Përtej Remitencave

Në ditën e 17 Korrikut, DiasporaFlet mbajti ngjarjen e radhës në qytetin e vogël të Gjilanit. Mysafirë ishin Znj. Syzanna Shkreli dhe Z. Sali Musliu. Në fillim të kësaj ngjarjeje, drejtoresha e programit të Germin-it dhe prezantuesja për atë mbrëmje, Znj. Liza Gashi informoi publikun për punën dhe vizionin e organizatës. Një fokus i fjalimit të saj, ishte edhe e ardhmja e bashkëpunimit të komuniteteve të diasporës me komunitetin në shtetin amë. Pas fjalimit hyrës, mysafirët e mbrëmjes iu drejtuan të pranishmëve.

Sali Musliu është vendas i Gjilanit dhe figurë e mirënjohur për shumicën e publikut. Me profesion të piktorit, rrugëtimi i tij në Gjermani ka qenë plot sfida. Pas vdekjes së mentorit të tij, Saliu vendosi se kishte ardhur koha që arti i tij të prezantohet ndërkombëtarisht. Nën mbikqyrjen e profesorëve të Shkollës së Arteve të Duseldorfit, Saliu filloi punën e tij. Ai përmend se një prej arsyeve pse Kosovarët migrojnë në shtete të tjera është sfida për kërkimin e mirënjohjes së punës së tyre ndërkombëtarisht. Saliu tregon se gjatë rrugëtimeve të tij dhe kohës së kaluar në Kosovë, ai ka parë se rinia Kosovare ka potencial të madh për ndryshim. Një shembull i veçantë është edhe puna e dizejnerëve grafikë të cilën Kosovarët e kanë ndarë me të. Thirrja e tij është për rininë, që ata të marrin iniciativa për ndryshimin e gjendjes së tanishme. Pas fjalimit të tij, Saliu mori pyetje të ndryshme, ndër to edhe mbi arsyet e thirrjes së tij për një Kosovë më të mirë. A është ky një koncept i mbipërdorur dhe idealizuar në një shkallë të paarritshme? Për këtë pyetje, ai iu drejtua të rinjëve në sallë se jo vetëm Kosova ka vend për ndryshim. Politikat botërore mund të përmirësohen. Ai u shpreh, “Mendoj se njerëzit dalëngadalë janë duke e vërejtur potencialin e tyre të vërtetë për ndryshim. Njerëzit po bëhen më praktikë dhe mendoj se një shembull shumë i mirë jane ngjarjet e tanishme në Kosovë dhe në regjion”.

Syzanna Shkreli e ndau me të pranishmit historinë e saj si një shqiptare e gjeneratës së dytë në Shtetet e Bashkuara. Edhe pse një avokate shumë e suksesshme e shtetit të Miçigan, Shkreli përmend jetën e dyfishtë të cilën fëmijët e diasporës e jetojnë. Në njërën anë, ajo është një grua Amerikane e integruar në shoqëri, dhe në anën tjetër, ajo është e bija e një familjeje shqiptare e cila mban “Kanun” dhe “Besë”. Mirëpo, për Shkrelin, integrimi i vlerave të pasura familjare, besimeve dhe punës në Shtetet e Bashkuara e bën eksperiencën e saj edhe më të vlefshme. “Si gjeneratë e dytë e diasporës, ne mund të marrim më të mirat e të dyja kulturave. Mendoj se kjo na bën njerëz edhe më interesantë”. Kur e pyetën mbi debatin të cilin ne si shoqëri duhet ta kemi për diasporën, Znj. Shkreli ishte e gatshme të theksoj se kemi nevojë për një ndryshim të bisedës dhe diskursit të cilin e bëjmë për atdhe. Anëtarët e diasporës në secilin shtet duhet të konsiderohen si ambasadorët më të mirë. “Ata duhet të punojnë që të kemi një ndryshim mendimi për Kosovën, Maqedoninë, Malejzinë, apo cilido shtet që është atdheu i tyre. Ata duhet t’u tregojnë njerëzve se këto vende po ecin përpara dhe të krijojnë një histori positive. Kjo mund të ketë ndikim të madh për investime dhe lidhje më të mira me diasporën”. Nga pikëpamja e një avokateje, bëri thirrje për krijimin e sistemeve llogaridhënëse të cilat do të ndihmonin në vazhdimin e hetimeve dhe respektimin e ligjit. Për Suzanna Shkrelin, lidhjet mes atdheut dhe diasporës tejkalojnë bisedën. Ajo u drejtua me mesazhin se “Është e rëndësishme që të gjithë ne të kthehemi për të parë se nga ku erdhen nënat dhe baballarët tanë”.

Të dy panelistët ishin të gatshëm të ndajnë eksperiencat e tyre të punës së komuniteteve të diasporës. Për më shumë, ata ndanë edhe mësimet të cilat ata si diasporë i kanë përvetësuar nga vendet ku jetojnë. Znj. Shkreli përmendi dy gjëra shumë të rëndësishme të cilat vërehen në Shtetet e Bashkuara. E para është e drejta e lindjes e cila do të thotë vizita në atdhe dhe komunitet, dhe e dyta, shërbimi në ushtri për të ndërtuar një shoqëri mbështetëse për kohët e vështira duke krijuar lidhjet mes njerëzve dhe komuniteteve. Krijimi I komuniteteve të cilat ndihmojnë njëra tjetrën, së pari në diasporë, e mandej edhe në atdhe janë parësore sipas Suzanna Shkrelit. Ajo përmend një komunitet minoritar katolik nga Iraku, Kaldeanët, të cilat për arsye të zhvillimeve të fundit politike në Shtetet e Bashkuara janë deportuar në Irak. Në këtë situatë, jetët e tyre janë të rrezikuara. Avokatët Kaldeanë, përkthyesit, dhe politikanë janë mbledhur së bashku për të mbështetur njëri tjetrin, vetëm për ndalimin e këtij deportimi. Përveç komunitetit Kaldean, edhe komuniteti Izraelit u përmend si model i mirëfillët të cilin diaspora Kosovare mund ta ndjek për t’u përmirësuar.

***

Valon Xoxa ka përfunduar studimet për Antropologji në Clark University.  Aktualisht ai punon në MDA.

Diskutimet DiasporaFlet organizohen nga organizata joqeveritare Germin me qëllim të motivimit të të rinjëve për të qenë pjesë e rrugëtimit të ndryshimeve. Ato përfshijnë tema nga fusha e arsimit, teknologjisë, biznesit, shkencës, mjekësisë, etj. dhe synojnë promovimin e tregimeve të suksesit të diasporës dhe frymëzimin e gjeneratave të reja. Këto takime përkrahen nga Friedrich Ebert Stiftung, Prishtina Office.