Mundësitë dhe sfidat për diasporën shqiptare

Si vazhdimësi e Samitit të Diasporës Shqiptare të nëntorit 2016, Germin dëshiron të krijojë një Grup punues me njerëz nga Shqipëria, Kosova dhe shqiptarë nga e gjithë bota për të përpiluar një Plan të veprimit për angazhimin e diasporës shqiptare në botë. Synimi i këtij grupi është që të promovojë një lidhje më zyrtare dhe më të afërt mes shqiptarëve nëpër botë. Samiti i Diasporës ishte një hap i parë i mirë në këtë drejtim, por vazhdimësia e qëndrueshme dhe e suksesshme kërkon që ne bashkërisht të zhvillojmë një qasje të bashkërenduar mirë.

Ne besojmë që vetëm përmes një bashkëpunimi më zyrtar dhe të institucionalizuar mund të realizohet potenciali i plotë i diasporës së madhe shqiptare. Kjo nuk mund të realizohet vetëm nga qeveria e Shqipërisë, nga qeveria e Kosovës, ose nga diaspora shqiptare duke punuar të vetme në vakumin e tyre siç ka ndodhur deri tani. Kjo nuk mund të realizohet plotësisht përmes marrëveshjeve të atypëratyshme dhe jozyrtare. Ka ardhur koha për një bashkëpunim më zyrtar, dhe ne mendojmë që ky proces duhet të drejtohet sa më shumë që është e mundur nga diaspora shqiptare në mënyrë politike dhe profesionale gjatë punës së përbashkët me zyrtarë publik dhe privat në Shqipëri dhe Kosovë.

Nëse keni marrë pjesë në Samitin e Diasporës dhe/ose jeni të interesuar në çështjet e diasporës, duam t’ju ftojmë t’i bashkëngjiteni ekipit tonë, i cili do të përpilojë një Plan të veprimit shtatëpikësh për angazhimin e diasporës shqiptare botërore në fushat në vijim:

1.Korniza ligjore dhe institucionale për përfshirjen e diasporës
2.E drejta e votës për diasporën dhe përfaqësimi në Kuvend
3.Politika Ekonomike dhe për investim të diasporës
4.Promovimi i shkëmbimit profesional me diasporën shqiptare
5.Shkëmbimi edukativ dhe kulturor
6.Promovimi i projekteve të diasporës lokale në qytetet/rajonet e përzgjedhura në vendet amë.
7.Organizatat Jo-qeveritare dhe Filantropia e diasporës shqiptare

Nëse jeni të interesuar t’i bashkoheni kësaj përpjekje, ju lutemi regjistrohuni për temat që jeni të interesuar të punoni.

Për të gjithë ju që akoma nuk e keni plotësuar, afati i fundit është 25 prill 2017 (e martë), ora 00:00(Kosovo Time, GMT+2).