SHKOLLA VERORE ME FËMIJË NGA DIASPORA, KOSOVA DHE SHQIPËRIA

Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike, duke u mbështetur në  Ligjin nr.04/L-095 të Diasporës dhe Mërgatës; Planin Veprues të Punës për vitin 2018, projektet për mësimin plotësues në Diasporë, me qëllim të përkrahjes, ruajtjes, kultivimit të identitetit kulturor, gjuhësor dhe arsimor të mërgimtarëve, veçmas të fëmijëve të diasporës, dhe në pajtim me politikat programore, shpall:

 

KAMPE/SHKOLLA VERORE ME FËMIJË NGA DIASPORA, KOSOVA DHE SHQIPËRIA

Qëllimi

Këto dy (2) kampe/shkolla/ verore do t’u mundësojnë të rinjve nga diaspora të krijojnë lidhje të reja shoqërore. Gjatë qëndrimit në vendlindje, nxënësit do të kenë aktivitete të shumta me tema të ndryshme  në funksion të edukimit të tyre, që t’ua forcojë edhe më shumë ndjenjën e dashurisë dhe të respektit për vendin dhe për njerëzit, me tolerancë për njëri-tjetrin. Fëmijët e bashkatdhetarëve tanë do të njihen me vendlindjen e tyre duke u bërë pjesë e organizimeve të programeve kulturore me bashkëmoshatarët e tyre nga Kosova e Shqipëria.

 

Programi i kampeve/shkollave verore

Programi do të jetë interaktiv dhe do të përmbajë:

  • Aktivitete socializuese;
  • Mësimi joformal (përmes aktiviteteve dhe strategjive bashkëkohore të mësimdhënies);
  • Vizita njohëse të monumenteve historike, kulturore dhe bukurive natyrore;
  • Aktivitete sportive;
  • Mbrëmje zbavitëse me muzikë tradicionale

 

Koha e mbajtjes

6 deri më 10 gusht 2018 –  shkolla verore.

Vendi :  Rugovë/Pejë

 

E drejta e aplikimit dhe kriteret

Të drejtë aplikimi kanë:

  • Të  gjitha shoqatat e mësuesve shqiptarë nga diaspora dhe grupe të mësuesve;
  • Grupe me nxënës e mësues nga më shumë se tri shkolla;
  • Grupet të jenë 80 për qind me nxënës të mësimit plotësues në gjuhën shqipe, kurse pjesa tjetër mësues;
  • Fëmijët të jenë të moshës 13-17 vjeçare;
  • Të respektohet kriteri gjinor në grupet e nxënësve;
  • Të drejtë pjesëmarrjeje kanë edhe mësues, nxënës dhe zyrtarë joshqiptarë nga mjedisi ku mbahet mësimi plotësues në gjuhën shqipe;
  • Përparësi kanë ato grupe që organizohen nga shoqatat e mësuesve dhe ato grupe që nuk kanë marrë pjesë më parë në shkolla / kampe verore të tilla;
  • Përgjegjës për zgjedhjen e pjesëmarrësve në shkollën verore janë shoqatat e mësuesve dhe grupet e mësuesve, por duhet pasur kujdes që jo më shumë se 10 për qind e nxënësve nga ata që kanë marrë pjesë më parë në kampe të tilla të futen në lista;
  • Përgjegjës për disiplinën e nxënësve dhe mbarëvajtjen e shkollës verore janë mësuesit nga diaspora / udhëheqësit e tyre.

 

Mënyra e aplikimit  

Të interesuarit mund të aplikojnë me një kërkesë në adresën elektronike të Ministrisë së Diasporës dhe Investimeve Strategjike.

Kërkesat do të vlerësohen nga komisioni vlerësues më së voni 5 ditë nga dita e përfundimit të afatit për aplikim.

 

Personat kontaktues:

Shkolla verore 6-10 gusht 2018

Barbana Sekiraqa Dobra, zyrtare për Arsim Plotësues në Diasporë

Email: [email protected]

 

Afati i fundit për aplikim është data 18 korrik 2018, në orën 16:00.