Sigurimi kufitar për mërgimtarët: Pse?

Germin organizon diskutimin virtual më 30 qershor 2017 duke filluar nga ora 17:00 (GMT+2), për të diskutuar rreth sigurimit kufitar për mërgimtarët.

Çdo vit, bashkatdhetarët, të cilët hyjnë në territorin e Kosovës me targa të huaja, duhet të paguajnë sigurim kufitar shtesë për automjetet e tyre sepse Kartoni i Gjelbër nuk iu vlen në Kosovë. Andaj, për të hapur një debat më të gjerë rreth kësaj teme, panelistët do të diskutojnë se si mërgimtarët e shohin taksën kufitare për automjete, çfarë mund të ndryshohet në këtë drejtim? Cilat janë alternativat rreth sigurimit kufitar dhe kush po përfiton nga situata e tanishme?

Ky takim virtual realizohet në kuadër të iniciativës Dialogu i Strukturuar për të Drejtat e Diasporës, që synon të krijojë bashkëpunim mes komuniteteve që jetojnë jashtë vendit dhe institucioneve fillimisht në Kosovë dhe të krijojë mekanizma për përfshirjen e diasporës në proceset politikëbërëse.

Takimi është publik dhe mund të ndiqet direkt në Youtube më datën 30 qershor 2017 duke filluar nga ora 17:00 https://www.youtube.com/watch?v=rZyfJGOqXVI

Kjo iniciativë është financuar nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë (SCO-K), Ministria e Punëve të Jashtme daneze (DANIDA) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).

PANELISTËT E TAKIMIT

1.Adelina Dakaj, aktiviste dhe juristie, Gjermani

Adelina Dakaj e lindur në Gjermani, deri në moshën 18 vjeçare ka jetuar dhe vepruar në Kosovë. Shkollën e mesme e kreu në “American School of Kosova” ku gjithëherë ka marrë pjesë në aktivitete të ndryshme sociale si “Charity Club”, “Debate Club”, “8th Kosovar and Regional Student Conference about Social Issues” si dhe është shquar si regjisore e dokumentarit më të mirë “More than a Memory”.

Pasi kreu shkollën e mesme vazhdoi studimet për drejtësi në Gjermani. Gjatë studimeve Adelina vazhdoi të merret me projekte te ndryshme kulturore dhe sociale. Ajo sot është aktiviste e shoqatës “Dorë për Dore” në Gjermani.

2. Bekim Dalipi, gazetar hulumtues në portalin Albinfo.ch, Zvicër 

Dalipi është i lindur në Gjilan, Kosovë dhe atje ka përfunduar shkollën fillore dhe të mesme, për t’i vazhduar më pas studimet për gazetari në Prishtinë. Përvojën e parë në gazetari e ka marrë në gazetën ditore “Lajm”, pastaj për rreth katër vite në ditoren, “Zëri”, kryesisht në faqen Diaspora dhe prej gjashtë vjetësh në “albinfo.ch”.

Dalipi po ashtu ka pasur bashkëpunim edhe me mediet të tjera, në veçanti me gazetën prestigjioze të Zvicrës frankofone, “Le Temps”.

3.Përparim Avdili, politikan dhe ekonomist, Zvicër

Përparim Avdili u lind në fshatin Llojan të Kumanovës, nga dhe emigroi si një-vjeçar bashkë me familje në Cyrih të Zvicrës. I rritur në këtë qytet, ka përfunduar shkollën ekonomike me specializim «Banking & Finance» si dhe punon si menaxher në sektorin bankar.

Avdili angazhohet në Zvicër brenda komunitetit shqiptar me aktivitete të ndryshme dhe ka qenë dhe është pjesë e disa organizatave shqiptare. Po ashtu Avdili është i angazhuar në politiken zvicerane, ku aktualisht është kryetar i një dege të partisë liberale FDP në qytetin e Cyrihut.

Në zgjedhjet e kaluara për kuvendin kantonal të Cyrihut arriti të zë vendin e zëvendësuesit të parë në listë. Avdili do të jetë përsëri kandidat në zgjedhjet e 4 marsit 2018 për kuvendin komunal të Cyrihut.

4.Daut Haxhaj, aktivist, Norvegji

5.Liza Gashi, Drejtoreshë e programeve në Germin

Liza Gashi është një profesioniste e politikave publike me përvojë në menaxhimin e projekteve dhe fushata, analiza cilësore të të dhënave të mëdha dhe angazhimin e shumë aktorëve në Kosovë, SHBA, Kosta Rika dhe Argjentinë.

Liza është një ndër themeluesit dhe Drejtoreshë e Programit në Germin dhe www.kosovodiaspora.org, një model ndihmës angazhimi digital dhe platformë diplomacie që lidh kosovarët me botën, dhe botën me kosovarët. Ajo ka themeluar gjithashtu dhe aktualisht drejton Komitetin për Kolegjet e Bashkuara Botërore (United World Colleges Committee) në Kosovë (KUB Kosova), i cili ka administruar bursa për nxënësit e shkollave të mesme të Kosovës për të ndjekur KUB-in në 17 vende të ndryshme.

Liza ka përfunduar studimet për Master në Administrim Publik (MPA) në Universitetin Shtetëror të Arizonës, dhe ka marrë  diplomë të bachelorit nga Wartbrug College për Shkenca Poltike, Marrëdhine Ndërkombëtare dhe gjuhë spanjolle. Ajo është a diplomuar në Kolegjin e Bashkuara Botërore në Kosta Rika, dhe ka studiuar për një semestër në Universitetin Kombëtar të Córdoba-s në Argjentinë.

Diskutimi moderohet nga Lavdi Zymberi.

Lavdi Zymberi punon si Menaxhere e Projektit në Qendrën Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ). Ajo mban titullin master në Administrim Publik nga IIT Stuart School of Business në Çikago dhe është bursiste e programit Lidershipi Transformues. Ajo ishte e përfshirë në Asociacionin e Qeverisë së Studentëve në Illinois Institute of Technology si senatore e kolegjit të saj dhe gjithashtu themeloi dhe shërbeu si Presidente e Asociacionit të Studentëve për Administrim Publik në Illinois Institute of Technology.

Si rezultat i arritjeve të saj akademike dhe arritjeve të shërbimit, në vitin 2016 ajo u nderua me çmimin Dean F.Elitel, në cermoninë e diplomimit, të lëshuar nga Asociacioni Amerikan për Administratë Publike të Kapitullit të Çikagos.

Lavdia ka botuar hulumtimin “Pjesëmarrja e Grave në Vendimmarrje në Kosovë”. Ky hulumtim sjell të dhënat për pozitën e grave në institucionet shtetërore në përfaqësimin e tyre dhe fuqinë aktuale, përkatësisht në pozitat vendimmarrëse.
Lavdi Zymberi është shpërblyer me çmimin “Training and Exchange of Knowledge Award”, për punën vullnetare nga USAID Kosovo.