Shqiptarët në Zvicër dhe vendi i origjinës

Shqiptarët/et e Zvicrës kontribuojnë në jetën ekonomike dhe në zhvillimin dhe mirëqenien e gjithëmbarshme të Zvicrës. Tanimë ne Zvicër është duke u rritur edhe gjenerata e tretë shqiptaro-zvicerane. Është koha që përpos kontributit ekonomik dhe kryerjen e obligimeve te zakonshme qytetare, shqiptaro-zvicranët të zgjerohet edhe me pjesëmarrjen aktive në jetën shoqërore, arsimore, kulturore, politike e te pergjithshme – pra jo vetëm sportive – të qytetit, kantonit dhe te gjithë Zvicrës.

Nga mbi 250‘000 qytetarë me prejardhje shqiptare që ka Zvicra, sipas vlerësimeve serioze rreth 170’000 janë me drejtë vote. Ky është një potencial i madh votues dhe politik. Disa nga forcat politike të Zvicrës, në krahasim me vendet amë të shqiptarëve u hapin dyre e dritare shqiptarëve për tu angazhaur në subjektet e tyre duke u mundësuar edhe detyra e funksione të caktuara në subjektet dhe strukturat e tyre.
Tanimë kemi jo vetëm me dhjetra por me qindra shqiptarë të interesuar dhe të angazhuar edhe në jetën shoqërore, sindikaliste e politike të Zvicrës.
Marrëdhënieve të mira shqiptaro-zviceriane, u ka kontribuar më së shumti bashkëpunimi mes komunitetit shqiptar të Zvicrës dhe socialdemokratëve të Zvicrës ndër vite. Socialdemokratët e Zvicrës ka mbështetur komunitetin e shqiptarëve dhe aspiratet e tyre në vendin amë, edhe në kohërat kur kjo i ka kushtuar me humbje votash.
Ndërkohë kemi edhe përpjekje serioze për strukturim të angazhimit politk të shqiptaro-zviceranëve me dhe pa të drejtë vote ne Zvicër, fjala bie socialdemokratët shqiptaro-zviceranë, Komiteti mbipartiak i aktivistëve politik, shoqëror e sindikalist shqiptaro-zvieranë.
Në vijim do ti trajtojmë disa nga sfidat dhe preokupimet kryesore të komunitetit shqiptar në Zvicër.

Hyrja në fuqi e ligjit për dëbim më 1 tetor 2016
Nje pjesë e mirë e komunitetit tonë në ndërkohë duke marrë shtetësine janë natyralizuar edhe në Zvicër, ndërsa një pjesë për arsye të ndryshme ende jo. Në ndërkohe ligjet për të huajt janë përkeqësuar dhe të drejtat e njerëzve pa pasaportë zvicerane janë të pambrojtura. Për shkelje të caktuara dhe të paqëllimta të rregullave dhe ligjeve në fuqi, mund të pasojë dëbimi edhe për ata që tërë jetën e tyre kanë kryer punë shumë të rënda dhe kanë kontribuar ndershëm për Zvicrën sikur për vendin e tyre. Të rrezikuar janë edhe gjenerata e dytë e tretë, të cilët janë lindur, rritur e socializuar në Zvicër, por që nuk posedojnë shtetësinë zvicerane. Edhe përkundër refuzimit të iniciativës për “zbatim të dëbimit” në shkurt të këtij viti, megjithatë nga 1 tetori 2016 ka hyrë në fuqi ligji i dëbimit i aprovuar në vitin 2012. Ndër të tjera, fjala bie, në katalogun e shkeljeve që mund të qojnë në dëbim, është edhe i ashtuquajturi “keqpërdorim social” i shumës mbi 300.- franga.
Në raport me shtetasit zviceran, migratët (të huajt) denohen dy herë me çka hynë në fuqi drejtësia dy-klasëshe. Pasi që për të huajt (pa pasaportë zvicerane) përpos denimit me para, masa tjera, apo burg, ata edhe dëbohen nga Zvicra. Qytetarët e Kosovës të prekur goditen nga kjo trefish, pasi që me rastin e dëbimit, ata humbin edhe vendbanimit në Zvicër dhe kështu – në mungesë të marrëveshjes ndërshtetërore për sigurime shoqërore – në Kosovë mbesin edhe pa pensionet e tyre të merituara të Zvicrës.

Ligji i ri i natyralizimit hyn në fuqi me 1 janar 2018
E vetmja mbrojtje e garantuar dhe e sigurtë e të drejtave të migrantëve është marrja e shtetësisë. Andaj ne bashkë me sindikatat e Zvcirës dhe forcat tjera përparimtare apelojmë dhe kemi inicuar edhe fushatë për mbështetje të natyralizimit (marrjes së shtetësisë zvicerane) mundësisht të interesuarit të aplikojnë para 1 janarit 2018 kur edhe hynë në fuqi ligji i ri i natyralizimit, i cili është edhe më i rreptë se ky aktuali dhe i cili përbënë pengesa e kritere të vështira, si për aplikim ashtu edhe për marrje të shtetësisë.

Marrëveshje ndërshtetërore për Sigurimet Shoqërore mes Zvicrës dhe Kosovës
Kanë kaluar mbi 6 vite (që nga 1 prilli 2010) që nga ana e Zvicrës nuk vazhdon të zbatohet më tej Marrëveshja ndërshtetërore për Sigurimet Shoqërore me Kosovën, d.m.th. mbi 6 vite diskriminim selektiv për kontributpaguesit e Kosovës… Zyrëtarët e të dyja shteteve nuk do të duhej që për mosmarrëveshje të mundshme dhe/apo bashkëpunimin e penguar të dënojnë punëmarrësit e Kosovës në Zvicër, të cilët kanë kontribuar shumanshëm për të dyja vendet dhe shoqëritë.
Qeveria federale e Zvicrës tek në mes të nëntorit të vitit 2016 dha dritën e gjelbër për fillimin e bisedimeve për Marrëveshje të re, bisedime këto që mund të zgjasin 2-3 vite, dhe deri atëherë nuk është e qartë se a do të ofrojë një zgjidhje kalimtare për pensionitët e kthyer në Kosovë dhe familjarët e tyre në kohën sa ka vlejtur Marrëveshja e trashëguar..
Ndërsa qeveria e Kosovës më në fund është dashur që pa stërgjatje e taktizime të pakuptimta të zbatojë masat e propozuara përmes Rekomandimeve të Parlamentit të Kosovës të datës 16 shtator 2010, të cilat e kanë obliguar qeverinë e Kosovës, që në politkat e saja sociale, të ketë prioritet çështjen e Marrëvreshjes për Pensione me Zvicrën dhe të bashkëpunoi hapur, duke mos anashkaluar mbështetjen e përfaqësuesëve të interesave të të prekurve nga radha e sindikatave dhe profesionistëve të diasporës sonë dhe partnerëve poltik të tyre në Zvicër.

Kartoni i gjelbër
Komuniteti shqiptar gjithandej Europës gjatë pushimeve verore ua mësynë vendeve të tyre amë që së paku gjatë këtyre pushimeve të jetë në mes të njerëzve të vetë. Në kushtet dhe rrethanat e reja të krijuara në mes shteteve të Europës (heqja e kontrolleve kufitare) ka bërë që lëvizja e udhëtarëve të jetë më e shpejtë dhe më komode. Në mesin e të gjithë mërgimtarëve shqiptarë më të diskriminuarit (në mënyrë ekonomike) janë mërgimtarët shqiptarë të Kosovës. Ata edhe pse janë të siguruar në vendet ku punojnë jetojnë, janë të detyruar padrejtësisht që me rastin e hyrjes me makina në Kosovë të pagaujnë haraq për bosët e sigurimeve të Kosovës, diskriminim ky që e ndihmon edhe policia kufitare dhe ajo e komunikacionit e Kosovës. Komuniteti shqiptar nëpër botë ka kontribuar mjafueshëm dhe do të kontribojë edhe më tej, mirëpo si kudnërshpërblim ata nuk do të duhej të plaqkiten me rastin e udhtimeve me automjete në vendin e tyre amë, apo të prindërve të tyre…
E tëra kjo do të thotë se paratë e mbledhura (të plaçkitura) nga xhepat e mërgimtarëve shqiptarë të Kosovës, në vend që të përdoreshin për të mirën e shtetit të Kosovës ato janë përdorur e keqpërdorur për pasurimin e kompanive të sigurimeve private?! Mërgimtarëve shqiptarë nuk u ka mbetur rrugë tjetër vetëm (pa dëshirën e tyre) ta padisin shtetin e origjinës së tyre në ndonjë organ të drejtësisë europiane për taksën (plaçkën) e pakuptimtë që paguajnë tash sa vite në emër të të ashtuquajturit Kartoni i Gjelbërt!

Përfaqësimi në Parlamentin dhe institucionet tjera të vendit amë
Është koha e fundit që t`i jepet fund anashkalimit të diasporës dhe që institucionet përgjegjëse, KQZ-ja dhe Parlamenti i Republikës së Kosovës, përpos kërkimit të kryerjes së obligimeve nga mërgata, t‘ua mundësojnë mërgimtarëve, në këtë rast qytetarë të Republikës së Kosovës, të realizojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe të drejtën e tyre elementare qytetare të garantuar edhe me Kushtetutë. Edhe përkundër mungesës të mëtejmë për të pas vende të parapara apo të rezervuara për mërgatën në Kuvend, bile t’u mundësohet realizimi i të drejtës së votës zgjedhjet e përgjithshme për parlamentin e ardhshëm të Republikës së Kosovës, së paku do të duhej jetësuar e lehtësuar pjesëmarrja në zgjedhje dhe votime.
Fakti se, sipas të dhënave zyrtare, në zgjedhjet e kaluara nacionale të Kosovës kanë votuar gjithësej rreth 4000 qytetarë të Republikës së Kosovës jashtë vendit, arsyeton dhe fuqizon të drejtën elementare njerëzore për pjesëmarrje edhe në mënyrë të drejtpërdrejtë përmes votës së tyre në vendvotimet e vendlindjes së tyre, me çka diaspora e Kosovës e përbërë prej 800 vetave, do të fillojë të bëhet pjesë aktive jo vetëm në proceset zgjedhore në Kosovë.
Gjithashtu kërkohet krijimi i mundësive të votimit në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës si dhe përmes postës elektronike, pa përjashtuar edhe mundësitë tjera. Kjo kërkesë si e tillë është shtruar dhe mbështetet edhe nga shoqata të ndryshme të bashkatdhetarëve të mërgatës shqiptare para dy viteve.
Osman Osmani, Schaffhausen/Bern/Prishtinë, janar 20177/

Vështrimet dhe mendimet e shprehura në këtë shkrim nga autori janë krejtësisht personale dhe nuk pajtohen doemos me qëndrimet e Germin-it.