“Sa më pak mërgimtarë që votojnë, aq më lehtë ndahet pushteti në Kosovë”

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare që u caktuan të mbahen më 11 qershor 2017 kanë sfiduar edhe kësaj here mërgimtarët tanë. Mërgata jonë, e cila emocionalisht dhe fizikisht është e ndikuar nga proceset politikëbërëse në Kosovë, mirëpo mundësia e pjesëmarrjes së saj në këto procese është e pabarabartë. Këtë e dëshmon edhe e drejta për votë, e cila ju garantohet me ligjin për zgjedhjet nacionale dhe lokale, por praktikisht nuk iu është lehtësuar që ta shfrytëzojnë këtë të drejtë që nga pas lufte. Asnjë Qeveri e krijuar tash e 17 vite, nuk është interesuar për zgjedhësit e diasporës. Por, ata janë siguruar që së bashku me KQZ-në, të krijojnë procedura të komplikuara dhe burokratike që e pengojnë pjesëmarrjen më të madhe të diasporës në zgjedhje.

Si çdo herë, ose sistemi bllokohet, ose fletëregjistrimi apo fletëvotimi arrin me vonesë, apo emri i votuesit nuk figuron në listën e votuesve jashtë vendit. E në këto zgjedhje, ku ka pasur një mobilizim shumë më të madh  nga vet mërgata të votojë, KQZ ka qenë teknikisht e papërgatitur dhe ka neglizhuar kërkesat dhe ankesat e shumta.

Për këtë, Germin ka kërkuar mendimet e disa aktivistëve nga diaspora se çfarë e ka penguar edhe kësaj here diasporën ta shfrytëzojë të drejtën e votës.


DiasporaFlet: Çfarë mendoni se e ka penguar diasporën të votojë në zgjedhjet e parakohshme 2017. Cilat janë pengesat që po i sfidojnë mërgimtarët?

–    Bled Maliqi, me prejardhje nga Kosova i lindur në Norvegji ka deklaruar se ai nuk ka votuar asnjëherë në zgjedhjet e Kosovë, por sipas tij metoda për regjistrim është e papërshtatshme dhe e komplikuar në nivelin e individit, e cila kishte edhe probleme teknike.

–    Endrit Fejzullahu, i cili jeton në Florida të  Shteteteve te Bashkuara të Amerikës, është shprehur se është koha të modernizohet demokracia e të votohet elektronikisht.

“Diaspora është zhgënjyer vazhdimisht nga politika vendore dhe ka humbur shpresa se mund të ketë ndryshime pozitive. Një pjesë e madhe ndoshta nuk janë në rrjedha me zhvillimet politike. Vullnet për të marrë pjesë në zgjedhje nuk është se ka shumë as në Kosovë, e kjo përcillet natyrshëm edhe tek diaspora. Historikisht diaspora është treguar shumë fisnike duke pothuajse asnjëherë mos kërkuar që të bëhet diçka për ta, por duke dhëne gjithçka e vetëm duke insistuar që jeta e familjeve të tyre në Kosovë të  bëhet më e mirë. As praktikisht nuk iu është lehtësuar diasporës që të marrë pjesë në zgjedhje; është koha të modernizohet demokracia e të votohet elektronikisht” – Endrit Fejzullahu.

–    Qëndresa Krasniqi, ligjëruese e ekonomisë në United World College në Santa Ana të Kosta Rikës, ka deklaruar se  pengesa kryesore është koha e shkurtët për regjistrim.

“Duke pasur parasysh rrethanat, një nga aspektet  teknike që mund të ketë ndihmuar është vetë forma e votimit. Në bazë të rrethanave aktuale për të votuar në zgjedhjet 2017, duket se nuk ka pasur organizim të mjaftueshëm dhe aftësi teknike për t’i pranuar të gjitha kërkesat. Unë akoma nuk kam pranuar konfirmim për aplikacionin tim. Po ashtu, ndonëse kam aplikuar për regjistrim, emir im nuk është në listat e votuesve jashtë vendit. Por, unë besoj që duhet angazhuar një staf më i madh” – Qëndresa Krasniqi.

Fatmir Osmani, kryetar i  Këshillit Koordinues i Shoqatave në Steiermark, Austri, ka dhënë 4 arsyeja se si po i pengojnë mërgimtarët ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për votim.

“Pengesat janë qe nga mbarimi i luftës në Kosovë. Që nga fillimi i shtetësisë së Kosovës është vepruar në këtë drejtim duke filluar nga zgjedhjet e para, ku kemi qenë të injoruar, dhe atë në mënyrat më të padrejta. Mua atëherë me është kërkuar nga KQZ-ja të dëshmoj se e kam lëshuar Kosovën para vitit 1998, dhe unë pasi që në këtë kohë nuk kisha dokumente udhëtimi, dhe Kosova nuk kishte ambasada, e kisha vetëm një mundësi që të shkoja në Konsullatën e Serbisë për ta marrë këtë dëshmi. Për shkaqe që mund të njihen, si shumë të tjera as unë nuk kam shkuar prandaj edhe nuk kam mundur të votoj. Sa i përket mërgatës dhe te drejtën e saj për votim që nga fillim ka nja ligj (Kodeks) të pa shkruar, por, që thuhet sa me pak mërgimtarë që votojnë aq më lehtë e ndajmë ne këtu pushtetin.
Pengesat tani: 1.Koha shume e shkurtër për regjistrimin për votim; 2.Mungesa e informacioneve dhe angazhimeve te ambasadave, te gjitha iniciativat qe jen marre për sensibilizimin e mërgatës dhe mbushjen e formularëve për votim kane qene iniciativa qytetare te shoqatave dhe individëve. Ambasadat, si duket nga perspektiva e mërgimtareve, mendojnë se mjafton një faqe e internetit për aktivizimin e mërgatës. 3. Data e zgjedhjeve e përcaktuar ne kohe shume te shkurtër e pamundëson rrugëtimin e mërgatës ne atdhe për te votuar. 4. Mungesa e vetëdijes qytetare dhe humbja e shpresës tek mërgimtarët mbi vlerën e votës, dhe jo-gatishmëria e tyre edhe për një sakrificë të re, duke menduar ata (politika në Kosovë) se nuk po bënë asgjë për ne, as ne për ata” – Fatmir Osmani.

Fatkeqësisht unë nuk do të votoj në këto zgjedhje për disa arsye, por arsyeja kryesore është se nuk mendoj se ka ndonjë ndryshim në dekadën e fundit sa i përket përfaqësimit politik dhe as këto zgjedhje nuk po paraqesin diçka të re. Gjithashtu, nuk mendoj se mënyra e votimit më siguron privatësinë time” – Sh.LL.


Në pjesën e dytë të shkrimit, të intervistuarit kanë shprehur mendimet e tyre nëse diaspora është përjashtuar nga zgjedhjet për shkak të pengesave dhe se a duhet mërgimtarët të votojnë apo bojkotojnë zgjedhjet 2017.

Në këtë vegëz, ju lutem gjeni shkrimin e dytë ku të intervistuarit shprehin mendimet nëse diaspora po përjashtohet nga zgjedhjet, dhe  në këtë vegëz shkrimin se a duhet diaspora t’i bojkotojë zgjedhjet në Kosovë.