Vota e Diasporës – Ndryshimet legjislative për plotësimin e ligjit për zgjedhjet

Komisioni Paralamentar për Legjislacion, pranë Kuvendit të Kosovës është duke diskutuar për ndryshimet legjislative për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, me qëllim që të mundësohet dhe lehtësohet votimi nga bashkëatdhetarët tanë që jetojnë anë e mbanë botës.

Kjo iniciativë është propozuar pranë Komisionit nga deputeti Korab Sejdiu, i cili u bazua në raportin e Avokatit të Popullit dhe kërkesave të drejtpërdrejta të mërgimtarëve gjatë konferencës Diaspora Flet, që u mbajt në Prishtinë më 17-20 maj 2018.

E drejta e votës, pra përmirësimi i procesit për votim jashtë vendit, është një nga temat kryesore që Germin nga viti 2016 është duke avokuar së bashku me komunitetin e diasporës. Pengesa të ndryshme teknike, administrative dhe ligjore aktualisht vështirësojnë pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale dhe qendrore. Në zgjedhjet qendrore të parakohshme në qershor 2017, vetëm 20,354 nga diaspora ka aplikuar për t’u regjistruar për votim. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka miratuar 15,118 aplikacione për regjistrim. Megjithatë, vetëm 5,949 (30% të aplikacioneve) kanë derguar fletëvotimet dhe 5,246 nga to janë pranuar si vota valide. Ngjashëm ishte edhe pjesëmarrja në zgjedhjet lokale dhe balotazhin në tetor dhe nëntor 2017 që u karakterizuan me pjesëmarrje të ulët nga diaspora.

Në mënyrë që të kemi një pjesëmarrje më të madhe të diasporës në zgjedhjet nacionale dhe lokale, duhet ndryshuar procesi aktual i votimit. Për këtë, Institucioni i Avokatit të Popullit ka rekomanduar edhe ndryshim/plotësimin e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, neni 96, i cili do të mundësonte, përveç votimit me postë edhe votimin fizik nëpërmjet zyrave konsullore apo ambasadave ku do të vendoseshin kutitë e votimit. Ndërsa, Germin rekomandon që përvec votimit në misionet diplomatike, të jetë e mundur votimi me postë në faun postar në ambasadë/konsullatë përshkak të shpërndarjes së Diasporës.

Germin poashtu ka rekomanduar që KQZ  të mund të zbatonte metodën “opt-out”: votuesi që regjistrohet njëherë në regjistrin e diasporës do të mund të votoje në zgjedhjet pasuese pa pasur nevojë përsëri për regjistrim. Nëse një votues nga diaspora planifikon të udhëtojë në Kosovë për votim, atëherë do të ishte përgjegjjësi e votuesit që ta njoftojë KQZ-në më kohë për t’u larguar nga regjistri i diasporës dhe të transferohet në regjistrin e përgjithsëm.  Poashtu, një rekomandim tjetër nga Germin ishte që të dhënat personale të redaktohen pjesërisht para publikimit të listave për votim jashtë për të mbrojtur privatësinë.

Në lidhje me këtë, me ftesë të deputetit Sejdiu i cili është kryesues i grupit punues, ju ftojmë që t’i kaloni rekomandimet e juaja dhe të angazhoheni në këtë drejtim.

Ftoj të gjithë ata ekspertë që mund të kontribuojnë në hartimin e Projektligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme që të lajmërohen dhe të marrin pjesë në takimet e grupit punues që do të fillojnë të mbahen së shpejti – Korab Sejdiu