Një falënderim ndryshe për 10 vjetorin e Pavarësisë!

Shkruan: Fjolla Vukshinaj 

E kam dëgjuar rrëfimin për Miraliun. Ai kishte ardhur nga Gjermania në Kosovë diku në vitin 1998 për t’u bashkuar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Kishte kalu kohë të gjatë nëpër malet e Çiçavicës, duke mos i tregu familjes së tij në Viti që ishte kthy për me luftu. Miraliu i thoshte nënës së tij se është në Gjermani, po punon, dhe se do t’ju dërgoj para për t’u ballafaquar me krizën që po e përjetonin. Më vonë, ai u vra diku në Kaçanik. Edhe Elinda Muriqi, bëri kështu. Ajo ishte vetëm 16 vjeçe kur iu bashkua Batalionit “Atlantiku” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, derisa babai i saj Ramizi ishte duke luftu në Kosovë. Për fat të mirë, Elinda shpëtoi.

Me shkas e fillova tregimin për Miraliun. Jo ngase e njoh, mirëpo ai është në mesin e shumë shqiptarëve që po e jetonin një jetë të mirë larg atdheut, por u kthyen në Kosovë për të luftuar gjatë vitet 1998-1999.

Copëzat e para të historisë së Shtet ndërtimit të Kosovës filluan në mërgatë. Andaj, duke qenë që Diaspora është përditshmëri e imja, po e nisi këtë shkrim duke i përmbledh disa nga kontributet e Diasporës në zhvillimin dhe demokratizimin e vendit.

Që nga mbarimi i luftës, vazhdon të jetë një propagandë dhe përqeshje ndaj Diasporës.

Stili “shaci”, flokët me gel, ora e shtrenjtë dhe pantollonat e bardha: Këto janë vetëm disa përshkrime të stereotipit ndaj mërgimtarëve në diskursin e shoqërisë sonë. Madje, dëgjon edhe komente Çka po lypin me ardhë bre ktu, me na shit mend. E kur e mendon, thua kjo dashuri e tyre deri ku i ka limitet, a do të përfundojë ndonjëherë? Me gjasë them se po.

Ne, si Shtet, kemi dështuar të krijojmë një bashkëbisedim të mirëfilltë me grupin më të madh social që po jeton jashtë Kosovës, dhe si rezultat kemi një marrëdhënie kontradiktore Kosovë – Diasporë. Përtej folklorizmit, urimit MIRËSEVINI BASHKËATDHETARË dhe disa koncerteve ‘t’lodhta’, i kemi përqesh dhe po rrezikojmë me humbë një potencial për zhvillim dhe demokratizim të denjë.

Statistikat tregojnë që rreth 800 mijë shqiptarë nga Kosova jetojnë jashtë vendit[1]. Këta, çdo vit po na i dërgojnë rreth 700 milionë euro[2] (bazuar vetëm në transaksionet bankare dhe të agjensioneve të ndryshme), por jam e sigurt që shifrat arrijnë mbi një miliard. Derisa ne vazhdojmë me thonë shyqyr që po na bijnë pare, refuzojmë t’i përfshijmë në zhvillim të Shtetit.

Madje, diskutimet banale përqeshin nivelin e edukimit të Diasporës. Por, duhet kuptuar që Diaspora është e shumëllojshme, dhe duhet me iu largu shabllonizmit që ata vetëm punojnë në ndërtimtari. Sot, kemi shumë shqiptarë që punojnë në Bankë Botërore në Uashington; kemi shqiptar si Ferid Muratin që kanë fitu çmimin Nobel; kemi shqiptarë që këshillojnë kongresmen amerikanë dhe dy vëllezëritë Bajraktari që këshilluan ish-sekretarin amerikan të mbrojtjes Ashton Carter; kemi biznesmen të sukseshëm dhe gra sipërmarrëse të shkëlqyera; profesorë e mjekë. Pa shqiptarët e Amerikës, Kosova nuk do ta kishte lirinë e plotë. Ata lobuan fuqishëm për pavarësinë e Kosovës nga Shtëpia e Bardhë në Uashington, e në gjithë administratat e SHBA-së.

Megjithatë, si duket nuk e kemi shumë përzemër t’i kujtojmë apo t’i nderojmë këta shqiptarë. Po ashtu, nuk jemi edhe shumë të interesuar të përfitojmë nga ekspertiza dhe lidhjet e tyre që i kanë në shtetet ku po jetojnë. Shteti ynë 10 vjeçar, duhet urgjentisht të krijojë politika për kthimin e trurit të shqiptarëve jashtë vendit. Nëse është e mundur ta kemi një ekspert nga Afganistani (duke mos e përqeshur potencialin e tij/saj), është me e lehtë me pas një ekspert/e shqiptar/e. Madje, ka shumë të interesuar që mund ta bëjnë këtë pro bono. Është e dhimbshme t’i dëgjosh rrëfimet e tyre se si kanë tentuar shumë herë të realizojnë projekte në Kosovë, por jo me sukses.

Prandaj, në këtë 10 dekadë Shtet, dua t’i falënderoj ata – të harruar nga ne – që na ndihmuan nga ndërtimi i shtëpive pas lufte e deri SOT, që po na ndihmojnë me mbijetu në Kosovën e lirë.

Fjolla Vukshinaj është politologe. Ajo punon në organizatën Germin, të cilët përdorin teknologjinë dhe kanalet digjitale për të lidhur dhe angazhuar diasporën në avancimin e zhvillimit dhe demokratizimit të vendeve të saj amë. Ky shkrim është opinion personal  i saj dhe asesi nuk paraqet qëndrimin e organizatës.

______________________________________________________________________________

[1] Xharra, B. and Wählisch. M., 2012. Beyond Remittances: Public Diplomacy and Kosovo‘s Diaspora. Pristina: Foreign Policy Club: https://papers.ssrn.com/sol3/papers.cfm?abstract_id=2108317

[2] Buletin Statistikor, Banka Qendrore e Kosovës, 2017: https://www.bqk-kos.org/repository/docs/2017/BQK_BMS_195_al.pdf