Marrëveshja e pensioneve Zvicër – Kosovë

Marrëveshja e Sigurisë Shoqërore Zvicër – Kosovë | Hyri në fazën përfundimtare të ratifikimit

Më 30 nëntor 2018, qeveria e Zvicrës miraton mesazhin e marrëveshjes ndërshtetërore mbi Sigurinë Shoqërore Zvicër Kosovë të nëshkruar më 8 qershor 2018 dhe i propozon parlamentit të Zvicrës për miratim. Shqiptaro-Zviceranët përshëndesin këtë hap të Qeverisë Federale të Zvicrës dhe i janë shumë mirënjohës sindikatave (veçanërisht asaj Unia) dhe politikanëve zviceranë/e për angazhimin dhe mbështetjen e tyre të palëkundur për arritjen e Marrëveshjes së re.

Marrëveshja e re koordinon sigurimin dhe përfitimet e kolonës së parë të sigurimeve Shoqërore: sigurimin e pleqërisë dhe trashëgimtarëve (AHV) si dhe të sigurimit të invaliditetit (IV). Nga data e hyrjes në fuqi ajo garanton trajtimin e barabart të personave të siguruar dhe mundëson pagimin e pensioneve të pleqërisë, trashëgimtarëve dhe të invaliditetit edhe jasht Zvicrës. Kjo marrëveshje përmbanë gjithashtu edhe bazën e luftimit të abuzimeve.

Pasojat 10 vjeçare të diskriminim ekskluziv

Kosova është i vetmi shtet pasardhës i Jugosllavisë me të cilin Zvicra duke filluar nga 1 prill 2010 Zvicra ka ndërprerë marrëdhëniet kontraktuale në fushën e sigurimeve shoqërore. Gjatë kësaj periudhe kohore shtetasve të Kosovës u është paguar pensioni vetëm në rast të qëndrimit Zvicër. Në mungesë të Marrëveshjes dhe në rast të largimit nga Zvicra ata kanë pasur mundësi vetëm në rimbursimin (kthimin) e kontributeve të sigurimit të pleqërisë dhe trashëgimtarëve (AHV), me ç’rast ata humbin përgjithmonë të drejtën për përfitim të çfarëdo pensioni nga Zvicra. Pasojat e këtij diskriminimit vetëm në raport me shtetasit e Kosovës të cilët nuk posedojnë shtetësi tjetër përpos të Republikës së Kosovës ishin dhe vazhdojnë të mbeten të mëdha, pasi në një mënyrë apo tjetër kanë prekur dhjetëra-mijëra kontributpagues dhe familjarë të tyre.

Zbatimi vetëm pas ratifikimit nga Parlamenti zviceran dhe hyrjes në fuqi

Shtetasit kosovarë të cilët kanë arritur moshën e rregullt të pensionimit dhe trashëgimtarët e tyre, të cilët nuk kanë kërkuar rimbursimin (kthimin) e kontributeve mund të aplikojnë për pagesat e pensioneve jashtë duke filluar nga data e hyrjes në fuqi të Marrëveshjes mbi Sigurinë Shoqërore.

Marrëveshja hyn në fuqi kur të ratifikohet nga dy parlamentet. Më 18 tetor parlamenti i Kosovës e ka ratifikuar marrëveshjen në fjalë. Tanimë miratimi pritet edhe nga parlamenti i Zvicrës që marrëveshja të hyjë në fuqi. Ratifikimi në Zvicër mund të bëhet brenda gjysëm viti.

Retroaktiviteti zvogëlon pasojat e diskriminimit 10 vjeçar

Nga data e hyrjes në fuqi të marrëveshjes përfundon diskriminimi i shtetasve të Kosovës në raport me përfitimet vetëm për të ardhmen dhe asnjë përfitim retroaktiv për periudhën e kohëzgjatjes pa marrëveshje nuk është i mundshëm.

Kërkesat e drejta të kontributpaguesve dhe trashëgimtarëve të tyre për pagesë retroaktive të pensioneve nuk duhet të hasë në veshë të shurdhër dhe kërkohet një zgjidhje që mundëson pagesën e pensioneve edhe për kohëzgjatjen pa marrëveshje.

Nga përgjegjësit institucional dhe nga mediat e Republikës së Kosovës kërkohet dhe pritet informim i drejtë dhe korrekt i shtetasve të prekur dhe familjarëve të tyre si dhe të interesuarve tjerë. Trajtimi dhe njohja me këtë problematik paraqet edhe sensibilizim dhe edukim qytetarie për një siguri dhe mirëqenie shoqërore edhe në Kosovë.

Për informata tjera e pyetje sqaruese:
Ruzhdi Ibrahimi, ekspert i sigurimeve shoqërore dhe
Osman Osmani, sekretar nacional për migracion në sindikatën Unia.