Qytetaria aktive – Participimi politik në Zvicër

A do të arrijë mërgata shqiptare duke u mbështetur në modele demokratike të përfaqësimit sa më gjithëpërfshirës dhe të organizohet aq mirë në Zvicër, sa të bëhet faktor dhe partner institucional për institucionet e vendit nikoqir dhe atyre të vendeve të prejardhjes, me qëllim jo vetëm të ndryshimit të imazhit  dhe gjendjes së  pavolitshme në të cilën gjendet aktualisht, por për të marrë pjesë aktive në zhvillimin e gjithanshëm shoqëror si në vendin nikoqir ashtu edhe në atë të origjinës? Një gjë e tillë duhet të arrihet vetëm me punë dhe organizim dhe bashkëpunim konstruktiv të mbështetur në interesa reciproke. Unë dua të besoj se po!

Shkruan: Osman Osmani

Me “qytetari aktive” nënkuptohet e drejta e një personi për të marrë pjesë dhe për të pasur qasje në shoqëri dhe në bashkë formësimin e saj. Në thelb mund të dallojmë dy forma të pjesëmarrjes politike: participimin politik në kuptim të ngushtë dhe atë në kuptim të gjerë. Teksti në vijim shpjegon formën e pjesëmarrjes politike në kuptimin e gjerë. Një mundësi e participimit politik është angazhimi në shoqata dhe asociacione të ndryshme. Posaçërisht bashkimi i shoqatave ekzistuese të migrantëve nën një kulm të përbashkët i bënë më me peshë qëndrimet dhe pozicionimet politike dhe njëherazi shërben si themel i fortë bashkëpunimi edhe me qendrat e vendimmarrjes, me çka mundësohet përfaqësimi dhe artikulimi më i mirë i interesave të popullatës me prejardhje të huaj. Në vijim do të shtjellojmë edhe formën e participimit politik në kuptimin e ngushtë.

Participimi politik në kuptim të ngushtë

Elementi qendror i participimit politik në kuptimin e ngushtë është e drejta e votës dhe ajo e të zgjedhurit. Me këtë rast dallojmë të drejtën e votës pasive nga ajo aktive. E drejta e votës aktive është ajo e drejtë, të votojmë për një person dhe në këtë mënyrë p.sh. të ndikojmë në përbërjen e parlamentit. E drejta e votës pasive është ajo e drejtë, që na jep mundësinë e kandidaturës për tu zgjedhur vetë. Në nivel federal, kantonal dhe komunal nuk vlejnë gjithmonë të njëjtat të drejta të pjesëmarrjes politike.

Në nivel të federatës të huajt përjashtohen nga kjo formë e pjesëmarrjes në jetën politike. Vetëm ata që posedojnë shtetësinë e vendit kanë të drejtën e votës aktive apo pasive të pjesëmarrjes në parlamentin kombëtar, d.m.th. të zgjedhin dhe të zgjidhën. E drejta e votës u mundëson atyre pjesëmarrjen në zgjedhjet popullore, të cilat janë vendimtare për projektligjet, alternativat e mundshme dhe referendumin. Kjo e drejtë mundëson edhe mbledhjen e nënshkrimeve përmes një iniciative për arritjen e referendumit, posa të mblidhet numri i mjaftueshëm i nënshkrimeve të qytetarëve me të drejtë vote.

Obligimet pa të drejta?!

Edhe në nivel kantoni dhe komune popullata mund të ushtrojë të drejtën e votës, të zgjedhë dhe të zgjidhet. Se kush ka të drejtën e pjesëmarrjes në zgjedhje apo votim, ndryshon varësisht nga kantoni apo komuna. Bazuar në kushtetutën federale kantonet vendosin, se a lejohet dhe në cilën masë lejohet kyçja e popullatës me prejardhje të huaj në proceset e vendimmarrjes. Këtu d.m.th. ekziston mundësia e zgjerimit të plotë të të drejtave politike për të huajt. Me këtë rast atyre mund t’u mundësohet pjesëmarrja politike në kuptimin e ngushtë të fjalës. Të drejtat me këtë rast ndërlidhen me kushtëzime të ndryshme, si p.sh. në kohëzgjatjen e caktuar të posedimit të vendbanimit në Zvicër dhe në kanton, si dhe në llojin e lejes së qëndrimit.

Ashtu si qytetari “denbabaden” i Zvicrës që kryen obligimet qytetare, edhe pjesa tjetër e banorëve që jetojnë me dekada të tëra por që nuk kanë shtetësi tjetër, kryejnë të gjitha obligimet qytetare të parapara me ligje dhe norma të vendit si p.sh., pagesën e përqindjes së tatimit në pagë, kontributet në të gjitha arkat e sigurimeve shoqërore, përfshirë këtu edhe premitë e larta të sigurimit shëndetësor, mbështetjen e aktiviteteve të ndryshme ekonomike, kulturore, etj. Me këtë rast ata, jo vetëm se sigurojnë ekzistencën për veti dhe familjet e tyre, por kontribuojnë bashkë me gjithë të tjerët për zhvillimin ekonomik dhe rritjen e mirëqenies shoqërore në Zvicër, dhe njëherazi shumë nga ta mbështesin edhe shoqëritë dhe vendet e tyre të prejardhjes.

Kërkesa për respektimin e normave dhe ligjeve të vendit edhe për banorët e huaj në Zvicrës që nuk posedojnë shtetësi zvicerane është më së e drejtë. Njëherazi do të duhej të bëhej normë ligjore edhe e drejta e ushtrimit të së drejtës për pjesëmarrje edhe në jetën politike për të gjithë njerëzit në Zvicër, pra edhe ata banorë pa shtetësi zvicerane. Pra, kur është fjala për realizimin dhe ushtrimin e të drejtave edhe në rrafshin e participimit politik puna qëndron ndryshe.

Nevojiten modele të participimit politik

Derisa shumica e banorëve në Zvicër, pa marrë parasysh se a janë shtetas apo jo, dhe e cila detyrimisht dhe në mënyrë të rregullt kryen të gjitha obligimet qytetare si të gjithë shtetasit tjerë, do të duhej gjetur një model që mundëson edhe realizimin e ushtrimin e të drejtës për pjesëmarrje politike të të gjithë banorëve të interesuar në Zvicër edhe nëse nuk posedojnë shtetësi zvicerane, mirëpo që jetojnë këtu dhe kryejnë të gjitha obligimet qytetare në përputhje me të drejtat e obligimet ligjore.

Për të mos mbet demokracia e drejtpërdrejtë dhe bazike si dhe barazia mes njerëzve vetëm një parullë e thatë dhe vizion utopist, politika dhe posaçërisht segmentet strukturore dhe institucionet që janë përgjegjëse për çështje integrimi në nivel komunal, kantonal (e regjional) dhe nacional, do të duhej të nisnin projekte participimi politik dhe të hapnin rrugë për pjesëmarrje aktive dhe pasive të gjithë banorëve të interesuar në Zvicër. Sa i përket praktikave dhe përvojave objektive në lëmin e participimit politik të qytetarëve jo-zviceran (të huajve) në Zvicër duhet marrë shembujt dhe mësime nga përvojat ekzistuese që praktikohen aktualisht në Zvicër.

Me sa dihet nuk ka model tjetër të participimit e të huajve në Zvicër e që mbështetet në demokracinë themelore me përjashtim të sindikatës Unia, si organizata më e madhe në vend ku aderojnë edhe qytetarët jo-zviceranë, e cila zbaton një model të përfaqësimit themelor demokratik, përmes krijimit të grupit të interesit të migrantëve përbrenda organizatës dhe zbaton pjesëmarrjen aktive dhe pasive përmes delegimit (në bazë të numrit të përcaktuar të anëtarësisë) në strukturat dhe organet e sindikatës Unia, si në vendimmarrje ashtu edhe në ushtrim të funksioneve të ndryshme në sindikatë.

Unia nuk është parti apo subjekt politik, por organizatë (bashkësi interesi e punëmarrësve), ku nga 200’000 anëtarë, mbi gjysma, pra mbi 100’000 janë jo-zviceranë dhe me statute dhe rregulloret e saja kjo sindikatë rregullon përfaqësimin e anëtarëve pa shtetësi zvicerane në organet dhe strukturat vendimmarrëse të saj, me të drejtën për të zgjedh dhe për t’u zgjedhur në funksione të caktuara në këto organe apo struktura të sindikatës.

Nëse, për një arsye apo një tjetër, nuk e marrim si shembull modelin e sindikatës Unia, atëherë do të duhej së paku të theksohet nevoja apo të shtrohet si kërkesë realizimi i një modeli, i cili mundëson jetësimin e së drejtës së përfaqësimit dhe participimit bazuar në demokracinë themelore për të gjithë ata qytetarë në Zvicër të cilët automatikisht dhe në mënyrë të detyrueshme kryejnë të gjitha obligimet sikur edhe qytetarët me shtetësi zvicerane.

Në një rast tjetër do të mund të prezantonim në detaje rregulloren dhe procedurat e participimit si organet dhe strukturat konkrete të kësaj organizate, e cila në lëmin e punës dhe të dialogut social në Zvicër është ndër partnerët kryesor, e cila edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare në lëmitë e caktuara është partner serioz. Këtu vlen të përmendet angazhimi për qarkullimin e lirë në hapësirën Shengen edhe për qytetarët jashtë BE-së me punë në Zvicër apo njërin nga vendet anëtare të BE-së, si dhe angazhimi në lidhje me anulimin e njëanshëm nga ana e Zvicrës zyrtare në Marrëveshjen Ndërshtetërore mbi Sigurimet Shoqërore në raport me Kosovën.

Funksionimi i të ashtuquajturve “Këshillat e të huajve” në një numër të vogël e simbolik të komunave, kufizohen vetëm në pjesëmarrjen me karakter konsultativ si shërbime të këtyre strukturave. Duhet theksuar se përzgjedhja e tyre nuk bazohet në demokracinë themelore dhe si e tillë nuk zëvendëson të drejtën e participimit politik (pasiv dhe aktiv) në kuptimin e plotë të fjalës. Pa dashur të vëmë në pikëpyetje krijimin dhe funksionimin e mëtejmë të tyre, është e nevojshme të kërkohen forma dhe mënyra tjera demokratike të pjesëmarrjes politike, për të cilat Zvicëra ka traditë dhe përvojë të begatshme.

Mbetet për të shpresuar që në një ardhme të afërt të fillojë realizimi dhe zbatimi i formave dhe modeleve të mundshme të pjesëmarrjes politike, bazuar në demokracinë themelore nëpër regjione të ndryshme të Zvicrës. Për këtë nuk do të mjaftojë vetëm vullneti politik i përgjegjësve në nivele të ndryshme, por edhe gatishmëria dhe angazhimi i individëve dhe komuniteteve të banorëve të Zvicrës që kanë shtetësi të huaj

Perspektivat dhe rrugëdaljet e mundshme: shembuj konkretë e praktikë

Këtu duhet trajtuar një aspekt të veçantë të problemit: atë se, a është faktorizimi i komunitetit tonë këtu një proces që duhet ta jetësojnë vetë migrantët, apo e gjithë puna duhet të bëhet nga vendi mikpritës dhe nga vendet e prejardhjes?!

Mund të konstatojmë se një ndihmesë nga vendet e prejardhjes nuk është e pritshme (veç tjerash për mungesë mjetesh dhe mungesë njohjeje të gjendjes). Nga kjo mund të vijmë në përfundimin se barra e organizimit dhe faktorizimit u mbetet vetë mërgimtarëve.

Ne jemi të vetëdijshëm se institucionet e vendeve të prejardhjes nuk posedojnë një trup, organ, strukturë apo subjekt të përbashkët dhe homogjen që do të merrej me këtë çështje. Bile, bile, institucione të tilla nuk ka as për mësimin te gjuhës amëtare si dhe për problemet që kanë të bëjnë me bashkëpunimin në fushat jetike në mes të vendeve tona të prejardhjes ku shqiptarët paraqesin shumicën e popullatës, qoftë kjo edhe vetëm në raportet Shqipëri – Kosovë.

Por edhe nëse do të ekzistonte një institucion i tillë, shtrohet pyetja: sa ky institucion do të mund të njihte preokupimet, problemet, nevojat, interesat dhe dëshirat legjitime të mërgatës shqiptare në shtetet dhe shoqëritë jashtë vendit të origjinës. Besoj që pajtohemi, se edhe institucionalizimi i tillë i mundshëm dhe i dëshirueshëm nga ana e institucioneve të vendeve tona të origjinës, nuk mund të zëvendësojë nevojën e domosdoshme të aktivizimit dhe organizimit të mërgatës shqiptare në të gjitha aspektet e mundshme jetësore, si në raport me preokupimet dhe interesat e saj në shoqërinë dhe shtetin nikoqir ashtu edhe në raport me shtetet dhe shoqëritë e vendeve të prejardhjes.

Jemi dëshmitarë edhe të proceseve në zhvillim e sipër për të krijuar subjekte të përbashkëta, siç është rasti me Unionin e shoqatave të studentëve shqiptar, apo shoqatave dhe grupeve me karakter profesional si ajo e shkrimtarëve e krijuesve në mërgatë, të profesionistëve shëndetësore, juridik, kulturor, si dhe atyre pedagogjik, social etj. Mbetet për të uruar që të gjitha këto bashkërisht  të ndërlidhen në një federatë asociacionesh të mërgatës shqiptare në Zvicër. E tërë kjo do të duhej të kurorëzohej me krijimin e federatës së grupeve shoqatave dhe subjekteve të mërgatës shqiptare, si çati për përfaqësim demokratik të komunitetit shqiptar dhe asociacioneve shqiptare në përputhje – aq sa është e mundshme – me organizimin shoqëror të vendit ku jetojmë dhe veprojmë.

Pse jo, të gjitha këto iniciativa dhe angazhime kudo dhe sa herë që është e mundur të bëhen në bashkëpunim me përfaqësitë diplomatike shqiptare të vendeve tona të origjinës, por edhe me institucionet si të vendit nikoqir ashtu edhe me ato të origjinës.

A do të arrijë mërgata shqiptare duke u mbështetur në modele demokratike të përfaqësimit sa më gjithëpërfshirës dhe të organizohet aq mirë në Zvicër, sa të bëhet faktor dhe partner institucional për institucionet e vendit nikoqir dhe atyre të vendeve të prejardhjes, me qëllim jo vetëm të ndryshimit të imazhit  dhe gjendjes së  pavolitshme në të cilën gjendet aktualisht, por për të marrë pjesë aktive në zhvillimin e gjithanshëm shoqëror si në vendin nikoqir ashtu edhe në atë të origjinës? Një gjë e tillë duhet të arrihet vetëm me punë dhe organizim dhe bashkëpunim konstruktiv të mbështetur në interesa reciproke. Unë dua të besoj se po!

Ajo çka nuk duhet kurrsesi të vazhdojë të ndodhë është se mërgata shqiptare në Zvicër nuk duhet  të vazhdoj edhe më tej të mbetet objekt dhe të “instrumentalizohen” për nevoja politike, propagandistike e përfituese si nga segmente të caktuara në vendin nikoqir ashtu edhe nga ato të vendit të prejardhjes.

Osman Osmani ka qenë shqiptari i parë në Zvicër që ka fituar disa vite më parë, një vend deputeti në një parlament kantonal, gjegjësisht në vitin 2006, në Parlamentin e Kantonit Schaffhausen. Osmani është sekretar nacional për migracion në sindikatën „Unia“. Në “UNIA” është përgjegjës edhe për Evropën Juglindore.