Suzanna Shkreli: Të krijohet një fond i ngjashëm me “të drejtën e lindjes” të izraelitëve

Suzanna Shkreli, prokurorja shqiptaro-amerikane e qarkut Macomb nga Miçigan, SHBA, foli para të pranishmëve në edicionin e dytë të diskutimeve DisaporaFlet n’Kamenicë për rolin e diasporës në jetën në Kosovë, përvojën e saj si prokurore në SHBA dhe kandidaturën për Kongresin Amerikan, historinë e imigrimit të familjes së saj si dhe planet apo idetë për angazhimin e saj dhe të diasporës në përgjithësi.

E pyetur për rolin e diasporës në krijimin e një rrjetëzimi të profesionistëve shqiptarë kudo që jetojnë, Shkreli u shpreh se kjo ide është e mirëpritur dhe duhet të përkrahet nga të gjithë shqiptarët pa dallim prejardhjeje apo vendbanimi sepse shqiptarët kanë një kulturë, gjuhë dhe histori të përbashkët dhe duhet të promovojnë njëri-tjetrin kurdo që është e mundshme.

Shkreli gjithashtu tregoi për përfshirjen e saj në politikë dhe kandidaturën e saj për Kongres, e kandiduar nga Partia Demokratike. Duke marrë për bazë përvojën e saj si prokurore dhe punën e saj të përditshme dhe rastet që ajo trajtonte, Shkreli e kuptoi se gjithçka varet nga politika, prandaj edhe vendosi që të angazhohet dhe të kandidojë në mënyrë që t’i shërbejë publikut, diçka që ajo mendon se do ta bëjë edhe në të ardhmen. Shkreli foli edhe për përkrahjen që mori nga Presidenti Obama dhe Presidenti Clinton gjatë kandidaturës së saj, duke e përshkruar Obaman si një udhëheqës model ngase ai e vendosi gjithmonë “popullin të parin” dhe Clinton-in si person karizmatik. Prokurorja Shkreli gjithashtu tregoi për përkrahjen e madhe që mori gjatë kandidaturës, qoftë nga shqiptarët në SHBA qoftë nga mesazhet e ndryshme përkrahëse të shqiptarëve kudo në botë. E gjithë kjo përkrahje Shkrelin e inspiroi dhe e bëri të kuptojë që ka ardhur koha që shqiptarët “të kenë një vend në tavolinë” dhe se ata duhet të përkrahin njëri-tjetrin edhe në kohë të mira siç bëjnë në kohë tragjedish.

Historia e familjes së Shkrelit është e njëjtë si ato të familjeve tjera imigrante në SHBA, me prindër që punonin shumë për të krijuar një mjedis të përshtatshëm për fëmijët e tyre, duke u siguruar që ata kanë ushqim, kulm mbi kokë dhe mundësi për shkollim. Ajo gjithashtu tregoi për moskuptimet që ndonjëherë kanë amerikanët ndaj normave kulturore që shqiptarët kanë të cilat ajo i quajti “bukuri të kulturës shqiptare” dhe traditë që duhet ruajtur përmes mësimit të gjuhës për gjeneratat e ardhshme.

Shkreli propozoi që të krijohet një fond i ngjashëm me atë që ka komuniteti hebrej, i njohur si “e drejta e lindjes” që i ofron mundësinë izraelitëve të lindur jashtë vendit të vizitojnë Izraelin dhe të njihen me vendin amë. Diçka e tillë do të krijonte ndjenjën e përkatësisë për shqiptarët që lindin jashtë vendeve shqiptare. Një tjetër ide të bashkëpunimit me diasporën shqiptare që Shkreli përmendi ishte krijimi i mundësive nga shqiptarët në diasporë për shqiptarët në vendet amë për të marrë përvojë në shtetet tjera por gjithashtu duke krijuar mundësi në Kosovë dhe duke e shndërruar atë në një vend ku njerëzit duan të jetojnë dhe jo të largohen nga ky vend. Përfshirja e anëtarëve të diasporës me përvojë në politikëbërje në shtetet e ndryshme në Kuvendin e Kosovës apo shqiptarëve të shkolluar jashtë vendit që do të sillnin një mendësi tjetër dhe do të formësonin të ardhmen e Kosovës apo Shqipërisë ishte një ide tjetër që dha Shkreli për angazhimin e diasporës në vendet amë.

E pyetur nga të pranishmit për punën e saj si prokurore për rastet e fëmijëve të dhunuar seksualisht, ajo tregoi se si zhvillohet një rast në Miçigan dhe çfarë burimesh janë në dispozicion për fëmijët dhe prindërit e viktimave. Shkreli u ndërlidh edhe me temën e rreth 20.000 të dhunuarëve seksualisht gjatë luftës së fundit në Kosovë duke kërkuar nga shqiptarët të largojnë stigmën që i mbulon viktimat dhe mos t’i bëjnë të dhunuarit të ndjehen me faj për diçka e cila iu ka ndodhur pa fajin e tyre. Shkreli mendon se mënyra për të ecur tutje është të flitet për këtë temë, mos të mbetet më tabu; duhet të diskutohet, të krijohet një mjedis i përshtatshëm dhe një sistem përkrahjeje për viktimat në mënyrë që ato ta kenë më të lehtë të flasin për atë që ka ndodhur. Ajo gjithashtu theksoi se është më vështirë për burrat që ta pranojnë atë që ka ndodhur dhe të flasin për këtë për shkak të mendësisë shqiptare dhe për shkak se duhet “të ruhet fytyra”.

Në fund, Shkreli u shpreh e gatshme që të kthehet në Kosovë jo vetëm për të vizituar vendin dhe për të kaluar kohë të mirë me njerëz shumë të shoqërueshëm, por edhe për të dhënë kontributin e saj për çështjen e të dhunuarëve seksualisht gjatë luftës në Kosovë.

***

Lavdi Zymberi ka përfunduar studimet Master për Administrim Publik në Illinois Institute of Technology në Çikago. Aktualisht ajo punon në Qendrën Kosovare për Studime Gjinore si menaxhere e projektit “Përfaqësimi gjinor në shoqërinë civile dhe sektorin privat”.

Diskutimet DiasporaFlet organizohen nga organizata joqeveritare Germin me qëllim të motivimit të të rinjëve për të qenë pjesë e rrugëtimit të ndryshimeve. Ato përfshijnë tema nga fusha e arsimit, teknologjisë, biznesit, shkencës, mjekësisë, etj. dhe synojnë promovimin e tregimeve të suksesit të diasporës dhe frymëzimin e gjeneratave të reja. Këto takime përkrahen nga Friedrich Ebert Stiftung, Prishtina Office.