Ruzhdi Ibrahimi, një rrëfim suksesi në Zvicër
Diaspora ka pasur një rol vendimtar në të gjitha etapat e zhvillimet shoqërore në Kosovën e para- dhe pasluftës. Ata kanë kontribuar në të gjitha angazhimet si në rrafshin financiar dhe në të gjitha organizimet shoqërore deri tek pavarësia e Kosovës.Një histori ndryshe, një profesion i ndryshëm, i cili është vlerë për shoqërinë zvicerane, por edhe atë shqiptare, Ruzhdi Ibrahimi në Flatra.
Një histori ndryshe, një profesion i ndryshëm, i cili është vlerë për shoqërinë zvicerane, por edhe atë shqiptare, Ruzhdi Ibrahimi, u vendos në Zvicër në vitin 1989. Asokohe ishte në studime, por shkonte punonte herë pas here atje, pasi që kishte dhe prindërit. Pas mbarimit të shkollës së lartë teknike në Ferizaj përfundimisht u vendos në Baden. Për të vazhduar atje shkollën profesionale të administratës dhe pas disa vitesh pune në sektorin e makinerisë nisi aktivitetin e tij në Sindikatën e Ndërtimtarisë dhe Industrisë (GBI) më pas në sindikatën Unia, për plot 12 vite me radhë. Në vitin 2006 mbaroi arsimimin profesional si Specialist i Diplomuar i Sigurimeve Shoqërore e më pas në vitin 2015 shkollën e lartë si Ekspert i Diplomuar i Sigurimeve Shoqërore në Zvicër. Nga viti 2009 punon pranë Sigurimit të Papunësisë Unia në regjionin e Bazelit e nga viti 2014 si nëpunës i specializuar i procedurave dhe koordinimit pranë qendrës së kompetencës së Sigurimit të Papunësisë Unia në Bern. Asnjëherë nuk hoqi dorë nga arsimimi.
“Kur erdha në Zvicër kisha një vullnet të fuqishëm dhe një energji të pafund për të mësuar gjuhën gjermane, kjo edhe falë mbështetjes së pa rezervë të prindërve. Suksesi që pata me gjuhën më jepte shtytje për vazhdimin e përgatitjes profesionale në gjermanisht. Vështirësitë gjatë karrierës sime ndërlidhen kryesisht me trajtimin e pabarabartë gjatë konkurrimit në tregun e punës. Asokohe nuk kishte shumë shtetas nga Kosova në Zvicër të cilët kishin arritur një përgatitje profesionale në Zvicër dhe punëdhënësit kishin rezerva të mëdha, të ndërtuara kryesisht nga paragjykime dhe mungesa e informimit real, për punësimin e tyre. Vështirësi këto që kanë qenë të theksuara, edhe pse në ndërkohë janë zbutur pak, vazhdojnë edhe më tej të jenë të theksuara në vendimmarrjen për një vend pune. Këto ishin një motiv shtesë për të këshilluar dhe mbrojtur anëtarët sindikal gjatë vështirësive të tyre me punëdhënësin, sigurimet shoqërore dhe autoriteteve në Zvicër. Ky angazhim në rrafshin individual e plotësoja edhe me përkthimin e Kontratave të Përgjithshme të Punës në gjuhën shqipe, me përkthimin e broshurave informative, fletëpalosjeve të ndryshme gjatë fushatave për përmirësimin e kushteve të punës, revistës sindikale në gjuhën shqipe “Horizonte” si dhe me mbajtjen e seminareve vjetore për anëtarët shqipfolës ku janë trajtuar shumë tema shoqërore me qëllim të mbrojtjes së të drejtave të punëtorëve në përgjithësi si dhe të drejtave të anëtarëve sindikal shqipfolës në veçanti. Angazhimet shoqërore gjatë aktivitetit tim në Sindikatë ishin një mbështetje shtesë për mua që të vazhdoja përgatitjet profesionale në rrafshin e Sigurimeve Shoqërore, të cilat i përmendëm më lart.”- thotë z.Ruzhdi.
Për Ruzhdiun, diaspora ka pasur një rol vendimtar në të gjitha etapat e zhvillimet shoqërore në Kosovën e para- dhe pasluftës. Ata kanë kontribuar në të gjitha angazhimet si në rrafshin financiar dhe në të gjitha organizimet shoqërore deri tek pavarësia e Kosovës.
“Shtetasit nga Kosova si punëtor sezonal ëndërronin të punojnë dy, tri vite e të kthehen në Kosovë. Kërkesat ë tyre dhe të shoqërisë në Kosovë u shtuan, si pasojë e përkeqësimeve ekonomike e politike në Kosovë, dhe ata vazhduan të ruajnë ëndrrën e tyre për kthimin në vendlindje gjatë pensionimit për të vazhduar vjeshtën e jetës së tyre me dinjitet në Kosovë. Kjo ëndërr është thyer nga 1 prilli i vitit 2010 pasi që nga kjo datë ndërpritet vazhdimi i zbatimit të marrëveshjes ndërshtetërore të Sigurisë Shoqërore dhe nëse ata kthehen në Kosovë nuk kanë mundësinë e marrjes së pensionit. Angazhimi im në këtë rrafsh ka filluar nga viti 2004 duke kërkuar nga qeveria e Kosovës dhe autoritetet e Zvicrës për të marrë hapat e domosdoshëm për përmirësimin e zbatimit të kësaj marrëveshje pasi që shtetasit nga Kosova kishin vështirësi të mëdha në realizimin e së drejtës për pension nga Zvicra.
Nga vitet e parat ë pasluftës në Kosovë jam angazhuar bashkë me Osman Osmanin e shumë kolegë tjerë në aktivitete të ndryshme në Zvicër e Kosovë fillimisht për parandalimin e ndërprerjes së marrëveshjes së sigurimeve shoqërore në mes të Zvicrës dhe ish Jugosllavisë në raport me Kosovën ndërsa pas ndërprerjes zë zbatimit të saj në raport me Kosovën nga 1 prill 2010 për sensibilizimin e çështjes, informimin e të prekurve e opinionin për pasojat e mungesës së marrëveshjes. Si dhe angazhimet tjera në disa rrafshe duke kërkuar vazhdimin e zbatimit të marrëveshjes si dhe angazhime të shumta për të krijuar kushtet për vazhdimin e zbatimit të marrëveshjes dhe për nisjen e negociatave për marrëveshje të re ndërshtetërore të Sigurisë Shoqërore në mes të Zvicrës e Kosovës. Falë këtyre angazhimeve të pandërprera në të gjitha rrafshet është arritur që më 1 qershor 2017 të nënshkruhet marrëveshja e re e Sigurisë ndërshtetërore në mes të Kosovës dhe Zvicrës. Pasi që kjo marrëveshje parasheh mundësinë e eksportimit të pensioneve në Kosovë vetëm para se ajo të hyjë në fuqi, e kjo mund të jetë viti 2018 apo 2019, dhe duke marrë parasysh se gjatë kësaj kohe vazhdon diskriminimi i shtetasve nga Kosova duke mos pas mundësi të eksportimit të pensioneve kemi kërkuar nga të gjitha autoritetet përgjegjëse në Kosovë dhe në Zvicër për një zgjidhje kalimtare që të vazhdoj menjëherë mundësia e eksportimit në Kosovë. Angazhimi i vazhdueshëm dhe kërkesa për marrëveshjen ndërshtetërore të Sigurisë Shoqërore në mes të Zvicrës dhe Kosovës duhet të shërbej si shembull për angazhimin e mërgatës edhe në rrafshet tjera shoqërore.”- shprehet Ruzhdiu.
Sipas tij, në Zvicër tanimë kemi ekspert e specialist me përgatitje të lartë profesionale në të gjitha fushat, ajo që mungon është koordinimi i të gjitha këtyre resurseve njerëzore edhe në angazhimet shoqërore duke plotësuar kështu imazhin real të mërgatës në Zvicër. Angazhimi politik i mërgatës nga Kosova në politikën Zvicerane është një hap i guximshëm i domosdoshëm dhe duke përfshirë numrin e shumtë të shtetasve nga Kosova tanimë të natyralizuar me të drejtë vote, plotësisht i arsyeshëm. Mirëpo ky angazhim duhet të zgjerohet edhe me koordinimin e të këtyre resurseve njerëzore gjatë gjithë kohës jo vetëm gjatë fushatës zgjedhore.
Kjo intervistë u realizua në bashkëpunim mes Germin dhe Revistës Flatra “Larg atdheut, por me të kudo në Botë”, revistë dedikuar special diasporës shqiptare.