Në Lozanë, mbrëmje mbresëlënëse në mbështetje të institutit ISEAL
Me qëllim të përkrahjes së Institutit shqiptaro-zviceran ISEAL-it, në Bussigny afër Lozane, në Hotel de Ville de Bussigny, më 1 Nëntor 2018 u organizua një darkë përkrahjeje, në shoqërim të ansambleve të këtushme artistike “Iliria “ dhe “Teuta”.
Teksti dhe foto nga Rexhep Rifati
Me këtë rast mbi 30 pronarë të firmave shqiptare në Zvicër, mësimdhënës e të ftuar të tjerë ishin të pranishëm.
Francis Cousin, diplomat i njohur i konfederatës zvicerane dhe Kryetar i Nderit të ISEAL-it, në fjalën përshëndetëse në emër të ISEAL-it, përshëndeti të pranishmit. Z. Cousin bëri një paralele në mes të imazhit të shqiptarëve në Zvicër dhe imazhit të diplomatëve. «Që të dy kemi stereotipe që na përcjellin por gjërat kanë ndryshuar », tha Zoti Cousin. « Nuk flasim më për integrim të shqiptarëve në Zvicër sepse tashmë janë në rrugë të mbarë por për kontribut të shqiptarëve në zhvillim të Zvicrës.»
Driton Kajtazi, Drejtor i ISEAL-it, paraqiti projektet aktuale të ISEAL-it. Që në fillim falënderoi Dr Gëzim Dushin, Z. Gani Cuba, Z. Agim Ahmetaj dhe Z. Dino Bekteshi për kontributet e tyre të jashtëzakonshme në përkrahje të projekteve të ISEAL-it.
Driton Kajtazi veçoi disa projekte. Fillimisht foli për Konkursin letrar të cilin ISEAL e organzon në bashkëpunim me Universitetin e Lozanës dhe me përkrahje të qytetit të Lozanës. Ky konkurs do të përcillet me botimin e një libri. Juria e konkursit e përbëre nga Prof Dr Camille Luscher, Prof Dr Nerimane Kamberi, Prof Dr Daniel Maggetti (président), Corinne Desarzens, Prof Dr Muriel Zeender Berset (zonja e parë e konfederatës) është duke punuar në përzgjedhjen e teksteve dhe dhënien e çmimeve.
Libri URTËSI NGA KOSOVA, që do të jetë në 5 gjuhë (shqip, anglisht, gjermanisht, frengjisht dhe italisht) është projekti madhor i radhës i ISEAL-it. Ky libër shoqërohet me 2‘000 punime dore të bëra të gjitha enkas nga gra nga Kosova. Nën kujdesin e Arbesë Hoxhës dhe Driton Kajtazit, ky libër do të botohet në muajin dhjetor 2018.
Një Botim tjetër i ISEAL-it, me tekste të 100 poetëve të gjuhës gjermane po bëhët gati për botim në gjuhën shqipe nga Kujtim Shabani.
Kajtazi përmendi edhe kurset e gjuhës shqipe të dhëna nga Prof Albana Hoti Thaqi dhe Ilir Xheladini ku zvicëranë dhe komunitete të tjera e mësojnë gjuhën shqipe çdo javë në ndërtesën e ISEAL-it në Lozanë.
Poashtu ISEAL organizon kurse të gjuhës frenge të dhëna nga Prof Arsim Ferizi.
Një projekt tjetër madhor, Muzeu ILIRIA, është duke parë dritën në ndërtesën e ISEAL-it në Lozanë. Ky Muze do të drejtohet nga nismëtari Ilir Xheladini. Një Komitet mbështetës nga figura publike e akademike zvicërane dhe shqiptare do ta shoqërojnë mbarëvajtjen e Muzeut ILIRIA në Lozanë.
Driton Kajtazi paraqiti edhe 4 projekte të tjera që ISEAL aktualish po vë në dritë e në mesin e tyre permanenca për Moshën e Tretë, permanence për orientim profesional dhe projekte të tjera të mësimdhënies.
Prof Dr Olivier Meuwly, anëtar i bordit drejtues të ISEAL-it, bërï një paraqitje të thuktë të Simpoziumit shkencor që ISEAL e organizoi në Universitetin e Lozanës me rastin e 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Ky Simpozium, i vetmi shkencor i mbajtur dikund në botë me rastin e 10 vjetorit të pavarësisë, mblodhi ekspertë të ndryshëm nga Kosova, Zvicra e Franca. Një botim i Akteve të Simpoziumit në gjuhët frenge dhe shqipe është në pregaditje e sipër.
Grupet artistike ILIRET dhe TEUTA e pasuruan mbrëmjën me një program të pasur artistik. Të pranishmit u ngazëllyen nga pikat muzikore, vallet dhe veshjet e artistëve shqiptarë në skenë.
Visar Qusaj, kryetar i Shoqatës së miqëve të ISEAL-it falenderoi pjesëmarrësit për përkrahjen e vazhdueshme të ISEAL-it.
Në fund të mbrëmjes pronarët e shumtë të firmave shqiptare morën angazhimin që të vazhdojnë të përkrahin ISEAL madje edhe më shumë se gjer më tani.
Ky shkrim është publikuar fillimisht në Prointegra.ch