, partneri juaj, fëmijët tuaj dhe njoftoni edhe familjarët tjerë, farefisin, miqtë dhe të njohurit tuaj. Për të drejtat tuaja, për të mirë të shoqërisë zvicerane dhe kështu për të gjithë ne!   

Osman Osmani, iniciues dhe bashkëthemelues i komitetit mbipartiak shqiptaro-zviceran,  sekretar nacional për migracion në sindikatën Unia, nënkryetar i socialdemokratëve migrantë të Zvicrës.

Vështrimet dhe mendimet e shprehura në këtë shkrim nga autori janë krejtësisht personale dhe nuk pajtohen doemos me qëndrimet e Germin-it.