Të votosh a mos të votosh, kjo është çështja!

Shpeshherë diskutohet nëse diaspora duhet të votojë apo jo në zgjedhjet në Kosovë. Janë dhënë mendime pro dhe contra kësaj teme nga persona të ndryshëm, qoftë në Kosovë apo në diasporë.

E drejta e votës është e drejtë e cila diasporës i garantohet me ligj dhe të cilën ajo mund ta shfrytëzojë si në zgjedhjet lokale edhe ato të përgjithshme. Me rastin e zgjedhjeve të parakohshme të 11 qershorit, Germin vendosi të marrë mendimin e disa anëtarëve të diasporës në pyetjen “A duhet apo jo të votojë diaspora në zgjedhjet e parakohshme? Nëse po, cila do të ishte arsyeja sipas jush?”

Qëndresa Krasniqi, ligjëruese e ekonomisë në United World College në Santa Ana të Kosta Rikës, thotë se pa dyshim që ajo do të votojë. Sipas saj, diaspora është shumë e lidhur me atë që ndodh në Kosovë, prandaj edhe është tepër e rëndësishme që të votojë siç voton çdo banor i Kosovës. Qëndresa gjithashtu vlerëson që “e drejta e diasporës në politikëbërje mund të inkurajojë atë të jetë më aktive dhe pjesëmarrëse në ekonominë e Kosovës”. Ajo e sheh ndikimin e diasporës në Kosovë jo vetëm përmes investimeve, por edhe përmes kthimit të kapitalit njerëzor që zvogëlon ikjen e trurit nga Kosova.

Në anën tjetër, Bled Maliqi me prejardhje nga Kosova dhe i lindur në Norvegji, shprehet skeptik në lidhje me votimin nga diaspora në këto zgjedhje të 11 qershorit. Megjithëse mendon se pjesëmarrja e diasporës në zgjedhje është e drejtë e tyre, ai ka pikëpyetje sa i përket informimit të diasporës për gjendjen aktuale në Kosovë. Bledi konsideron se informatat që diaspora merr nga lajmet dhe rrjetet sociale kanë tendencë të jenë të pasakta dhe se shpesh debatet politike në rrjete sociale krijojnë polarizim dhe mendime ekstreme. Sipas Bledit, këto informata mund ta shndërrojnë pjesëmarrjen e diasporës në zgjedhje në ndikim negativ në skenën politike.

Sh.Ll., në kushte anonimiteti, thotë se nuk do të votojë për dy arsye: nuk mendon se ka ndonjë ndryshim në dekadën e fundit sa i përket përfaqësimit politik si dhe nuk mendon se mënyra e votimit ia siguron privatësinë. Megjithatë, Sh.Ll. thotë se diaspora duhet të votojë ngase është diasporë e re dhe ka lidhje të forta me vendin amë. Megjithëse, sipas Sh.Ll. nëse krahasohemi me demokracinë kanadeze, për shembull, “është vështirë të pranosh dhe të bindësh veten se Kosova meriton një “demokraci” që po e ushtron tani”.

 

“Të gjithë duhet të votojnë” thotë Endrit Fejzullahu, që jeton në Florida të SHBA-ve dhe se përveç që e sheh votimin si obligim moral, ai mendon se është edhe interes ekonomik i diasporës. Endriti thotë se një qeveri e dinjitetshme është më e aftë t’i mbrojë të drejtat e të gjithë qytetarëve, përfshirë diasporën. Ai shton se “përmirësimi i imazhit të Kosovës në botë mund t’i shërbejë bizneseve të diasporës” dhe se zgjidhja e problemeve ekonomike në Kosovë është edhe në interes të tyre.

Fatmir Osmani, kryetar i  Këshillit Koordinues i Shoqatave në Steiermark, Austri, mendon se do të ishte mirë që të gjithëve t’iu mundësohet votimi. Fatmiri, duke konsideruar se diaspora është pothuajse gjysma e kombit dhe se është më e lirë në gjykim, thotë se ata i shohin gjërat nga një perspektivë tjetër. Për më tepër, ai shton se diaspora nuk përfiton asgjë nga atdheu, por vuan dhe kujdeset për të, është në shërbim të përhershëm të tij dhe këtë e dëshmon përmes remitencave që e fuqizojnë ekonominë kosovare. Sipas Fatmirit, diaspora mendon se “për lirinë dhe të vërtetën e vendlindjes tonë duhet të punohet gjithmonë edhe nëse është në kundërshtim me qeverinë që është e zgjedhur”.

Në këtë vegëz, ju lutem gjeni shkrimin e parë në lidhje me pengesat e diasporës për të votuar, kurse në këtë vegëz të intervistuarit shprehin mendimet e tyre nëse diaspora po përjashohet nga zgjedhjet në Kosovë.